Besimi në ekonomi po rritet nga muaji në muaj, duke dëshmuar se ekonomia e vendit po jep rezultatet e para të rimëkëmbjes. Për herë të parë që nga nisja e pandemisë COVID-19, sipas Bankës së Shqipërisë besimi është mbi mesataren historike dhe në maj ky tregues u rrit me 3.3% krahasuar me prillin e po këtij viti.
Jo vetëm bizneset të cilat kanë dhënë sinjale pozitive për gjendjen financiare, punësimin dhe prodhimin, por edhe konsumatorët vlerësojnë se situata e tyre ekonomike është përmirësuar për herë të parë prej nisjes së pandemisë, edhe pse besimi vijon të qëndrojë poshtë nivelit të 2019.
“Besimi konsumator u rrit në muajin maj me +2.6%, i ndikuar nga përmirësimi në të katër pyetjet përbërëse: pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike, pritjet për situatën e tyre financiare në të ardhmen, vlerësimin për blerjet në shuma të mëdha, si dhe pritjet për blerja”, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.
![]()
Dukuri pozitive është fakti se konsumatorët po largohen nga kursimi që ka arritur në shifra rekord krahasuar me para pandemisë. Në muajin maj qytetarët shfaqen të cliruar nga ethet e pasigurisë nga COVID dhe kanë ulur me 2.5% prirjen e tyre për të kursyer. Ndërsa në muajt e ardhshëm pritet rritje e mëtejshme e konsumit, pasi qytetarët janë përgjigjur se kursimi në vijim do të ulet me 3.1%.
Si pasojë e pandemisë COVID-19, qytetarët zgjodhën të kursenin për shkak të pasigurisë së lartë për të ardhmen. Në muajin prill të këtij viti niveli i depozitave ishte 9,175 miliardë euro nga 8,475 miliardë euro që ishte në prill të vitit 2020 kur vendi ishte në mes të izolimit total, duke u rritur me mbi 700 milionë euro.
Por nga ana tjetër inflacioni mbetet ende në nivel të ulët, duke treguar se ende pasiguria për të konsumuar është e lartë. Sipas të dhënave të INSTAT inflacioni për muajin maj ishte 1.8%, nga 2.1% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Komente
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)