Shqiptarët shpenzojnë paratë për ushqime, ilaçe e shkollim! Europianët për transport, restorante, argëtim e shtëpinë

Shqiptarët shpenzojnë paratë për ushqime, ilaçe e shkollim! Europianët për transport, restorante, argëtim e shtëpinë

Foto ilustruese

Niveli më i ulët i të ardhurave për frymë në Europë reflektohet në mënyrën se si familjet shqiptare i shpenzojnë paratë, që kanë në dispozicion, për të kaluar muajin. Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se pjesa më e madhe e buxhetit të një familjeje shqiptare shkon për ushqime, që është shpenzimi minimal i domosdoshëm për të jetuar.

Në vitin 2020, kur janë të disponueshme të dhënat e fundit për Shqipërinë, një familje normale shpenzonte 43.6% të totalit për ushqime. Kjo shifër është pak më e lartë sesa ajo që raporton INSTAT (41.6% për 2020-n dhe 41.3 për 2021-n).

Për një familje europiane, sigurimi i ushqimit nuk është aspak një problem. Në 2021-shin mjaftonin 14.3% e shpenzimeve totale (14.8% në 2020-n) për të përmbushur nevojën minimale të jetesës, shumë më pak se e njësie familjare tek ne. (shiko grafikun: Struktura e buxhetit të familjeve, Shqipëria dhe mesatarja e Bashkimit Europian).

Edhe në raport me rajonin, Shqioëria ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime. Për Maqedoninë e Veriut treguesi është rreth 31%, për BosnjëHercegovinën 29.5%, për Serbinë rreth 24%, për Malin e Zi 24.6%, sipas Eurostat (viti 2019). Të dhënat për Kosovën mungojnë nga Eurostat, por pesha është më e ulët se 40%, sipas statistikave kombëtare.

Europianët shpenzojnë më shumë për mirëmbajtjen e shtëpisë (Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar) me 25% të totalit, përkundrejt 13% tek ne, për shkak të faturave më të larta të dritave e ujit dhe qirave më të shtrenjta.

Por, sërish, europianëve u mbeten më shumë para në dispozicion, pasi heqin shpenzimet bazë të jetesës (ushqimin dhe shtëpinë).

Për t’ú argëtuar (ku përfshihen pushimet, pajisjet audio-vizuale, shërbimet kulturore) familjet europiane shpenzojnë 8% të buxhetit, përkudrejt 6.1% të Shqipërisë.

Për transport, kjo peshë është 12.1%, pothuajse sa dyfishi i Shqipërisë për shkak të numrit më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë (sërish tregues i mirëqenies), distancave më të gjata dhe lëvizjeve më të shpeshta në fundjavë (ndërsa çmimet e karburanteve në Shqipëri nuk është se kanë ndonjë diferencë nga vendet e tjera të Europës).

Familjet europiane kanë më shumë para në dispozicion edhe për të kaluar kohë në restorante e hotele (6.6% përkundrejt 3.9%).

Ndonëse më të varfra, Familjet shqiptare shpenzojnë për arsimimin e fëmijëve të tyre (2.6% të mesatares, përkudrejt 0.9% të Europës), teksa Europa ka sistem të mirë të arsimit publik, ndërsa në Shqipëri vitet e fundit është rritur numri i universiteteve private.

Shëndeti është një tjetër shpenzim i domosdoshëm, sidomos në vitin e pandemisë. Në 2020-n, shpenzimet për shëndet për familjet shqiptare arritën rekordin e 5.6%, nga 4.9% vitin e mëparshëm, në një tregues se kurimi i Covid u përballua nga xhepi (sipas INSTAT, pesha e shpenzimeve për shëndet mbeti e pandryshuar dhe në 2021).

Ndërsa familjet europiane e kishin këtë tregues 4.5% në 2020-n, nga 4.4% një vit më parë, teksa shërbimi shëndetësor më i mirë u garantoi atyre kujdesin e duhur (kujtojmë se në 2020-n, Shqipëria ishte një nga vendet me vdekshmërinë më të lartë shtesë në Europë nga pandemia).

Të dhënat e INSTAT, që janë të dsponueshme dhe për 2021-n tregojnë se pothuajse nuk ka pasur ndryshim në strukturën e shpenzimeve të buxhetit në 2021 në raport me 2020-n. (shiko grafikun: Struktura e buxhetit të familjeve, Shqipëria, sipas INSTAT).

Ndërsa të dhënat e Eurostat tregojnë diferenca për ndarjen e shpenzimeve buxhetore, si psh sipas Eurostat familjet shqiptare shpenzojnë më shumë sesa raporton INSTAT për ushqime, banesën, argëtim dhe kulturë, shëndet, më pak për komunikim, restorante e hotele (shiko grafikun: Struktura e buxhetit të familjeve, Shqipëria, sipas INSTAT dhe Eurostat, 2020)/Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb