'Shqiponjat fluturojnë me Migjenin' drejt Pragës, Kombëtarja mbërrin në Çeki! Qazim Laçi s'ia del (VIDEO)
Kombëtarja shqiptare e futbollit dhe stafi kuqezi kanë mbërritur këtë të mërkurë në Pragë, aty ku nesër në 20:45 do zhvillohet ndeshja kundër Çekisë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024.
Futbollistët e Kombëtares
Redaksia 6 Shtator 2023, 15:46 | Përditesimi: 6 Shtator 2023, 15:51
Kombëtarja shqiptare e futbollit dhe stafi kuqezi kanë mbërritur këtë të mërkurë në Pragë, aty ku nesër në 20:45 do zhvillohet ndeshja kundër Çekisë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024. Të nisur mëngjesin e sotëm nga "Nënë Tereza", kuqezinjtë kanë fluturuar me "Migjenin" dhe duken gati për përballjen e radhës.
Trajnerin Sylvinho e shqetëson gjendja e Qazim Laçit, që do jetë mungesë e madhe për tanët në mesin e fushës, kjo për shkak të gjendjes gripale që po kalon "luftëtari". Lojtari ka qëndruar në Shqipëri dhe stafi teknik shpreson ta ketë në dispozicion për ndeshjen e dytë ndaj Polonisë, që luhet më 10 shtator. Pjesa tjetër e grupit është e plotë dhe të gjithë gëzojnë formë të mirë.
Pas ndeshjes me Çekinë, tanët i pret përballja e radhës po për grupin E të Euro 2024 kundër Polonisë, të diel në "Air Albania" në orën 20:45, me stadiumin në Tiranë që do jetë i mbushur në kapacitetin maksimal.
Për grupin E kualifikues, Çekia me shtatë pikë mban vendin e parë pas tre ndeshjeve, ndjekur nga Shqipëria me gjashtë pikë dhe Moldavia me pesë pikë (një ndeshje më shumë). Polonia mban vendin e katërt me tre pikë dhe Ishujt Faroe në fund me një pikë.