Nëntorin e vitit të kaluar shqiptaro-amerikani Ardian Zika fitoi mandatin e tij të dytë si përfaqësues i Partisë Republikane për një nga 120 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve të Floridës.
Rrugëtimi deri në këtë pozitë të rëndësishme në politikën e këtij shteti amerikan, thotë ai, është mishërimi i realizimit të ëndrrës amerikane.
“Unë jam një amerikan që e filloi rrugëtimin si emigrant nga Kosova. Jam mishërimi i veçantisë amerikane. Amerika është një komb i mrekullueshëm. Amerika është vendi të cilin Ronald Reagan e quajti qyteti që ndriçon në kodër, ku kushdo, nga çdo sferë e jetës, mund të vijë, të punojë dhe të arrijë sukses sepse mundësitë këtu janë të pafundme," thotë zoti Zika për Zërin e Amerikës.
Shqiptaro-amerikani Zika erdhi në ShBA në moshën 17 vjeçare, fillimisht në Luiziana, ku mbaroi shkollën e mesme dhe fakultetin, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Florida.
Për 14 vite ai punoi në sektorin bankar, ndërsa më vonë themeloi edhe kompaninë konsulente në fushën e biznesit “Guardian Street”.
Përkundër karrierës së suksesshme në sektorin privat, ai thotë se gjithmonë ishte i interesuar në politikë, sepse e ndjente si detyrim për të kontribuar për vendin, që i dha gjithçka.
“Jam shqiptaro-amerikani i parë nga Kosova që bëhet pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve të Floridës. Një nga tre shtetet më të mëdha në vend, një nga 20 ekonomitë më të fuqishme në botë, me prodhim të përgjithshëm mbi një trilion dollarë.Jam shumë krenar që jam një amerikan që ka filluar rrugëtimin e tij si emigrant dhe që ka arritur sukses në këtë vend të mrekullueshëm, që të gjithë e duam”, thotë zoti Zika.
Ai thotë se qëllimi parësor i tij në politikë është angazhimi që edhe gjeneratat e reja të kenë mundësitë, që atij iu dhanë në ShBA.
“Ky është institucioni që përcakton të gjitha politikat publike që lidhen me drejtimin e shtetit të Floridës, një vend i mrekullueshëm ku jetojnë mbi 20 milionë banorë. Me një buxhet prej mbi 100 miliardë dollarësh. Roli im është shumë i rëndësishëm. Arsyeja kryesore që unë i’u futa garës, është që Florida të vazhdojë të jetë vendi ku njerëzittë vazhdojnë të realizojnë ëndrrën amerikane, në mënyrë që çdo fëmijëtë ketë mundësi të barabarta”, shton ai.
Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përjetojnë ndasi të forta politike mes Partisë Republikane dhe asaj Demokrate, shqiptaro-amerikani, thotë se pavarësisht dallimeve qëllimi është i njëjtë.
“Politika amerikane është shumë e zhurmshme. Por përkundër kësaj qëllimet i kemi të përbashkëta. Një qëllim që fuqizon pasionin tonë, një pasion që garanton që të gjithë të jemi të bashkuar në një, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa ne mund të mos pajtohemi për disa çështje, ne të gjithë pajtohemi për një gjë, se Amerika është një vend i mrekullueshëm”, thotë zoti Zika.
I pyetur për situatën në Kosovë, zoti Zika tha se paqja dhe stabiliteti në Ballkan është rruga e vetme për një Evropë të qëndrueshme, ndërsa shtoi se ka besim se administrata e Presidentit Joe Biden do të vazhdojë angazhimin për arritjen e këtij synimi.
“Për mendimin tim presidenti Biden i kupton çështjet në atë rajon të Evropës. Bazuar në ato që kam lexuar dhe sipas mendimit tim, ai është i përkushtuar që të vazhdohet mbështetja, që të sigurohet se ky rajon i Evropës do jetojë në paqe dhe do të ketë një të ardhme shpresëdhënëse. Mendoj se ai e kupton shumë mirë atë pjesë të botës”, përfundon zoti Zika.
Aktualisht partia republikane ku bën pjesë Ardian Zika kontrollon Dhomën e Përfaqësuesve në shtetin e Floridës ku nga 120 vende,republikanët mbajnë 78,ndërsa demokratët 42./VOA