Më shumë se pesë dekada pas Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, debati mbi të ardhmen e gjuhës shqipe është sërish në vëmendje. Zhvillimet teknologjike, komunikimi në media dhe ndryshimet e vazhdueshme në përdorimin e gjuhës kanë sjellë sfida të reja, që sipas studiuesve kërkojnë vlerësim dhe trajtim shkencor.
Mes zërave që kërkojnë reflektim për zhvillimet e shqipes është edhe gjuhëtari dhe albanologu Bardhyl Demiraj, i cili për 25 vite ka drejtuar katedrën e Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut.
“Drejtshkrimi i gjuhës shqipe ka nevojë që në një mënyrë apo në një tjetër të rifreskohet si i tillë duke u pajisur me rregulla të reja. Kongresi i drejtshkrimit i përket vitit 1972, ndërkohë që ne jemi në vitin 2026 dhe nuk është se gjuha shqipe ka ndenjur në vend në këtë periudhë.”, shprehet Demiraj për “Report TV”, ndërsa shpjegon se përshembull, gjuha e shkruar nga ajo e folur ka shumë dallim.
“Mund të përmend vetëm që ne kemi kemi rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, por nuk kemi rregullat e drejtshqiptimit të saj. Pra, këto probleme i ka edhe shqipja, sidomos shqipja e sotme, që duhet në një mënyrë apo në një tjetër të trajtohen, të shqyrtohen, të arrihen në disa përfundime, që t'i japin në njëfarë mënyre dhe njëfarë rruge, rrugëzgjidhjeje, edhe mënyrës së komunikimit.”, vijon ai.
Sipas Demirajt, nuk bëhet fjalë për të rrëzuar standardin e shqipes, por për ta përshtatur atë me realitetin e ri gjuhësor. Ai sjell si shembull përvojën gjermane, ku reforma të drejtshkrimit dhe përditësime të vazhdueshme kanë shoqëruar zhvillimin e gjuhës.
“Unë jetoj prej 36 viteve larg Shqipërisë. Ndërkohë në Gjermani ose në hapësirën gjermanishtfolëse janë bërë disa reforma, reforma e drejtshkrimit për shembull. Po ashtu fjalorë të rinj dalin, hyjnë dhe gjithmonë ka kritika. Domethënë ka përplasje midis rretheve të ndryshme intelektuale, prirjeve që ka edhe një person në vetvete, derisa në një farë mënyre me kalimin e kohës këto fillojnë dhe rrafshohen.”, thotë albanologu.
Demiraj shpjegon se në kohën tonë drejtshkrimi i ri i gjermanishtes pranohet gjithkund, por nuk ka qenë e njëjta gjë 20 vite më parë.
“Në njëfarë mënyre ka marrë dhe një lloj forme legjislative që çdo institucion, qoftë edhe privat, çdo gazetë, revistë duhet të shkruajë në drejtshkrimin e ri, që ka gati 20 vjet që është bërë. Tani ka hyrë si të thuash në atë hulli që janë bërë dhe përmirësime të vazhdueshme, por deri në vitin 2006 ishte e ndarë kultura, rrethet intelektuale në Gjermani apo në Austri.”, vijon ai.
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, për Demirajn përfaqëson një nga arritjet më të rëndësishme të leksikografisë shqiptare.
“Për mendimin tim ky fjalor është një arritje e madhe e leksikologjisë shqiptare. Nuk është pak të shkruash një fjalor të madh të gjuhës shqipe. Për këtë fjalor me siguri është shfrytëzuar kartoteka e leksikut për të cilën është punuar mbi 30 vjet. Pastaj është shqipja e lëvruar në këta 36 vjet, që në një mënyrë apo në një tjetër është pasuruar tej mase. Janë fusha të tëra, jo vetëm të kulturës: fusha e kompjuterit për shembull, që është krejt e re. Të gjitha duhet të gjenin vend në këtë fjalor.”, shprehet gjuhëtari.
Megjithatë, ashtu si çdo vepër e rëndësishme shkencore, edhe Fjalori i Madh ka nxitur diskutime dhe kritika.
Sipas studiuesit, kjo është një dukuri normale dhe e dobishme për zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës.
Ndërsa shqipja përballet me sfidat e kohës digjitale dhe komunikimit global, ekspertët vlerësojnë se nevojitet një debat i gjerë profesional për të ardhmen e saj. Një debat që për shumë studiues mund të kulmojë me një kongres të ri të gjuhës shqipe, i cili do të reflektonte mbi zhvillimet e pesëdhjetë viteve të fundit dhe do të përcaktonte drejtimet e së ardhmes.
Pesëdhjetë e katër vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit, pyetja mbetet e hapur: a ka ardhur koha që shqipja të ketë një kongres të ri, në përputhje me sfidat dhe realitetet e shekullit XXI?
Komente









