Shqiponja, bezdia e përdorjes

Shqiponja, bezdia e përdorjes

Foto ilustruese

Nuk është habi që, pas pak dekadash, po vazhduam me këtë ritëm, shqiponjën ta kemi vetëm në flamur apo të tatuazhuar te trupat e të fortëve, hashashpronarëve me qafat mbushur me gjerdanë ari…

Anipse, simbolika që sollën tifozët kuqezi me bashkimin e gishtërinjve duke krijuar imazhin e shqiponjës ka qenë nga gjetjet më të arritura në historinë tonë urbane. I ka dhënë jetë shpesh shfryrjes së gëzimit së sportistëve, individëve dhe sportdashësve.

Sot, me këtë shenjë identifikohet Shqipëria, Kosova dhe patriotizmi i tyre; nacionalizmi i shumë individëve, që duan të tregojnë valencën e tyre shqiptare; por edhe forca e “të fortëve”.

Shqiponja e tatuazhuar është masivisht në botën tonë të krimit dhe me të individë dhe grupe tregojnë individualitetin dhe forcën “e veçantë” të racës shqiptare. Për fat, ka edhe gjetje të tjera.

Kohët e fundit, shtëpia e modës “Luis Vuitton” po nxjerr në treg një çantë të personalizuar me flamurin shqiptar, e cila kushton plot 9.900 dollarë. Mban firmën e stilistit Jonathan Riss dhe përdor një lloj qëndisje unike në pëlhura tejet luksoze.

Shqiponja mijëra euroshe s’është e pikturuar por është e qëndisur deri në detajet më miniatureske në materialin e çantës dhe kjo justifikon edhe peshën e çmimit të një gjetje të tillë. Më shumë se një shekull më parë, Eqerem Bej Vlora rrëfen sesi e identifikonim ne shqiponjën, si edhe variantin e tij të flamurit me shqiponjë, që po e risjellim prej kujtimeve të tij: “E pra, më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesin tipike shqiptaro-lindore ishte harruar.

Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im, Hydai efendiu, dhe thotë se:

“Në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur”. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti? Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur Don Aleandro Kastrioti më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte në dritare.

Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopsht, duke brohoritur “rroftë, rroftë”, edhe pse shumë prej tyre nuk e kuptonin edhe aq se ç’po bëhej. Më vonë kur unë në ditët festive të shpalljes së pavarësisë si shtet i lirë dhe i pavarur, ngrita flamurin shqiptar në ballin e shtëpisë sonë, disa kosovarë të mirë më thanë:

“Shumë mirë e bëtë ju të diturit që ngritët flamurin e babë Kralit (pra, të perandorit Franc Jozef) se tani nuk ka më se ç’të na bëjë as serbi i poshtër, as malazezi morracak. Kur pyeta se ku e kan parë shqiponjën e zezë m’u përgjigjën krenarisht:

“Tek ushtarët e babë Kralit, në Pazarin e Ri”. Por, natyrisht, pati edhe të tillë si një farë Haxhi Muhamet efendiu, një klerik i rëndësishëm e fanatik në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej me zemërim se Ismail beu kishte zgjedhur një korb si simbol të Shqipërisë së lirë….”. … I ndjeri Klement Koloneci, arkitekti kryesor i së ashtuquajturës “Piramidë” në Tiranë i është dashur kohë, mundim dhe përpjekje pas ‘90 t’u mbushte mendjen shumë njerëzve, që ngrehina e cila do të shërbente si Mauzoleu ose muzeu i Enver Hoxhës nuk ishte asfare në formën e piramidës, por ishte mirëfilli në formën e shqiponjës. Afronte si këshillë që ta këqyrnin në pamje areale dhe sërish nuk ia doli.

Emri piramidë i shkonte më shumë sesa shqiponjë!!! Një paradoks, kur kujton sensin tonë për t’u identifikuar me shqiponjën. Dhe, zbresim në realitetin e faunës sonë. Shqiponja, simboli kombëtar i Shqipërisë, ka të ngjarë në fakt të mbetet vetëm mjet tatuazhi, sepse sot ekspertët, që deri në fillim të viteve ‘90 numëronin rreth 100 apo 200 çifte të shqiponjave të arta, sot llogarisin nga 25 deri 65 syresh.

Një nga specialistët e njohur të kësaj fushe, artikulonte se shqiponja e artë është drejt zhdukjes, ndonëse në nivel global ky lloj shpendi (pra, shqiponja e artë nuk është në zhdukje). Paradoksi ishte se shqiptarët jo vetëm nuk kujdesen për mbarështimin e tij, por më keq akoma, pak vite më parë, e ekzekutonin dhe madje e shisnin pastaj kundrejt 70 mijë apo 100 mijë lekë të vjetra. Kjo konfirmohet në një shkrim që bëri pak vite më parë AFP-ja.

Nuk ka asnjë mëdyshje se shqiponja e zezë i jep shumë solemnitet Flamurit shqiptar, që jo vetëm na shpreh identitetin, por na ka mbajtur në rezistencën tonë. Ndërsa këtej kufirit, e modifikuam me një yll të internacionales komuniste pas Luftës së Dytë Botërore, për Kosovën ishte një sfidë e madhe dhe përpjekje titanike për ta mbajtur. Për fat mbijetoi në oda dhe sidomos në dasma, kur nusja merrej nga karvani i dasmorëve që u printe me një solemnitet të madh flamuri me shqiponjën e zezë.

Në vitin 1968, pas protestave në Kosovë, autoritetet jugosllave u lanë edhe më shumë hapësirë për flamurin. Kjo do ta bënte, ideologun e madh të shovinizmit sllav, Dobrica Qosiq, të deklaronte se: “Po ua lejuam flamurin, ata pastaj do të kërkonin edhe republikën, shtetin, dhe madje bashkim me Shqipërinë”. Nuk ndodhi vetëm bashkimi me Shqipërinë.

Flamuri vërtetë u lejua, por në vitet ‘80 të shekullit të shkuar, sllavët u munduan që ta modifikonin në mënyrë të mos dallohej nga flamuri kombëtar që përdorej në Shqipëri. Një gjë e atillë u arrit deri-diku, duke imponuar një yll të madh majtas, pra, pak para shqiponjës. Paradoksalisht, Kosova e fitoi pavarësinë, por tashmë nuk e ka flamurin me shqiponjë, për të cilin u sakrifikuan breza dhe ku luftëtarë të shumtë gjetën motivin e tyre të luftës.

Në vend të tij ka një flamur, që megjithë simbolikën shumë demokratike, ngjan si flamur olimpik. Dhe, në një përmbledhje të së gjithës: në Shqipëri, si simbol pushteti, shqiponjën e kanë përdorur familjet mesjetare princërore shqiptare: Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Gjurashët, po ashtu edhe Çernojeviçët e Malit të Zi, me të cilët ishte e lidhur nga e motra familja e Skënderbeut.

Shqiponja, si simbol i pushtetit të tyre, na dëshmon se këto familje kishin arritur të kishin tagër gjatë Perandorisë Bizantine. * * * Por ideja jonë për këtë shkrim ishte gjetkë. Ky simbol i madh përbashkimi, që na ka mbajtur gjallë, që na ka motivuar, duhet të mos e përdorim shëmtuar. Dhe, këtë e shikon në mënyrën e keq si shpaloset mbi institucionet tona, që hera-herës mezi e ndërrojnë. Por më shumë se kaq të tatuazhuar frikshëm në zemrat, shpinat, qafat e ngjallura të njerëzve të krimit, fytyrat e të cilëve janë aq familjarë për kronikën e zezë në Evropë e ngado.

Shqiponja e këtillë nuk është shqiponja e identitetit që mban shqiptarët, por ajo e një identiteti e cila na identifikon me një komunitet ende me shumë probleme në civilizim. Dikur, shqiptarët identifikoheshin me shqiponjën, që përbënte një shenjë etniko-historike të bashkimit shtetëror e politik të kombit shqiptar.

Sot, ajo realisht, po nëpërkëmbet nga zyrtarët e pagdhëndur, që nën stemën me shqiponjë të dokumentave zyrtare e masakrojnë shtetin duke i përvetësuar para dhe favore; të fortët që e përdorin si simbol të fuqisë së botës së krimit shqiptar; e dëmtimit të faunës, që shqiptarët me masat e tyre po ia ulin shumë ekzistencën, shqiponjës reale. Ndaj, mjaft e shfrytëzuam shqiponjën. Ajo është ashtu e bukur, ashtu si është sublime, prej atyre që e ideuan në simbolikën tonë shtetërore, apo nga ata të cilët dhanë jetën duke mos e përdorur, por duke i dhënë jetë nga shpirti i tyre. (Homo Albanicus)

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun