Shqipja pasurohet me fjalorin
e arbëreshëve të Zarës

Shqipja pasurohet me fjalorin<br />e arbëreshëve të Zarës
TIRANE - Tentativat e shumta për të dalë në dritë një fjalor i arbëreshëve të Zarës ka kërkuar shumë mund dhe sakrifica. Ka qenë kontributi i Unionit mbarëshqiptar “Vëllazërimi ynë” me seli në Tetovë që mundësoi daljen në dritë të fjalorit arbërisht-shqip-kroatisht, me titull “Fjalori i të folmes së sotme të arbëreshëve të Zarës”, i autorit Dr. Kruno Krstiq.

Janë dashur plot 50 vjet punë nga autori për ta hartuar fjalorin e të folmes së arbëreshëve të Zarës, gjuha e ruajtur 300 vjet. Fjalori ka afër 320 faqe dhe përmban një mori të madhe fjalësh, fjalish dhe shprehjesh të së folmes së arbëreshëve të Zarës, duke ruajtur edhe origjinalitetin burimor të fjalës shqipe.

Arbëreshët e Zarës prej tre shekujsh janë ndarë nga trungu shqiptar dhe jetojnë të izoluar në shtetin kroat, por megjithatë ata kanë ruajtur me sa kanë mundur gjuhën, zakonet, traditat, këngët e gjithçka shqiptare. Mbledhësi i fjalorit është Dr. Kruno Krstiqi, dijetari dhe filozofi i madh arbëresh, i cili punoi për më shumë se gjysmë shekulli, fjalë për fjalë për këtë pasuri leksikore që e kanë sjellë arbëreshët nga vendlindja e tyre, nga Shqipëria e Veriut.

Ai ka shpëtuar falë këtij fjalori një material me vlera tejet të çmuara shkencore për fushën e albanologjisë që dalëngadalë po shuhet dhe po zhduket në trevat ku ata banojnë. Albanologu dhe arkeologu arbëresh, akademik prof.Dr.Aleksandër Stipçeviq ka shkruar në parathënie të fjalorit se: “Vlera e këtij libri është në atë se aty është përmbledhur materiali i një dialekti shqiptar që ka ruajtur shumë fjalë të vjetra dhe forma gramatikore, që ndërkohë janë zhdukur edhe në vetë gjuhën shqipe, që flitet në Shqipëri.

Në veçanti është e rëndësishme ajo që Dr. Kruno Krstiqi, ka mundur në kohën e vet të mbledhë fjalë që në ndërkohë janë harruar edhe në vetë Arbëreshin, sepse, për fat të keq, e folmja e arbëreshëve në Arbëresh, po zhduket në mënyrë rapide. Është më se e besueshme, se për nja pesëdhjetë vjet, do të jenë të rrallë ata që do ta flasin këtë gjuhë”.

Fjalori është shoqëruar edhe me “përkthimin” në gjuhën letrare shqipe nga Mehmet Latifi, gjurmues i pasionuar i trashëgimisë e leksikut kombëtar, i cili ka qenë edhe redaktor i fjalorit të shqipëruar. Vlerë e këtij fjalori është se shqipes i shtohen shumw fjalë të rralla nga banorët Arbnesh të Zarës, siç e quajnë ata veten.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë