Më 13 Nëntor, për herë të parë një shtet i Unionit zhvilloi një mbledhje të përbashkët qeveritare me një vend joanëtar të Bashkimit Evropian. Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni mikpriti qeverinë shqiptare me në krye kryeministrin Edi Rama për zhvillimin e një seance të përbashkët qeveritare, që konkludoi me firmosjen e 16 marrëveshjeve, për forcimin e partneritetit strategjik dhe në fusha të tjera, si mbrojtja, shëndetësia, siguria apo infrastruktura.
Në një intervistë ekskluzive për Report Tv me gazetarin Ermal Qori në ‘Studio Live’, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti thekson se për herë të parë, Italia kthehet në protagoniste në fushën e mbrojtjes për Shqipërinë, ku 8 marrëveshje të firmosura i përkasin saktësisht këtij sektori, pa përjashtuar këtu dhe fusha të tjera.
Ambsadori Alberti, gjithashtu vë në dukje angazhimin e lartë si partnere e Shqipërisë për të rritur investimet në vend, për të krijuar një terren favorizues dhe për rritjen e partneriteteve bashkëpunuese.
“Ne besojmë se për të shtuar peshën dhe thellësinë strategjike të bashkëpunimit, duhet nga njëra anë të mbështesim ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përbëjnë 95% të prodhimit tonë të brendshëm bruto, por në të njëjtën kohë të kemi kompani të mëdha që luajnë në fusha strategjike: mbrojtje, energji, shëndetësi, bujqësi, infrastrukturë. Kjo ishte zgjedhja dhe dëshira e palëve dhe nga tani e tutje, edhe falë këtyre marrëveshjeve, do të sjellim disa nga këto kompani të mëdha”, tha ndër të tjera ambasador Alberti për Report Tv.
Ambasadori flet për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar se detyra e dy qeverive është që miqësinë ta shëndërrojnë në partneritet strategjik.
“Kemi një detyre të madhe: ta shndërrojmë ketë miqësi dhe këto marrëveshje ne një partneritet të vërtetë strategjik”, tha Alberti.
Ambasdaori premton mbështetje në rrugën drejt BE-së, me qëllim që vendi ynë të arrijë objektivin strategjik, integrimin brenda vitit 2030. Ambasadori theksoi se “negocimi politik i Shqipërisë fillon në janar 2028, kur Italia do të jetë në krye të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian. Është një rastësi e rëndësishme.”
Intervista e plotë:
Faleminderit Ermal, një përshëndetje për te gjithë shikuesit.
-Ambasador Alberti, si kryeministri Rama ashtu dhe kryeministrja Meloni folën për një moment historik. Çfarë e bën historike, sepse marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pasur thuajse gjithnjë një konstante në rritje. Përveç numrit të lartë të marrëveshjeve të firmosura, çfarë ndryshon në raportet mes dy vendeve?
Para se gjithash, ndryshon thellësia strategjike e bashkëpunimit që të dy vendet kanë vendosur të ndërmarrin. Brenda dosjeve që mbajnë në duar Rama dhe Meloni, në atë fotografi, ndodhet një marrëveshje G2G, që nuk ishte bërë asnjëherë më parë, prandaj vetëm kjo, është një element risie historike. Asaj marrëveshjeje i bashkohen marrëveshje te tjera dhe dimensioni i marrëdhënies sonë bëhet me i gjere ne kuptimin numerik, behet me i thelle ne përmbajtje dhe behet me i larmishëm sa i takon sektorëve të ndërhyrjes.
Shiko Ermal, këto janë tre faqe, tre faqe marrëveshjesh qe pasojnë marrëveshjen G2G dhe qe janë nënshkruar ne Romë. Nuk besoj se është pare apo lidhur ndonjëherë prania e Italisë me sektorët e mbrojtjes, te sigurisë kibernetike, te energjisë, e shumë të tjerë të shëndetësisë, dhe shumë të tjerë akoma, qe sot do te na shohin protagoniste. Kemi një detyre te madhe: ta shndërrojmë ketë miqësi dhe këto marrëveshje ne një partneritet te vërtetë strategjik.
-Nëse i hedhim një sy marrëveshjeve, vendin kryesor e zënë ato që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë, apo dhe emergjencat civile. Por le t’i marrim me radhë. KAYO, ndërmarrja shqiptare në fushën e mbrojtjes nënshkroi si me Fincantierin ashtu dhe me kompaninë Leonardo.
Marrëveshja me Fincantierin siç dhe u bë e ditur parashikon ngritjen e një kantieri për prodhimin e anijeve ushtarake. Si do funksionojë ajo, a ka një kalendar kohor se kur do nisë funksionimi, sa do të jetë investimi?
Siguria dhe mbrojtja zënë pjesën më të madhe të agjendës ndërkombëtare të Shteteve, kështu që edhe për këtë arsye kemi filluar nga një sektor që është strategjik, është i rëndësishëm, është themelor, dhe me një rëndësi në rritje në politikën e jashtme të mbrojtjes dhe sigurisë së Shteteve, përfshirë edhe të tonat.
Marrëveshjet kanë të bëjnë me mbrojtjen, përfshijnë edhe ato të mbrojtjes civile, sepse, siç e di, në Shqipëri mbrojtja civile varet nga Ministria e Mbrojtjes. Marrëveshja më e rëndësishme, e para, marrëveshja kuadër, është një marrëveshje e re bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes që kanë firmosur të dy ministrat, ministri Crosetto dhe ministri Vengu, që është shumë e rëndësishme sepse jep linjat bazë, themelore dhe prioritetet. Pastaj marrëveshja Fincantieri-Kayo është një hap i dytë, është një marrëveshje e dytë e firmosur nga palët pas asaj të prillit dhe paraprin atë finale që do të jetë një joint venture e mirëfilltë: një akt i domosdoshëm për fillimin e modernizimit të një kantieri dhe ndërtimin e njësive detare. Po flasim për marrëveshje afatmesme-afatgjata; ne nuk jemi të interesuar të presim shirita apo të bëjmë evente për inaugurim, na intereson të ndërtojmë të ardhmen e shteteve tona.
Shifrat e sakta të investimit do t’i bëjnë të ditura palët sapo të jenë të gatshme. Ajo që neve na interesonte, ishte të hidhnim themelet e këtij bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
- Marrëveshja tjetër është me kompaninë Leonardo, një nga ekslencat italiane në fushën e prodhimeve jo vetëm ushtarake. Cili eshte thelbi i saj, cfarë do të prodhojë?
Jo, flasim para së gjithash për siguri kibernetike, pra siguri dixhitale, flasim për aktivitete të lidhura me komunikimet në fushën e mbrojtjes, flasim për sisteme detare dhe tokësore. Kjo është pjesa thelbësore e marrëveshjes me Leonardon që, po e kujtoj, së bashku me Fincantieri-n, flasim për kompani që janë, përveçse italiane, ekselencë botërore. Qëllimi i Italisë ishte të sillte në Shqipëri ekselencën botërore për të strukturuar partneritetin e përmendur më herët. Siguria kibernetike është një temë që ka zënë vend edhe në marrëveshje të tjera bilaterale, si ajo midis ministrit Tajani dhe ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Spiropali. Siguria kibernetike, temë kyçe, kompani të rëndësishme, e ardhme e përbashkët.
-Marrëveshja e huasë për emergjencat civile, çfarë pritet të sjellë? A është përfshirë dhe këtu kompania Leonardo?
Sa i përket mbrojtjes civile është një bllok me tre marrëveshje të ndryshme. Njëra lidhet me furnizimin me materiale dhe struktura të nevojshme për “reagim në kohë reale”, pra me aktivitetin e mbrojtjes civile; tjetra ka të bëjë me formimin dhe një tjetër me koordinimin operativ midis dy strukturave të mbrojtjes civile. Këto janë marrëveshje që i përgjigjen miqësisë dhe një bashkëpunimi afatgjatë që vitin e kaluar mori formë shumë intensive gjatë zjarreve në Shqipëri. Po e strukturojmë këtë bashkëpunim, furnizojmë pajisje, pra materiale, dhe formojmë personelin.
- Kur pritet që Guardia Costiera italiane t’i dorëzojë Shqipërisë dy moto vedetat për Forcën Detare Bregdetare Shqiptare?
E ardhmja na rezervon rezultatet e së kaluarës dhe së tashmes. Po bashkëpunojmë prej vitesh në një sektor shumë delikat. Risia e kësaj marrëveshjeje qëndron pikërisht në forcimin e mëtejshëm, përmes dy anijeve të reja, të strukturave dhe materialit të nevojshëm për ta bërë edhe më efektive këtë luftë kundër narkotrafikut, kundër trafikimeve të paligjshme. Tashmë kemi një bashkëpunim të fortë, 17 skuadra hetimore të përbashkëta, aktivitete të çdo lloji edhe në nivel formimi, përveçse hetimi, bashkëpunim gjyqësor. Që kur kamë ardhur këtu, në janar të këtij viti, kemi arritur tashmë 100 arrestime italianësh e shqiptarësh, kriminelësh dhe personash të rrezikshëm, falë këtij bashkëpunimi që, kujtoj, pasuron të dyja palët, jo vetëm Italinë dhe jo vetëm Shqipërinë.
- Po marrëveshja mes fondacionit MAXXI, Muzeu Kombëtar i Arteve i Shekullit të XXI dhe Galerisë Kombëtare të Arteve këtu në Tiranë, cfarë parashikon konkretisht?
Kjo marrëveshje konfirmon atë që thashë më parë, pra diversifikimin e marrëveshjeve të arritura, jo vetëm në një sektor dhe jo vetëm të natyrës, të themi, Qeveri-Qeveri, por edhe mes enteve, si në këtë rast. Shikoni, besoj se është më e lehtë të ndërtosh muze sesa t’i menaxhosh dhe t’i pozicionosh në nivel ndërkombëtar, sepse sot konkurrenca është shumë e lartë edhe në këtë sektor. Marrëveshja MAXXI dhe Galeria parashikon në thelb tre gjëra: bashkëpunim në manaxhim, bashkëpunim për formim dhe bashkëpunim për muzealizim. Thesari i madh, që është një muze i ri, do të vlerësohet edhe më shumë falë këtij raporti historik me Italinë dhe bashkëpunimit me një entitet prestigji si MAXXI.
- Italia është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë. Është vendi me numrin më të madh të ndërmarrjeve që veprojnë në tregun shqiptar. Por ajo që bie në sy, është fakti se ende pas kaq shumë vitesh, kompanitë e mëdha italiane mungojnë? Ato që mund të jenë të pranishme, numërohen me gishtat e njërës dorë. Si shpjegohet?
Ermal, më lejo të rikujtoj që samiti i Romës, 10 ministra nga secila palë, historik edhe në këtë aspekt, u zhvillua i gjithi në italisht pa përkthim dhe kjo tregon edhe afërsinë mes vendeve tona. Strategjia nënkupton zgjedhje dhe zgjedhjet janë bërë nga Qeveritë, diplomacisë i mbetet zbatimi.
Në Shqipëri nuk kishim dhe nuk kemi kompani të mëdha italiane. Ne besojmë se për të shtuar peshën dhe thellësinë strategjike të bashkëpunimit, duhet nga njëra anë të mbështesim ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përbëjnë 95% të prodhimit tonë të brendshëm bruto, por në të njëjtën kohë të kemi kompani të mëdha që luajnë në fusha strategjike: mbrojtje, energji, shëndetësi, bujqësi, infrastrukturë. Kjo ishte zgjedhja dhe dëshira e palëve dhe nga tani e tutje, edhe falë këtyre marrëveshjeve, do të sjellim disa nga këto kompani të mëdha. Detyra jonë është të përgatisim terrenin dhe këtë po e bëjmë, pastaj kompanitë do të vlerësojnë nëse është mjaftueshëm pjellor për të investuar.
-Si e analizoni sigurinë në Shqipëri, format sesi investohet në vend. Në kontekstin tuaj dhe në qëndrimin personal, do e sugjeronit Shqipërinë?
Nëse nuk do të besoja në mundësitë e Shqipërisë, nuk do të kisha punuar gjashtë muaj për realizimin e një Samiti dhe firmën e marrëveshjeve që janë funksionale për të sjellë kompanitë. Jam i bindur që cilësia e reformave, edhe politiko-institucionale, ndikon pozitivisht, madje është thelbësore për klimën e investimeve. Prandaj për këtë punojmë në dy sektorë, jo vetëm për tërheqjen e investimeve, por edhe për bashkëpunimin, për mbështetjen ndaj Shqipërisë që të përmirësohet gjithnjë e më shumë. Ka një frazë të famshme që thotë se nëse do të tërheqësh flutura, duhet të mbjellësh kopshtin dhe jo vetëm t’i bindësh fluturat. Ky është objektivi: të bindësh fluturat të vijnë dhe ndërkohë ta bësh këtë kopsht gjithnjë e më të mirë. Sigurisht, reformat kanë nisur, nuk kanë përfunduar dhe është e nevojshme, nëse duam, të përfundojmë atë proces që ka filluar, e të punojmë së bashku mbi disa pika kyçe.
-Shqipëria ndodhet në një moment historik përpara integrimit në Bashkimin Evropian. Italia prej kohësh, historikisht, ka qenë një mbështetëse shumë e madhe e Shqipërisë nëpërmjet bashkëpunimeve dhe rrugës drejt integrimit. Cila do të jetë mbështetja kryesore që Italia do t’i japë Shqipërisë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE?
Është një rrugëtim që zhvillohet në tre fusha kryesore. E para është ajo politiko-institucionale, si në nivel dypalësh ashtu edhe me Bashkimin Evropian. Ne punojmë për të gjithë grupkapitujt që ka hapur Shqipëria, duke arritur një rezultat shumë të rëndësishëm: brenda një viti janë hapur të gjitha grupkapitujt e negociatave, ashtu siç ishte premtuar.
Fusha e dytë është ajo e investimeve. Duhet të ketë investime në sektorë strategjikë. Nëse duam të rrisim edhe shpejtësinë e zhvillimit të Shqipërisë, duhet të përkushtohemi me patjetër, në sektorë ku Italia nuk ishte, duke shpresuar që nga tani e tutje të jetë gjithnjë e më shumë e pranishme.
Dhe fusha e tretë është ajo e përshtatjes progresive me standardet ndërkombëtare, edhe përmes disa reformave që janë në proces. Për shembull, është punuar dhe do të punohet për reformat e kodit penal dhe të procedurës penale, për bashkëpunimin, për projektet e binjakëzimit midis shkollave të magjistraturës. Janë shumë iniciativa që mund të mbështesin ecjen e Shqipërisë që më duket shumë e shpejtë.
-Po ashtu dhe situata gjeopolitike, ka krijuar një qasje tjetër të vendeve anëtare ndaj zgjerimit. Përtej negociatave teknike apo politike, a rrezikojnë të jenë ndoshta më problematike, duke qenë se shpesh procese si ky i integrimit, bëhen dhe ushqim i debateve të brendshme apo elektorale të vendeve anëtare?
Unë nuk besoj se duhet të shqetësohemi, duhet të merremi me çështjet. Unë dua të merrem, si gjithë ekipi i Ambasadës dhe qeveria ime, dua të merrem me Shqipërinë për të punuar së bashku për këtë objektiv ambicioz që është hyrja në Bashkimin Evropian.
Ermal, sa më cilësor të jetë negocimi teknik, sa më cilësor të jenë rezultatet e arritura, aq më i rrjedhshëm do të jetë negocimi politik. Ne për momentin jemi të angazhuar në negocimin teknik, duke ditur një gjë, që negocimi politik i Shqipërisë fillon në janar 2028, kur Italia do të jetë në krye të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian. Është një rastësi e rëndësishme.
Ndërkohë, për të bërë konkrete bashkëpunimin, kemi identifikuar tashmë disa hapa. Kemi identifikuar një event të dedikuar korridorit VIII, që do të zhvillohet në fillim të vitit 2026 në Shqipëri; një seri takimesh me miqtë e Ballkanit Perëndimor për të ndërtuar një mjedis bashkëpunimi edhe në prag të negociatave politike; një forum biznesi që do të zhvillohet brenda 4-5 muajve të parë të vitit 2026 në Shqipëri, i fokusuar në sektorët që kemi zgjedhur në G2G si strategjikë; dhe shpresojmë të kemi edhe një Samit të dytë. Urojmë dhe shpresojmë në Shqipëri, në fund të vitit 2027 për të përgatitur Agjendën 2028.
-Shqipëria shquhet për mirëpritje dhe mikpritja bëhet për të gjithë pavarësisht statusit. Në kontekstin personal çfarë do të veçonit diçka që ju pëlqen shumë në Shqipëri gjatë kësaj periudhe kohore që keni qëndruar deri më tani?
Ka momente kur nuk e kuptoj që jam jashtë shtetit. Kjo është një ndjesi e jashtëzakonshme dhe ideja që je i mirëpritur — unë, por jo vetëm unë, familja ime — ndjehemi të mirëpritur, dhe kjo është një rrethanë e shkëlqyer për të patur mundësi që të punosh mirë. Ka edhe një aspekt tjetër që më pëlqen shumë. Çdo natë, shkoj në shtëpi i lodhur, që është një fat i madh, se tmerri im është mërzia. Në Shqipëri është e pamundur të mërzitesh, kështu që jam shumë i lumtur.
Faleminderit juve.
Faleminderit Ermal, një përshëndetje për të gjithë shikuesit.
Komente











Ke kemi me shume vellezer,keta apo turqit?
Përgjigju