TIRANE- Prokuroria e Tiranës mori në pyetje sot, 22-vjeçaren Florie Peçi, në prani të psikologes në ambientet e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

Floria, sipas burimeve nga grupi hetimor, ka shfaqur paqëndrueshmëri gjatë përgjigjeve dhe shpeshherë ka deklaruar se nuk mban mend.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe Gazmend dhe Erida Pecin, përkatësisht vëllai dhe motra e Flories, të cilët kanë dëshmuar se i qëndrojnë kallëzimit të bërë pak ditë më parë dhe për sa i përket dyshimeve për përdhunimin e motrës së tyre, atë duhet ta zgjidhë organ i hetimeve.

Hetimet pritet të vazhdojnë dhe në ditët në vijim, ku nëse do të jetë e nevojshme, do të vendoset dhe për analizën e AND-së apo dhe zgjerimin e hetimeve me anë të letërporosive.

Florije Peçi ka mbërritur në Shqipëri në 11 tetor 2012, pasi u rehabilitua në një spital në Vienë të Austrisë.

Hetimi për çështjen në fjalë nisi pak ditë më parë nga Prokuroria, pas kallëzimit të bërë nga familjarët e 22- vjeçares se ajo ishte abuzuar seksualisht gjatë kohës që mjekohej në Austri. 

Florie Peçi tashmë ndodhet e shtruar në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë”, ku nën kujdesin e mjekëve po mbahet në kontroll, ndërsa ende nuk ka një vendim se si do të veprohet me foshnjen dhe shtatzëninë.

(Lajm në përditësim)

Redaksia Online
(gr.m/ar.sh/shqiptarja.com)