Një litar me grep i gjetur pranë murit të burgut të Parmës ka ngritur sërish alarmin për një plan të mundshëm arratisjeje, ndërsa hetuesit italianë dyshojnë se pas përgatitjeve mund të qëndrojë një grup shqiptarësh që synon të ndihmojë disa të burgosur të dalin nga institucioni.

Sipas mediave italiane, mjeti u zbulua mëngjesin e 9 gushtit në pjesën e burgut që ndodhet pranë rrugës Mantova, në kufi me zonën e rrugës Burla. Litari ishte i pajisur me një grep, çka ka shtuar dyshimet se mund të ishte përgatitur për t'u përdorur për kapërcimin e murit rrethues.

Ajo që ka vënë edhe më shumë në alarm autoritetet është se nuk bëhet fjalë për episodin e parë. Më 2 korrik, në afërsi të të njëjtit burg, ishin zbuluar sende të tjera që dyshohej se ishin pjesë e përgatitjeve për një arratisje.

Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që dy rastet të jenë të lidhura. Sipas rindërtimeve të para të raportuara nga mediat italiane, dyshimet janë përqendruar te i njëjti grup personash me origjinë shqiptare, të cilët mund të kenë tentuar nga jashtë të krijojnë kushtet për arratisjen e disa të burgosurve.

Zbulimi i dytë brenda pak javësh ka forcuar dyshimet se nuk bëhet fjalë për sende të braktisura rastësisht pranë burgut, por për një plan të organizuar që deri tani nuk është realizuar. Hetimet vijojnë për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të përcaktuar se cilët të burgosur mund të ishin objektivi i planit të arratisjes.