TIRANE - Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme ka bërë publik reagimin e saj në lidhje me bllokimin shqiptarëve në Belgjikë, të cilët prej disa ditësh ndalohen në aeroportin belg dhe shoqërohen drejt një kampi refugjatësh.

Duke theksuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet belge për të mësuar mbi arsyet e ndalimit të shqiptarëve, ministri Edmond Panariti shprehet se në sajë të informacioneve të marra personat e refuzuar kanë pasur mungesa në dokumentacion, arsye për të cilën janë bllokuar. Njëkohësisht, ministri Panariti i bën thirrje shqiptarëve që të marrin parasysh të gjitha rregullat e lëvizjes në zonën Shengen, para se të udhëtojnë drejt këtyre vendeve.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Ministria e Punëve të Jashtme sjell në vëmendje ndalimin e 16 shtetasve shqiptarë vetëm gjatë muajit janar 2013, ndërsa 7 persona të tjerë në muajin shkurt.

“MPJ sqaron se gjatë muajit janar 2013 u është refuzuar hyrja 16 shtetasve shqiptarë: 12 me kompaninë Belle Air, 3 me Kompaninë Jet Air Fly dhe 1 Turkish Airlines. Arsyet e refuzimit janë: motive të paqarta hyrjeje, mungesë mjetesh financiare për të jetuar dhe pasaporta të skaduara. Ndërsa në muajin shkurt, 7 persona: 2 me kompaninë Jet Air Fly dhe 5 me kompaninë Belle Air. Arsyeja e refuzimit është motiv i paqartë dhe mungesë mjetesh financiare për të jetuar”, bën të ditur zyra e shtypit të Ministrisë.

Sipas Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, ndër 5 shqiptarët e ndaluar më datë 3 shkurt ka qenë edhe një vajzë 7-vjeçare e cila pas shqetësimit të ngritur prej nënës së saj për gjendjen shëndetësore të vajzës, është shtruar në spital dhe është nën kontrollin e plotë të mjekëve.

Në përfundim të njoftimit për shtyp, ministria sqaron se e ngarkuara me Çështjet Konsullore në Ambasadë, Suzana Sulollari, ndodhet pranë shtetasve shqiptare që gjenden në kamp, ndërsa Ambasadori Ilir Tepelena ka kërkuar takim urgjent me Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës së të Huajve, Freddy Roosemont.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)