Shqiptarët dhe autoritetet austro-
hungareze përgjatë vitit 1916

Shqiptarët dhe autoritetet austro-<br />hungareze përgjatë vitit 1916<br>
Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kumti publik ligjërues i intelektualëve shqiptarëve e ravijëzoi perceptimin për Perandorinë Dualiste Austro-Hungareze, përmes një marrëdhënieje të njësuar, thuajse unikemonoiste që merrte shkas nga qëndrimi pozitiv i diplomacisë austro-hungareze karshi çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) dhe më herët, prej mbështetjes që ajo kishte dhënë veçanërisht për emancipimin kulturor dhe arsimor të shqiptarëve, si edhe Shpalljen e Pavarësisë.

Qëndrimi mbështetës karshi shqiptarëve dhe çështjes së tyre kombëtare bënte që cilësimet pozitive me doza patetike për Perandorinë Habsburgase, si “mirëbërësja”, “krijuesja” dhe “mbrojtësja”, të ishin mbizotëruese në ligjërim, pa u sfiduar nga asnjë natyrë tjetër perceptimi.

Kështu, në shkrimin “Fuqiët mirëbamëse dhe mirënjohja e kombit Shqiptar” botuar në gazetën Përlindja e Shqipëniës, organ zyrtar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, evidentohej roli i madh që Austro-Hungaria dhe Italia kishin luajtur në mbrojtje të çështjes shqiptare. Ato konsideroheshin “mirëbamëset e Shqipëriës”, që kishin arritur t`i prisnin “hovin thëthitës fqinjëve Ballkanikë”. Kjo natyrë perceptimi vishej me diskurs mirënjohjeje dhe dashurie të pakusht, ndaj Austro-Hungarisë, mirënjohje të cilën “nuk do t’a harroi kurrkush dhe është shkruar në zemër të sikuitdo Shqiptari, me shkrolla ngjyrë tipografike [nënkupto: me ngjyrë të artë]”.

Në shkrimin “Na dhe Fuqiët e mëdha”, politika e Austro-Hungarisë, e cila sërish trajtohet një qasje en-block me atë të Italisë, vendoset në plan krahasues me qëndrimin e Fuqive të tjera të Mëdha, për të bërë më shumë efekt tek opinioni publik. Dozat e mirënjohjes janë evidente, madje Austro-Hungaria dhe Italia konsiderohen krijuesit e Shqipërisë. Por në dallim nga shkrimet e tjera, vihet re një trajtim racional dhe analitik, ku dozat patetike ia lënë vendin arsyes dhe analizës. Ishin parimet apo interesat ato që e drejtonin Austro-Hungarinë të ndiqte një politikë të tillë ndaj shqiptarëve?

Ishte kjo pyetja që ngrihej nga artikullshkruesi. Pavarësisht se përgjigjja nuk jepej e prerë, ajo nënkuptohej me fjalinë: “S’duhet ta shohim si një sharje mendimin se janë interesat ato që përcaktojnë politikën dhe për këtë shqiptarët duhej të gëzohen”, sepse “ka ma shumë vleftë ndihma”. “Kur interesat e Shqipëriës qenkan paras, në një rrugë me interesat e dy Fuqiëve të Mëdha, kjo domethanë se do të mos munt të shkelen aq lehtë, kur-do edhe prej cilit-do”.

Në vijim Austro-Hungaria konsiderohet “mbrojtësja” në kohëra të vështira, së cilës shqiptarët i detyronin gjithë qenien e tyre. “Një popull i tërë prej qindramijëshm i cili ësht gjykuar nga dora despotike e armikut në heshtje”, vihej në dukje në apelin e Stavrë Karolit dërguar kontit Berchtold, “thëret... ndihmën bujare dhe filanthropiën (njëridashjen) të Monarhiës, së cilës i detyron gjith qënjen e tij”. Apeli mbyllej me doza optimizmi ashtu sikurse shqiptarët shpresonin “në shpresë të patunduarë, për mbrojtjen e sigurtë të Monarhiës”.

Kjo natyrë perceptimi me tone të njësuara dhe qartazi pozitive, bënte që  pritshmëritë e shqiptarëve karshi politikës habsburgase, edhe në kuadrin e Luftës së Parë Botërore të ishin të larta.

Hyrja pa luftë e detashmenteve austro-hungareze dhe pritja miqësore që i bëri popullsia shqiptare jo vetëm në Shkodër, por edhe në Elbasan, Tiranë e Berat, shprehte qartë perceptimin pozitiv dhe pritshmëritë e larta që shqiptarët kishin për Austro-Hungarinë. Cilësimeve pozitive të përdorura më herët në ligjërimin publik, tashmë iu shtua edhe një tjetër i radhës: Perandoria Dualiste ishte çlirimtarja e tyre nga pushtuesit serbë, ushtarët e së cilës “po derdhin gjakun për shpëtimin e liriën t’onë, tue u bamun gati me u shërbye besnikisht mbas fuqiës t’onë e mbas urdhënavet qi do të marrim”.

Pritshmëritë e larta të vendasve i përligji edhe thirrja e komandantit austro-hungarez Thurn, bërë në Shkodër, më 5 shkurt 1916. “Trupat austro-hungareze, theksohej aty, e kapërcyen kufirin e Shqipërisë, jo si armiqtë që prej shumë vjetësh shtypin vendin tuaj, jo si ata që ju kanë rrezikuar pasurinë tuaj, por si miq”.

Por, shpejt, politika e ndjekur në terren reflektoi përplasjen mes dy institucioneve më të rëndësishme austro-hungareze, të Shtatmadhorisë së Ushtrisë dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme në lidhje me statusin që do të kishte Shqipëria dhe trajtimin që do të duhej të merrnin shqiptarët në kuadrin e Luftës së Parë Botërore. A duhej konsideruar Shqipëria një vend i pushtuar që duhej aneksuar dhe shqiptarët të trajtoheshin me ashpërsi dhe brutalitet të veçantë sepse ishin kundërshtarë, mosbesues dhe të pabindur, sikurse pretendonin autoritetet e larta ushtarake austro-hungareze?

Apo, Shqipëria meritonte një tjetër trajtim, më miqësor dhe paqësor, sepse ishte një vend neutral, thuajse aleat, me një shumicë të popullsisë të lidhur besnikërisht me Austro-Hungarinë ndaj së cilës ata duhej të ishin në marrëdhënie protektorati, sikurse mendonin diplomatët vjenezë, gjithmonë në dobi të sigurimit dhe zgjerimit të influencës politike, ekonomike e kulturore austro-hungareze mbi vendin e vogël kufitar, në brigjet e Adriatikut?

Përsa kohë që midis Ministrisë së Luftës dhe asaj të Punëve të Jashtme mungonte një akord mirëkuptimi në lidhje me Shqipërinë dhe violinë e parë në administrimin e territoreve në kushte lufte, ishin autoritetet ushtarake, politika e ndjekur në terren shpërfaqi tiparet e linjës së ashpër.

Ndjekja e një politike të tillë bëri që realiteti i cili i shoqëroi shqiptarët, të paktën përgjatë gjysmës së parë të vitit 1916, të mos ishte në të njëjtën kahje dhe në përpjesëtim të drejtë me pritshmëritë e tyre. Në letrën që imzot Bumçi, ipeshkëv i Lezhës, i dërgoi përfaqësuesit civil austro-hungarez pranë komandës së ushtrisë, konsullit August Kral, më 19 prill 1916, evidentonte zhgënjimin që vihej re në radhët e popullsisë prej politikës së ndjekur në terren nga autoritetet ushtarake austro-hungareze. “Jo rrallë herë, shprehej ai, na ka takuar të dëgjojmë në radhët e popullsisë thënie të tilla: Kjo është Austria që na keni folur kaq tepër? Ju siguroj zoti konsull, vijonte i keqardhur Bumçi, se gjithë simpatia e popullit për qeverinë e shkëlqyer austro-hungareze është shndërruar në antipati, për të mos thënë në urrejtje, sepse tjetër qe ideja që ishte formuar mbi Austro-Hungarinë, e tjetër realiteti që po i shoqëron”.

Shpërthimi i një ndjenjeje zemërimi e pakënaqësie, por edhe zhgënjimi të shqiptarëve karshi politikës që po ndiqej ndaj tyre, ishte tanimë evident. Përgjatë gjysmës së parë të vitit 1916, pakënaqësia preku shtresa dhe kategori të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Politika e ndjekur nga administrata ushtarake dhe moskuptimi nga ana e saj i marrëdhënieve të Ministrisë së Punëve të Jashtme austro-hungareze me shqiptarët solli shtrëngesa të vazhdueshme dhe shpeshherë të pamëshirshme, edhe pse në kushte lufte.

Të tilla ishin rekuizimet e kafshëve bartëse dhe të parmendës veçanërisht në zonat malore, detyrimi i popullsisë për të paguar me monedha floriri blerjen e drithit dhe të produkteve ushqimore, dëmtimi i interesave të tregtarëve në rastet e blerjes nga ushtria të produkteve të ndryshme të vendit, ndalimi i eksportit privat të këtyre të fundit, zbatimi i një varg masash të ashpra me rastin e rekrutimit të detyrueshëm dhe trajtimit ushtarak të shqiptarëve, pa anashkaluar edhe qëndrimin aspak miqësor që administrata ushtarake mbajti ndaj ankimeve të popullsisë, të cilat sipas komandës së Korpusit të 19-të që në mars të 1916-ës, kishin marrë formën e një lumi që vazhdimisht vinte duke u fryrë.

Vetëm disa muaj pas pushtimit, situata në terren ishte bërë aq shqetësuese sa zyra e komandës ushtarake në Elbasan arrinte në përfundimin se “nëse në kohën e okupimit popullsia kishte shpresa të mëdha tek regjimi ynë, ndaj të cilit priste gjëra krejt të ndryshme nga ato të qeverive ballkanike, tani ajo shprehet e zhgënjyer. Administrata jonë cilësohet si e keqe, madje po fillon të përhapet parulla se ajo është edhe më e keqe se ajo e Turqisë”.

Mungesa e konsideratës së autoriteteve ushtarake austro-hungareze për veçoritë nacionale dhe fetare të vendasve, ishte një tjetër aspekt i dhunës formale që solli rritjen e zemëratës së shqiptarëve. Në relacionet që vinin nga terreni raportoheshin vazhdimisht rastet, ku oficerët me kombësi sllave tentonin t’u përdhosnin shqiptarëve zakonet dhe veçoritë kombëtare. Në këtë drejtim vëmë në dukje edhe masat që u morën në Shkodër për strehimin e ushtarëve austro-hungarezë në shtëpitë e shqiptarëve myslimanë, çka preku ndjenjat e tyre në lidhje me pozitën e gruas.

Edhe procesi i çarmatimit, aq shumë i domosdoshëm, dështoi në momentin kur u shndërrua në një proces të dhunshëm. Çarmatimi i përgjithshëm i popullsisë u urdhërua në prill 1916 dhe, në zbatim të tij, filloi menjëherë kontrolli për armë. Ata që kishin armë të fshehura dhe nuk respektonin afatet e dorëzimit, gjobiteshin, arrestoheshin ose internoheshin. Ndonëse personalitete me emër, siç ishte rasti i Syrja Vlorës, këshillonin për kryerjen e çarmatimeve me takt të madh, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat lokale, procesi nuk rezultoi aspak i tillë. Pa marrë parasysh marrëdhëniet shekullore të shqiptarëve me armën, pa mundur të depërtonin në psikologjinë e popullsisë, duke i lënë vendasit pas dore dhe krijuar reparte të xhandarmërisë vetëm me ushtarë austriakë e hungarezë, autoritetet ushtarake përvijuan çarmatime të përgjakshme kryesisht në viset veriore. Veçohet aksioni i qershor-korrikut të 1916-ës në Lurë, ku megjithëse u vranë të paktën 44 persona u mblodhën vetëm 300 armë.

Shenja të pakënaqësisë u manifestuan edhe në rrethet nacionaliste shqiptare. Këto rrethe shpreheshin të pakënaqura me deklaratat jo oportune të oficerëve austro-hungarezë për ndarjen e Shqipërisë dhe bashkimin e viseve veriore me Monarkinë. “Detyra kryesore e ushtrisë austro-hungareze, shprehej Syrja Vlora në memorandumin drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, më 22 shkurt të 1916-ës, duhet të jetë, të evitojë që ndër bashkëpatriotët e mi të ngjallet dyshimi se krijimi i një Shqipërie nacionale, aq shumë të dëshiruar prej tyre është në rrezik”. Shenja pakënaqësie u shfaqën edhe në pranverë të 1916-ës, kur autoritetet ushtarake austro-hungareze në bashkëpunim me ato bullgare, penguan mbajtjen e një kongresi kombëtar në Elbasan, duke përdorur si shkak rrezikun e përhapjes së epidemisë së kolerës.

Por rritja e pakënaqësisë dhe e zemërimit të shqiptarëve nuk ishte e vetmja rrjedhojë e politikës së ndjekur nga kryekomanda e ushtrisë ndaj shqiptarëve. Lulëzimi i propagandës kundër Austro-Hungarisë si brenda Bllokut Tripalësh ashtu dhe jashtë tij, ishte rrjedhoja e dytë.

Situata shqetësuese në terren do ta detyronte ministrin e Punëve të Jashtme, kontin Burian të rriste presionin pranë autoriteteve ushtarake dhe t’i akuzonte ato se po hidhnin poshtë punën me dekada, bërë nga administratat konsullore austro-hungareze në viset shqiptare. Këtë punë, që zyrtarisht kishte konsistuar në veprimtarinë humaniste, përmirësimin e nivelit të arsimit dhe përhapjen e zhvillimit kombëtar ndër shqiptarë, konti Burian e konsideronte një fitore të gëzueshme të shërbimit të jashtëm, të caktuar për krijimin e një kapitali të çmuar për të ardhmen, por që “sot, shprehej ai - pjesërisht ka humbur dhe sipas njoftimeve është në rrezik që të zhduket fare”.

Në një situatë të tillë, përgjatë verës së 1916-ës u shfaqën shenja mirëkuptimi midis ushtarakëve dhe diplomatëve në terren dhe u morën një varg masash që në thelb kishin uljen e pakënaqësisë dhe rifitimin e simpatisë së shqiptarëve. U synua evitimi i shtrëngesave të panevojshme, kryesisht ekonomike dhe ushtarake karshi shqiptarëve. Ditët e fundit të korrikut, komandanti i Përgjithshëm i Korpusit të 19-të, koloneli Lustig, i konsideruar prej përfaqësuesit civil austro-hungarez, konsullit Kral si përgjegjës për politikën e ashpër karshi shqiptarëve, u transferua në frontin e Karintinisë dhe vendin e tij e zuri nënkoloneli Shatëll.

Masa e dytë kishte të bënte me zbatimin në Shqipëri të politikës së autonomisë kulturale-kombëtare që ndiqej kundrejt popujve të tjerë të Perandorisë Dualiste. Në këtë aspekt u vendos ushtrimi i kompetencave të komisarit civil të vendit pranë Komandës së Korpusit të 19. Kralit iu la dorë më e lirë në organizimin e administratës së përgjithshme, në fushën e financës, të drejtësisë dhe të arsimit. Vendimtare në këtë drejtim ishte kompetenca që iu akordua atij në emërimin e personelit të zyrave shqiptare, pavarësisht se të gjitha këto lëvizje do të duhej të merrnin miratimin e komandës ushtarake austro-hungareze.

Sipas skicës së përgatitur prej konsullit Kral, për mënyrën se si duhej të administroheshin territoret shqiptare, ndër 5 pikësynimet e administratës austro-hungareze në Shqipëri, dy prej tyre kishin të bënin me ngritjen kulturore të vendit dhe të popullsisë dhe me edukimin e shqiptarëve me vetëdije nacionale unike, për t’i bërë të aftë për vetëqeverimin e ardhshëm të vendit të tyre. Për realizimin e këtyre pikësynimeve, një rol vendimtar konsiderohej të kishte aspekti arsimor dhe pikërisht, kultivimi sa më mirë i gjuhës së vendit, përjashtimi i gjuhëve të huaja, sidomos i italishtes, evitimi i tentativave sllavizuese për gjuhën shqipe dhe shkollimi i të rinjve shqiptarë në shkollat dhe universitetet austro-hungareze. Në zbatim të kësaj politike, në gusht të 1916-ës filloi rindërtimi i sistemit arsimor shqiptar nga ana e administratës ushtarake austro-hungareze.

Ndërsa në Shqipëri, si rrjedhojë e masave të marra vërehej një zbutje e pakënaqësisë së shqiptarëve, diplomacia dhe ushtria të lodhur nga mosmarrëveshjet ranë dakord për t’u ulur në bisedime për të unifikuar qëndrimin karshi politikës që duhej të ndiqej në Shqipëri. Bisedimet, që u zhvilluan në Teshen, në selinë e Komandës së Përgjithshme, përfunduan më 9 dhjetor 1916 dhe prodhuan një kompromis midis dy qëndrimeve tashmë të njohura të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ushtrisë. Burian-i pranoi që autoriteti kryesor për të zbatuar politikën e Vjenës në kohën e luftës në Shqipëri do të ishte Komanda e Korpusit të 19-të të ushtrisë perandorake me seli në qytetin e Shkodrës.

Komanda e Përgjithshme pranoi pikëpamjen e Ballhausplatz -it për ndërtimin në të ardhmen, në një kohë të pacaktuar një shtet shqiptar të pavarur nën protektoratin efektiv të Austro-Hungarisë, përmes një procesi edukimi të shqiptarëve hap pas hapi nga administrata ushtarake. Në vazhdim të një procesi konsultimi që zgjati rreth një muaj, u vendos që përmes një shpalljeje Komanda e Korpusit të 19-të t’u drejtohej shqiptarëve më 23 janar 1917, ditën e përvjetorit të hyrjes së trupave austro-hungarezë në Shqipëri për t’u bërë të njohur synimet e politikës habsburgase.

Kompromisi mes ushtarakëve dhe diplomatëve qëndroi në këmbë deri në fund të vitit 1917, kohë kur Komanda e Korpusit të 19-të në Shkodër doli me propozimin për vendosjen në Shqipëri të një qeverie të përgjithshme ushtarake, siç ishte bërë edhe në Serbi. Ministria e Punëve të Jashtme, ashtu sikurse kishte ndodhur edhe më parë, i qëndroi konsekuente pikëpamjes së saj se Shqipëria ishte një vend neutral, thuajse aleat, me një shumicë të madhe të popullsisë të lidhur besnikërisht me Austro-Hungarinë. Si e tillë, ajo meritonte të ishte autonome nën protektoratin efektiv të Monarkisë.

Ndonëse kundërshtoi disa herë opinionet e ushtarakëve që këmbëngulnin se shqiptarët duhej të trajtoheshin më ashpër sepse ishin mosbesues, kundërshtarë e të pabindur, dhe propozimet e komandës së Korpusit të 19 në Shkodër për të vendosur në Shqipëri një regjim të hapur pushtimi, në shtator 1918, Ballhausplatz-i e ndjeu se fundi i luftës ishte i afërt dhe po kështu edhe fati i Perandorisë. Në këto kushte, ai iu nënshtrua Ministrisë së Luftës, duke pranuar se forma e protektoratit mbi Shqipërinë që kishte predikuar prej disa vjetësh do të varej ekskluzivisht prej përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe zhvillimit të bisedimeve të paqes.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Itali, shqiptari qëllohet për vdekje me thikë nga bashkëatdhetari i tij

E rëndë në Itali, shqiptari qëllohet për vdekje me thikë nga bashkëatdhetari i tij