Shqiptari që fitoi çmimin Oscar në
karikaturë: 'Hebdo' vrasje tragjike

Shqiptari që fitoi çmimin Oscar në<br />karikaturë: 'Hebdo' vrasje tragjike
TIRANE- Është hera e tretë që Agim Sulaj vlerësohet në një konkurrim mjaft prestigjioz, siç është eskpozita ndërkombëtare për karikaturën “Aydın Dogan International Cartoon Contest”.
Herën e parë ka qenë viti 1989, ku mori çmimin me një vepër për emigrimin. Hera e dytë ka qenë në vitin 2008, kur mori çmimin e dytë dhe tani Agim Sulaj merr Çmimin e madh, Grand Prix 2015, në edicionin e 32-të ndërkombëtar për karikaturën “Aydın Dogan International Cartoon Contest”.

Ky event prestigjioz organizohet çdo vit me karikaturistë nga të gjitha vendet e botës nga fondacioni “Aydin Dogan”.
Agim Sulaj, i cili jeton në Itali që pas viteve ’90, ka fituar dhjetëra çmime anembanë botës, ku në punimet e tij është fokusuar shpesh tek problemet sociale; tek varfëria, tek problemet e ambjentit dhe jeta e refugjatëve.

Në punimin me të cilin u shpall fitues i garës, artisti shqiptar përshkruan terrorin dhe shpreh pikëpamjen se terrori mund të godasë cilindo vend dhe cilindo person pavarësisht vendndodhjes. Ndërkohë, pas Agim Sulajt në edicionin e 32-të ndërkombëtar për karikaturën “Aydın Dogan International Cartoon Contest” në vend të dytë dhe të tretë u zgjodhën artistët iranianë, respektivisht Mohsen Nouri Najafi dhe Jalal Primarzabad. Sulaj ka pohuar dje për gazetën “Shqiptarja.com” se “këtë gëzim e ndaj me vendin tim si i pari laborator ku unë u formova artistikisht”.

Ai ka punuar si piktor dhe në një nga revistat më prestigjioze të kohës së diktaturës në Shqipëri, në “Hosteni”. Përmes një interviste të shkurtër Agim Sulaj rrëfen për refleksionet që kanë frymëzuar karikaturën pas masakrës tragjike që ndodhi me stafin e Charlie Hebdo. Kishte mes të vrarëve dhe kolegë të shquar e bashkudhëtarë në konkurse ndëkombëtare të karikaturës, siç është  artisti francez i vrarë nga terroristët islamikë, Georges VVolinsky.
 
 
Urime Agim. Ju gjithmonë ktheheni me çmime nga eskpozitat ndërkombëtare të karikaturës. Duke qene edhe ti një karikaturist i njohur dhe mediatik, si e përjetove tragjedinë e Charlie Hebdo në Francë, që ka qenë edhe vetë motivi i veprës fituese?
 
-Tragjedia e Carlie Hebdo është një goditje e rëndë për lirinë e shprehjes e të mendimit të lirë. Është një humbje kolegësh, e cila e ka mprehur me fortë armën tonë lapsin. Cilësitë e veprave të mia janë ideja e realizuar në mënyrë artistike plot detaje e mesazhe, të cilat bëhen të kuptueshme e domethënëse për atë që e sheh, karakteristikë kjo që në hapat e mi të parë në revistën “Hosteni”. Gëzimin për këtë çmim e ndaj me vendin tim si i pari laborator ku unë u formova artistikisht.
 
Njihnit ndonjë nga kolegët e Charlie Hebdo-s që ka humbur jetën gjatë masakrës së nga terroistët islamikë?
 
-Po. Jam njohur me Georges Wolinsky, pikërisht në Aydin Dogan, në Turqi, në këtë eveniment, i cili organizon Cmimin Oskar për karikaturën, e ku unë u vlerësova këtë vit me çmimin e madh. Kujtimi me të më qe në atë kohë normal, por më kthehet shumë mbresëlënës pas humbjes së tij tragjike e të padrejtë. Them tragjike e të padrejtë për vetë faktin që ai kurrë nuk kishte bërë bërë karikatura kundër fesë, por ka qenë një karikaturist personazhesh erotike.
 
Cilat kanë qenë disa nga vlerat motivuese të çmimit?

-Mendoj se vepra ime është pëlqyer për mesazhin e drejtëpërdrejtë e për realizimin e duhur. Në motivimin e këtij çmimi, sipas jurisë ishin vlerësuar detajet e mënyra hiperrealiste e ndërtimit të veprës që e bëjnë të çuditshme dhe të vërtetë një ide timen për të cilën flas.
Agim Sulaj

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji