STUDIMI: Shqiptarët të stresuar në punë (Shkaqet)

STUDIMI: Shqiptarët të stresuar në punë (Shkaqet)

Foto ilustruese

Stresi i lidhur me punën ka një prevalencë të lartë tek punonjësit në Shqipëri. Ky është konkluzioni i një studimi të fundit nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili shton se, stresi i përjetuar nga punonjësit ka potencialin të ndikojë negativisht në cilësinë e jetës së tyre.

Studimi u përqendrua në Tiranë dhe në të u përfshinë 800 persona të punësuar. Për të matur nivelin e stresit u përdor Shkalla e Stresit në Punë dhe për të identifikuar faktorët stresant u hartua një pyetësor i cili përmban shkaktar të stresit në punë të identifikuar nga studime të kryera në vënde të tjera.

Sipas formës së matjes së Shkallës së Stresit në Punë, një pjesë e konsiderueshme e punonjësve (48.5 %) përjetojnë stres të nivelit të moderuar dhe 12.4% e punonjësve përjetojnë stres të nivelit problematik.

Të dhënat e përftuara tregojnë se femrat (51.5%) janë më të prirura se meshkujt (43.3%) për të përjetuar stres të nivelit të moderuar, por nuk kanë diferencë me ta në përjetimin e stresit të nivelit problematik (femrat 12.4%, meshkujt 12.6%). Sipas studimit, Një shpjegim i mundshëm mbi këtë fakt është se pavarësisht nga profesioni, femrat janë më të ekspozuara se meshkujt ndaj disa faktorëve stresant siç janë rolet e shumëfishta, pengesat për një karierrë normale dhe diskriminimi.

Arsyet

Gjetjet e studimit sugjerojnë gjithashtu se kushtet jo të mira fizike; ngarkesa e punës; orët e zgjatura të punës; rreziku fizik në punë; përgjegjësia për njerëzit e tjerë; promovimi përtej mundësive; mungesa e sigurisë në punë; marrëdhënie negative me shefin apo kolegët; komunikimi i pa-përshtatshëm me shefin apo kolegët; dhe mungesa e pushimeve në punë nuk ndikojnë në rritjen e nivelit të stresit tek punonjësit.

Ndërsa faktorë si presioni i kohës; paqartësia e rolit; konflikti i rolit; mungesa e promovimit; vështirësia në delegimin e punëve; puna jo e mirë në grup; mungesa e pjesëmarrjes në vendimmarrje; trajtimi i pabarabartë në punë; angazhimi në detyra të vështira; dhe niveli ulët i pagës, ndikojnë në rritjen e nivelit të stresit tek punonjësit.

Metodologjia:

Për të matur nivelin e stresit në punë dhe për të identifikuar faktorët të cilët e zhvillojnë atë u shpërndanë gjithsej 800 pyetësorë. Te të gjitha institucionet dhe sipërmarrjet e përfshira në studim, pyetësorët u shpërndanë në mënyrë rastësore. Pyetësorët u shpërndanë nga persona të trajnuar, të cilët kanë qëndruar në dispozicion të pjesëmarrësve për të shpjeguar çdo paqartësi të mundshme në lidhje me pyetjet. Në sektorin privat u shpërndanë gjithsej 350 pyetësorë. Bizneset, të cilat u përfshinë në studim janë call center, zyra investimesh, shtypshkronja, banka të nivelit të dytë dhe kompanitë telefonike.

Në sektorin publik u shpërndanë gjithsej 450 pyetësorë. Në administratën publike u shpërndanë 235 pyetësorë. Institucionet në të cilat u shpërndanë pyetësorët janë Inspektorati i Shëndetit Publik, Ministria e Brendëshme e Republikës së Shqipërisë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe 2 mini bashki të qytetit të Tiranës. Në sektorin e shëndetësisë u shpërndanë 95 pyetësorë. Pyetësorët u shpërndanë në Qendrën Spitalore “Nëna Terezë”. Në sistemin arsimor u shpërndanë 120 pyetësorë dhe në studim u përfshinë 6 shkolla 9-vjeçare të qytetit të Tiranës. Nisur nga natyra sensitive e objektivit të këtij studimi dhe për të respektuar kërkesën e një pjesë të personave të pyetur, emrat e disa institucioneve nuk janë bërë publike në studim./ Monitor

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja