"Mendova se kur të kthehesha do të gjeja vetëm një tufë hi." Kështu e përshkruan një banor i Krujës natën kur flakët rrethuan banesat dhe detyruan familjet të largoheshin me nxitim.
Në një prononcim për Report Tv, ai tregon se situata u bë dramatike sapo ra nata, ndërsa banorët u evakuuan mes frikës se zjarri do t'u shkrumbonte shtëpitë.
"Sa u bë natë e pamë rrezikun. S'kishte më helikopterë. Erdhën të gjithë këtu, policia dhe zjarrfikësja. U larguam nga shtëpia. E patëm shumë të vështirë. Mendova që kur të kthehem do të gjej një tufë hi, po falë Zotit nuk ka prekur asgjë në shtëpi. Ishte tmerr nga flakët. Asgjë s'mora me vete kur u largova", thotë ai.
Banori falënderon zjarrfikësit për punën gjatë gjithë natës, por thotë se nuk ka ndërmend ta sigurojë pronën, pasi, sipas tij, nuk ka besim te mënyra si trajtohen dëmshpërblimet.
"Faleminderit shumë zjarrfikësve sepse kanë punuar gjithë natën. Nuk kemi sigurim të pronave dhe as nuk e kam ndërmend ta siguroj. Siguron një makinë, do dy vjet që të marrësh 300 mijë lekë. Kam shkuar shtatë herë në Tiranë për një pasqyrë. Nga 20 mijë lekë naftë çdo ditë, unë kam marrë 170 mijë lekë", shprehet ai.
Lajmi kryesor:
Flakët rrethuan Krujën, shkrumb e hi në oborret e banesave! Banorët: Natë tmerri! Zjarri drejt shuarjes (PAMJE ME DRON)










