TIRANE - Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka vendosur gjobë me vlerën 500 mijë lekë për 11 subjekte që merren me riciklimin, përpunimin dhe grumbullimin e vajrave të përdorura. Gjithashtu kjo ministri ka bërë pezullimin dhe standartazimin e lejes së 14 subjekteve që merren me riciklimin e vajrave të përdorur.

Ndërsa ka vendour heqjen e licensës 2 subjekteve që janë pajisur me leje mjedisore dhe nuk kanë ushtruar aktivitet prej më shumë se 2 vitesh. Drejtor i Kontrollit të Mjedisit në MMPAU, Alfred Deshati, në një dalje për media u shpreh se Task-Forca konstatoi një sërë problemesh.

“Task-Forca e MMPAU konstatoi një sërë problematikash dhe vendosi gjoba me 500 mijë lekë për 11 subjekte, që merren me riciklimin, përpunimin dhe grumbullimin, gjenerimin e vajrave të përdorur dhe mbetjeve portuale, pezullim dhe standartizim të lejes mjedisore për 14 subjekte dhe heqje të lejes mjedisore për 2 subjekte, që janë pajisur me leje mjedisore dhe nuk kanë ushtruar aktivitet prej më shumë se 2 vitesh”.

Po sipas drejtorit të kontrollit në Ministrinë e Mjedisit janë në shqyrtim 18 shoqëri të tjera të trajtimit të vajit. “Ministria e Mjedisit bën me dije se nën shqyrtim të rreptë janë 18 shoqëri të trajtimit të vajrave dhe të gjithë gjeneruesit e vajit të përdorur, përfshirë edhe importuesit.

Në këte kontekst, në rast të gjetjes fajtor të këtyre shoqërive, do të kërkohet në mënyrë të menjëhershme dhe të parevokueshme pezullimi i aktivitetit të tyre” u shpreh Alfred Deshati.

Sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për grumbullimin e diferencuar dhe trajtimin e vajrave të përdorur” detyron të gjitha importuesit të pajisen me licensë 3/2 B, me autorizim dhe leje mjedisore, si dhe me një kontratë shërbimi me menaxhuesit e licencuar.

Në fillim të këtij muaji,inspektoriati dhe Task-Forca mjedisore nisin aksionin për verifikimin e kushteve dhe standardeve të zbatuara nga kompanitë dhe serviset e automjeteve. Nga kontrolli rezultoi se pothuajse te gjitha subjektet që merreshin me përpunimin e vajit të përdorur nuk ishin të pajisura me licensë.

Nga kontrolli i fillimit të muajit rezultoi se shoqëritë koncensionare edhe pse janë me Autorizim Mjedisor rezultuan me një sërë problemesh, si: Ambalazhimi i vajrave nuk përmban simbolin që tregon rigjenerimin, rikuperimin dhe asgjësimin e kontrolluar të tyre. Grumbullimi dhe transportimi i VP-ve nuk plotëson të gjithë paramatrat teknike.

Shoqërite konçensionare duhet që të lidhin kontrata me subjekte të cilët janë të liçensuar nga MMPAU konform ligjit dhe VKM në fuqi. Nuk raportohet rregullisht pranë Agjensisë Kombëtare të Mjedisit për sasinë dhe grumbullimin e vajit të përdorur.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)