Në lagjen “Llukan Prifti” të qytetit të Kuçovës, 72-vjeçarja Margalina Dundo jeton e vetme, mes frikës dhe pasigurisë. Banesa ku ka kaluar gjithë jetën sot rrezikon shembjen. Muret janë plasaritur, pjesë të tavanit kanë rënë, ndërsa kolonat janë spostuar pasi ndërtesa ka lëvizur nga themelet.
Për dëmet, e moshuara fajëson fqinjët, të cilët rreth gjashtë vite më parë, devijuan rrjedhën natyrale të ujërave që vijnë nga mali.
“Kam një shqetësim të madh nga uji i malit që hyn brenda në shtëpi. Komshia lart e ka devijuar rrjedhën, dhe tani uji më vjen drejt në banesë. Uji që bie nga mali kur ka shi. Dikur kalonte anash, dilte në portë e pastaj në rrugë. Tani është devijuar, sepse një komshie bëri mur dhe e bllokoi rrjedhën. Ka gjashtë vjet e gjysmë”, thotë ajo.
72-vjeçarja Margalina Dundo jeton çdo ditë me frikën se banesa mund t’i shembet mbi kokë.
“Po, ka filluar të rrëshqasë. Uji grumbullohet, futet në themel dhe e shtyn shtëpinë poshtë. Po këtu jetoj por me frikë të madhe. Tani nuk mund të rrihet më. Fryn era dhe duket sikur do të shembet. Frika është e përditshme”, tregon Dundo.
Fqinjët, tregon ajo, nuk mbajtën asnjë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.
“I thashë: ‘Pse e devijon ujin këtej?’ Ajo më tha se kishte shpëtuar shtëpinë e vet, por më prishi timen. Pastaj u largua dhe s’foli më”, shprehet e moshuara.
Margalina Dundo thotë se ka trokitur disa herë në dyert e Bashkisë së Kuçovës dhe madje ka kontaktuar personalisht me kryebashkiakun Kreshnik Hajdari, por pa marrë asnjë zgjidhje.
“Po, jam ankuar në Bashkinë e Kuçovës. Kam shkuar te kryetari disa herë, prej pesë vitesh. Më thoshte gjithmonë ‘do vij sot, do vij nesër’, por asnjëherë nuk erdhi. Në fillim më thanë që s’kisha dokumente. Vajta te noterja dhe te urbanistika; më ndihmuan, i gjeta të gjitha dokumentet. Kur u ktheva në bashki, më thanë ‘je në rregull’, por sërish askush nuk erdhi të shohë shtëpinë”, tregon Dundo.
Pyetjes nëse ka ardhur ndonjë specialist për të verifikuar gjendjen e banesës, i përgjigjet:
“Vetëm një herë. Hyri brenda, pa çarjet dhe tha: ‘Kështu është, shtëpia është keq.’ Por asnjë matje, asnjë raport. Që atëherë, askush nuk është kthyer”, shprehet e moshuara.
Përmes Report TV, e moshuara nga Kuçova që jeton e vetme me një pension pleqërie kërkon nga Bashkia e Kuçovës që të dërgojë një komision vlerësimi në banesën e saj.
“Të vijë një komision, të shohë gjendjen e shtëpisë dhe ta vlerësojë. Të hapet muri që ka bllokuar ujin dhe të ndërhyhet urgjent, sepse shtëpia po bie çdo ditë e më shumë”, apelon ajo.
Gjithashtu kërkon banesë sociale, derisa institucionet të vendosin nëse shtëpia e saj mund të riparohet apo duhet shembur për tu rindërtuar nga themelet.
“Kam frikë të rri në shtëpi, por nuk kam ku të shkoj. Dua vetëm që dikush të më dëgjojë e të më ndihmojë”, tha Dundo.
Komente










