Një megaoperacion antidrogë në Itali ka zbuluar një rrjet gjigant trafiku kokaine, pastrimi parash dhe faturash fiktive me vlerë qindra milionë eurosh, ku në qendër të skemës rezulton një “bankier” i fshehtë kinez dhe disa shtetas shqiptarë.
Bëhet fjalë për operacionin “Tornado”, i koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Brescias dhe Guardia di Finanza, që çoi në dënimin e 15 personave me mbi 103 vite burg në total. Sipas hetimeve, organizata kriminale funksiononte mbi dy shtylla kryesore: trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave përmes faturave false.
Hetuesit thonë se rrjeti kishte arritur të sillte në Itali afro 3 ton kokainë nga Kolumbia, përmes Spanjës dhe Holandës, me një bazë magazinimi edhe në Palazzolo të Brescias. Në qendër të dosjes është 43-vjeçari me origjinë kineze Lihe Hu, rezident në Travagliato, i konsideruar nga prokurorët si “bankieri okult” i organizatës. Ai u dënua me 5 vite e 4 muaj burg dhe u njoh si kreu i grupit kriminal.
Sipas autoriteteve italiane, Lihe Hu menaxhonte qarkullimin e milionave të ardhura nga droga. Paratë mblidheshin cash nga trafikantët dhe më pas “pastroheshin” përmes transfertave bankare nga Kina drejt llogarive në Shqipëri, Spanjë dhe Brazil. Hetimet zbuluan se nga viti 2019 deri në 2021, rrjeti kishte krijuar fatura false me vlerë rreth 325 milionë euro për të legalizuar fitimet e drogës.
Në skemë përfshiheshin edhe kompani fantazmë dhe shoqëri “filtër”, ndërsa sipërmarrës të ndryshëm paguanin për faturat false dhe merrnin mbrapsht një pjesë të parave “të pastruara”, kundrejt një komisioni deri në 4%. Një rol të rëndësishëm në trafikun e kokainës kishin edhe shqiptarët.
Dënimin më të lartë e mori shqiptari Jurgen Havalja, 41 vjeç, banues në Genova, i dënuar me 13 vite e 4 muaj burg. Sipas hetimeve, ai organizonte transportin e kokainës nga Spanja drejt magazinave në Brescia. Ndërkohë, shqiptari tjetër Mariglen Beqja, 44 vjeç, tashmë i burgosur, u dënua me 13 vite e 2 muaj burg. Ai akuzohet se kishte rol në ruajtjen dhe magazinimin e drogës në bazën operative në Brescia.
Në dosje përmenden edhe dhjetëra episode shitjeje droge, përfshirë kokainë, heroinë dhe hashash.
Sipas mediave italiane, çështja ka ngritur alarmin për ekzistencën e “bankave të fshehta kineze” që operojnë tashmë jo vetëm në Milano, por edhe në zonat industriale të Brescias, duke financuar aktivitete kriminale dhe biznese që në pamje të parë rezultojnë të ligjshme./CorrieredellaSera
Komente









