KORÇË - Si zakonisht, edhe falë përmirësimit të motit, fundjava ka sjellë rritjen e fluksit të udhëtarëve në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se pritjet e automjeteve shkojnë deri në 40 minuta, ndërkaq autoritetet doganore punojnë me tre sportele, kushtëzuar kjo situatë nga pala maqedonase (pasi aplikohet kalimi me një ndalesë ku kontrollorët e dy palëve qëndrojnë në një kabinë).

Fluksi gjatë fundjavës rritet ndjeshëm për shkak të pushuesve shqiptarë të cilët vizitojnë Maqedoninë e Veriut.

Orët e pikut mbeten paraditja dhe mbrëmja, ku qytetarët kthehen përsëri në vendet e tyre.