“Nga një kryetar bashkie i cili ka ndërtuar katin e 13 mbi katin e 12 në të cilin ai jeton nuk ke se çfarë pret. Një kryetar bashkie i cili punon vetëm për vetë nuk na duhet. Nuk na duhen ata që punojnë vetëm për të shtuar katet apo klinikat private”, - tha Veliaj.
Ndërkohë reagimit të bashkisë së Tiranës, e cila tha dje se kryebashkiaku ka të njëjtat të drejta dhe detyrime si të gjithë qytetarët e tjerë të bashkisë, Veliaj i është përgjigjur duke thënë se lejet e ndërtimit në Tiranë janë të bllokuara dhe i ka kërkuar bashkisë ti thotë rastin e një qytetari të thjeshtë që ka shtuar kate në këto vite.
"Reagoi bashkia dhe tha çfarë të keqe ka që mbi katin e 12 po shtohet dhe një kat i 13 dhe se kryetari i bashkisë po bën siç po bëjnë të gjithë qytetarët e tjerë. Po sfidoj sot bashkinë e Tiranës dhe po i kërkoj të më thonë një qytetarë të thjeshtë që është lejuar të shtojë katë në Tiranë. Ka qenë ndonjë qytetar që është lejuar të shtojë një kat? A është lejuar, jo, sepse ka moratorium. I vetmi që e ka shkelur është Lulzim Basha. Ne nuk jemi trajtuar të gjithë njësoj ”, tha Veliaj.
Më tej, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, ka vijuar me prezantimin e programit të tij për mjedisin ku ka theksuar se kryeqyteti është shumë mbi vijën e kuqe përsa i përket ndotjes. Ai ka thënë se rrugët e Tiranës janë aq të ndotura saqë lahen vetëm kur bie shi dhe se jemi shumë mbi maksimumin e papastërtisë që lejohet nga Bashkimi Europian.
“Rrugët e Tiranës lahen vetëm kur bie shi. Tirana është mbi vijën e kuqe përsa i përket papastërtisë dhe ndotjes. Ne jemi shumë mbi maksimumin e pastërtisë që lejohet nga Bashkimi Europian. Ne kemi një problem për menaxhimin e mbetjeve në komuna. I vetmi vend për derdhjen e mbeturinave dhe helmeve është lumi që kalon në atë komunë. Dhe këta lumenj të ndotur derdhen nëpër tokat e mbjella , produktet e të cilave i hanë fëmijët çka shkakton një dëm shumë të madh për ta. Projekti jonë është pastrimi i lumenjve. Lanfilli i sharrës ka vetëm një vit jetë. Do të fusim modelin e riciklimit ku e gjithë Tirana do të ketë një ndarje për të ricikluar qelqin, letrën etj. Janë 871 rrugë dhe 327 trotuare të amortizuara në kryeqytet. Të gjitha këto shkaktojnë pluhur që është shumë i dëmshëm për shëndetin e të gjithë qytetarëve. Kemi sot mbi 113 hapësira dhe 66 tregje ku rregullisht nuk mblidhen plerat. Unë kam një pyetje: Kur bashkia jep rrogën dhe i ka këta punonjës, ku janë këta njerëz, pse nuk janë në krye të punës? Kur taksat për pastrimin e qytetit paguhen nga qytetarët. Ndaj i them Halimit shko dhe pastro bashkinë tani që atë e keni vetë dhe mos na bëj fushatë. Shko bëje tani dhe na bindni që dhe ne tu japim votën. Kur nuk e bëtë për 4 vjet pse të besojmë ne që do ta bëni në të ardhmen’, tha ai.
Sipas Veliajt, qyteti që kemi sot është dëshmi e kësaj katastrofe, e faktit se zgjedhjet në 2011 u vodhën, duke thënë se qytetarët janë të parët “ndërkohë që, ja ku jemi sot pas 4 vitesh, të vetmit që ishin të parët ishte kryetari i Bashkisë, Shkëlzeni me kalë, ndërtimet te diga e Liqenit dhe të gjithë doktorët që ndërtuan klinika ku s’kalon dot asnjë ambulancë apo zjarrëfikse. Ky është realiteti i qytetit që kemi trashëguar sot”, deklaroi Veliaj.
Duke shpjeguar programin e tij për të ulur ndotjen mjedisore në Tiranë, Veliaj tha se do të reduktohet trafiku, nëpërmjet promovimit të përdorimit të mjeteve alternative të transportit dhe duke shtuar sipërfaqet e gjelbra. Ai tha se qyteti do të pastrohet rregullisht, mbeturinat do të mblidhen në orare, si dhe do të vendosen sistemet e detyrueshme të filtrimit, do të ndërtohet një impiant për përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve, por edhe ndërtimi i një impianti modern për përpunimin e ujërave të zeza.
Pikat e programit kundër ndotjes mjedisore:
- Reduktojmë trafikun, promovojmë përdorimin e mjeteve alternative të transportit dhe shtojmë sipërfaqet e gjelbra;
- Garantim i pastërtisë së rrugëve dhe hapësirave publike;
- Mbledhje e mbeturinave në oraret me më pak lëvizje;
- Vendosja e detyrueshme e sistemeve të filtrimit;
- Ndërtim i një impianti për përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve;
- Pastrim nga mbetjet i lumenjve në territorin e Tiranës;
- Ndërtim i një impianti modern për përpunimin e ujërave të zeza
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)