Shqiptarët kryesojnë për lejet e qëndrimit të dhëna nga Italia në vitin 2023

Shqiptarët kryesojnë për lejet e qëndrimit të dhëna nga Italia në vitin 2023

Foto ilustruese

Në vitin 2023, në Itali u dhanë 330.730 leje qëndrimi, një shifër në ulje me 26.4% krahasuar me vitin 2022. Një rënie, sipas Istat, i cili publikoi të dhënat, që lidhet me uljen e lejeve të dhëna për azil dhe mbrojtje ndërkombëtare, në rënie me 47.6%. Në vitin 2022, në këtë shifër ndikuan edhe 149 mijë lejë të dhëna për qytetarët ukrainas, të larguar nga Ukraina, për shkak të sulmeve të Vladimir Putin, të cilat vitin e kaluar ranë në 21 mijë.

330 mijë lejet e dhëna vitin e kaluar e çojnë në 3.6 milionë numrin e shtetasve jashtë BE-së të pranishëm rregullisht në territorin italian, një shifër që përfaqëson 41% të të huajve që jetojnë në Itali, ndërsa 59% përbëhet nga shtetas të BE-së. Duke u kthyer te viti 2023, kombësia më e përfaqësuar është ajo shqiptare, me 33 mijë hyrje vitin e kaluar.

Në vend të dytë, Ukraina, me pak më pak se 30 mijë persona, ndjekur nga Bangladeshi, me pak më pak se 29 mijë. “Renditja” mbyllet me Kinën, me pak më shumë se 8 mijë qytetarë që morën leje qëndrimi në Itali vitin e kaluar. Por, cilat janë arsyet që i shtynë këta njerëz të transferohen në Itali?

Nga pikëpamja e përgjithshme, 128 nga 330 mijë lejet e dhëna lidhen me bashkimin familjar. Kjo shifër është e barabartë me 39% të totalit, ndjekur nga 32,1%  leje për azil apo mbrojtje ndërkombëtare. Lejet për arsye pune janë 39 mijë, ndërsa ato për studentë 27 mijë (në rritje me 9.4% krahasuar me një vit më parë). Grafiku, i cili tregon 10 kombësitë më të shumta për leje të dhëna në 2023, tregon arsyet që i kanë shtyrë njerëzit drejt Italisë.

Nuk është për t’u habitur që pjesa më e madhe e lejeve të dhëna për qytetarët ukrainas (84.1% e totalit) lidhet me azilin dhe mbrojtjen ndërkombëtare. Ndër vendet nga të cilat njerëzit lëvizin në Itali për arsye humanitare janë edhe Bangladeshi, Egjipti, Pakistani dhe Peruja.

Shqipëria, Maroku, India dhe Tunizia janë vende nga të cilat njerëzit largohen drejt Italisë kryesisht në kërkim të një pune. Një tjetër e dhënë interesante lidhet me Kinën. 45.3% e më shumë se 8 mijë lejeve të dhëna në vitin 2023 lidhet me studentë që kanë zgjedhur shkollat dhe universitetet italiane për formimin e tyre. Me 3.779  studentë në Itali, Kina është vendi i dytë më i përfaqësuar në bankat e shkollave në Itali, ndjekur nga Irani (4.209 studentë në 2023) dhe Turqia (2.074).

Duke parë moshën e 3.6 milionë personave që jetojnë në Itali, falë një leje qëndrimi, mosha mesatare është pak më shumë se 36 vjeç dhe 49.2% janë gra. Minorenët përfaqësojnë 19.5% të totalit. Një në katër nga këta njerëz jeton në Lombardi, kurse një në tetë jeton në qytetin metropolitan të Milanos./Il Sole 24 ore

 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë