Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë në qershor dy ndeshjet e radhës për eliminatoret e Europianit ku nga të gjithë pritet mënyra se si do të sillet ekipi nën drejtimin e trajnerit të ri Edy Reja. Gjithsesi kjo nuk është risia e vetme në axhendë, pasi ndeshja dytë e qershorit me Moldavinë është njoftuar se do të jetë edhe takimi inaugurues i “Arenës Kombëtare”.
Punimet në impiant nuk janë ndalur në asnjë moment që kur u mor vendimi për ndërtimin e stadiumit të ri, por kur jemi 1 muaj e pak ditë larg ndeshjes me Moldavinë duket mjaft e vështirë që “Arena Kombëtare” të hapë dyert më 11 qershor.
Edhe në faqen e UEFA-s ndeshja Shqipëri-Moldavi është e vetmja që ka ende të papërcaktuar stadiumin se ku do të zhvillohet. Aktualisht në “Arenën Kombëatre” po punohet për veshjen e impiantit me hekur, ndërsa duket ende larg koha se kur do të fillojë ndërtmi i fushës, pasi në perimetrin e saj qëndrojnë akoma vinçat.
Report TV u interesua në federatën shqiptare të futbollit për të mësuar stadiumin se ku do të zhvillohet ndeshja dhe përgjigjja ishte se do të pritet ende për të parë ecurinë në “Arenën Kombëtare”. Ndërkohë drejtori i stadiumit, Bardhyl Minxhozi, në një prononcim të shkurtër nuk preferoi të japë një datë të caktuar për inaugurimin e tij, por deklaroi se po punohet intensivisht dhe gjithçka do të varet nga ndërtuesi.