Shtëmbari: Bojaxhiu, profesioni 
që më solli nga Athina në Tiranë

Shtëmbari: Bojaxhiu, profesioni <br />që më solli nga Athina në Tiranë
TIRANE- Makina, tashmë është një mjet pune dhe jo luksi siç e konsideronim para disa vitesh. Veç anës praktike që na ofron si mjet pune, makina është si fëmijët e vegjël, që duan shumë përkushtim për t’i mbajtur. Prandaj këtu hyn dhe ai orientimi profesional që na shoqëron javë pas jave.

Ndryshe nga shumë të rinj, për Aleksandrin ka ndodhur e kundërta! Ka emigruar për të punuar dhe në të njëjtën kohë duke përvetësuar një zanat që e shoqëron prej 9 vitesh. Ky është Aleksandër Shtëmbari, i cili në këtë rrëfim na tregon hap pas hapi, pasionin e tij për punën, ikjen dhe kthimin në Tiranë me ide të qarta, sfidën e tij në tregun e punës, të cilin sot e konsideron të orientuar siç duhet dhe padiskutim eksperiencën e tij prej 4 vitesh pranë kompanisë “Tendence 3A”.

“Tani është fakt, se shumica nga të rinjtë, me një diplomë universitare, punojnë në ‘Call centre’. Por  zanatet janë zgjidhja më e duhur për mendimin tim”, thekson Aleksandri, duke dhënë edhe këshillën se para se të drejtoheni drejt universiteteve, studioni tregun.
 
Si funksionon procesi u punës në laboratorin e lyerjes për makinat e dëmtuara?
Laboratori i bojërave ecën përmes një procesi pak të vështirë në fakt, pasi një kod boje ka brenda saj shumë ngjyra. Do të thotë që një miksim i dhjetë bojërave duhet të nxjerri bojë përfundimtare, duhet të jesh pak ekspert në këtë fushë pasi çdo gjë është e llogaritur. Kemi bojë kristalinë, perla, metalizato, bojë të thjeshtë, me pakë fjalë ne në laboratorin tonë i disponojmë të gjitha.
 
Laboratori ka ato specifikat e tij siç dhe i theksuat. Por, me futjen e aparateve teknologjike ju është lehtësuar sadopak puna?
Sigurisht që hapësirat dhe ndryshimet teknologjike tashmë na kanë favorizuar. Laboratori tashmë, na siguron saktësi në pigmentin e ngjyrave edhe kur ne nuk kemi formulën, arrijmë të saktësojmë më anë të markës së makinës apo vitin e prodhimit. Pra, puna sot është bërë pak më e lehtë seç ka qenë më përpara, por sërish nëse nuk je specialist ose usta në këtë fushë është shumë e vështirë të arrish saktësimin dhe të kënaqësh klientin.
 
Si e keni nisur profesionin e bojaxhiut. Si i kujtoni fillimet tuaja?
Unë prej afro 9 vitesh zotëroj këtë profesion. Karrierën time e kam nisur në Athinë. Në vitin 2006 kam ikur në Greqi si gjithë shqiptarët, si emigrant. Ishte një fat i madh të nisja punë direkt tek Nissan si bojaxhi makinash. Pas një eksperience 5 vjeçare dhe pasi kisha marrë orientimin e duhur në këtë zanat u ktheva në Shqipëri, i gatshëm për të pasur një vend pune si bojaxhi makinash.
 
Si arrite të integroheshe në tregun e punës?
Që në momentin e parë që erdha në Tiranë, kontakti i parë që kisha ishin serviset. Sigurisht që tregu është i vështirë dhe ka nevojë për njerëz me eksperiencë, gjë që më favorizoi. Është një zanat që nuk të lë kurrë pa motivim, është një ndër profesionet që nuk të mërzit kurrë pavarësisht ecurisë së ditës.
 
Duke patur parasysh që është një profesion i kërkuar. Mendoni se ka treg në Shqipëri?
Sigurisht që nuk është e lehtë, por me përkushtim dhe vullnet mund të krijosh hapësira. Unë mendoj se ka treg, për të mos thënë se nuk shikoj ndonjë diferencë të madhe nga Athina. Gjatë gjithë këtyre viteve kam pasur shumë raste të djemve të rinj që kanë qenë të interesuar për mësuar këtë zanat dhe pse jo, nesër të kenë një mundësi punësimi. E them me bindje se ka interes jo vetëm nga ata që duan një mundësi punësimi, por edhe nga djemtë që kanë një shkollë profesionale dhe e shikojnë si mundësi të mirë për të ardhmen.
 
Premton ky zanat mundësi kualifikimi?
Po ka shumë! Në radhë të parë mjafton ta bësh punën me dëshirë, mos të jesh dembel, por të kërkosh çdo ditë sfidë nga vetja duke u bërë një profesionist në bojëra. Zanati i bojërave për makinat do pak kohë, nuk mund të fitohet menjëherë siç është profesioni i xhenerikut, por është një proces që zgjat.
Unë kam bërë edhe trajnime dhe seminare, madje edhe sot vazhdoj ti ndjek akoma për të mos thënë që për çdo proces jam kualifikuar edhe jashtë Shqipërisë. Sot, çdo kompani ndjek politika kualifikimesh për punonjësit e tij, prandaj dhe unë fal kompanisë ku jam punësuar kam mundur të jem prezent në çdo seminar apo trajnim në lidhje me lyerjen e makinave dhe problemeve specifike që na ndodhin gjatë punës.
 
Ka mundësi punësimi në këtë profil?
Për mendimin tim, për momentin është profili më i kërkuar ky i makinave, sidomos reparti i bojës është një ndër më të veçantit.
 
Çdo profesion ka të mirat dhe këqijat e tij. Për ju si ka ndodhur, çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj ky orientim?
Tani është fakt, se të rinjtë me një diplomë universitare shumica punojnë në Call Centre, ndërsa zanatet janë zgjidhja më e duhur për mendimin tim. Kjo vlen për gjithë të rinjtë që duan të nisin një shkollë, pikësëpari duhet të shikojnë nga jashtë tregun pastaj të orientohen. Ajo që ka ndryshuar në jetën time, është të qenit i qetë në një punë që më ndjek çdo ditë dhe plot të ardhme.
 
Ky zanat nga ana shëndetësore klasifikohet si i vështirë. A jeni të mbrojtur ju në servisin tuaj?
Fatmirësisht, siç dhe e shikoni në ambientin tonë çdo gjë është në vendin e vet. Ne jemi të pajisur me të gjitha mjetet e domosdoshme për të qenë i mbrojtur dhe nga ana shëndetësore. Në bazë të profileve, llamarinist, stukator, të gjithë janë të pajisur në profilin e tyre me masat e domosdoshme dhe me standarde.   


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Media italiane jehonë plazheve të bukura shqiptare: Rërë e butë, ujë i kristaltë, peizazhe që të lënë pa frymë

Media italiane jehonë plazheve të bukura shqiptare: Rërë e butë, ujë i kristaltë, peizazhe që të lënë pa frymë