Një konflikt mes një 49-vjeçari shqiptar dhe pronarit armen të një servisi makinash ka agravuar deri në përdorimin e armëve të ftohta dhe mjeteve të forta.
Sipas Protothema.gr, gjithçka nisi kur 49-vjeçari shqiptar u paraqit në biznes, duke fyer dhe sulmuar verbalisht 45-vjeçarin me origjinë armene. Konflikti u ndërpre përkohësisht nga ndërhyrja e klientëve dhe personave të pranishëm, të cilët arritën ta largonin nga ambientet e servisit, ndërkohë që ai lëshoi kërcënime se “do ta paguante me gjak”.
Pak kohë më vonë, situata agravoi kur 49-vjeçari është rikthyer sërish në garazh, kësaj here i armatosur me një thikë 26 centimetra të gjatë, duke e kërcënuar se do ta masakronte.
“Do të të vras, do të të masakroj”, bërtiste shqiptari.
Në përballje e sipër, pasi bashkëshortja e pronarit dhe një punonjës tentuan ta neutralizonin, 45-vjeçari armen e goditi me një levë makine në kokë dhe këmbë.
Përpara se të largohej përfundimisht nga vendngjarja, shqiptari dyshohet se ka vazhduar kërcënimet, duke i thënë: “Do të të vras, por nuk dua ta bëj para gruas sate. Do të të gjej vetëm dhe do ta djeg dyqanin tënd“.
Pas ndërhyrjes së policisë shqiptari dhe armeni u prangosën.





Komente
Komento