Sot shënohen 33 vjet nga hyrja në fuqi e Traktatit të Maastricht-it, i cili hodhi një hap vendimtar drejt krijimit të Bashkimit Europian në formën që njohim sot.
Me këtë rast, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndau një mesazh në rrjetin social X, ku e lidh këtë përvjetor me rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. se identiteti europian i Shqipërisë ka rrënjë të thella dhe se reformat e ndërmarra në vend, së bashku me forcimin e partneriteteve europiane, po e afrojnë vendin hap pas hapi me këtë synim.
“33 vjet më parë, pikërisht në këtë ditë, hyri në fuqi Traktati i Maastricht-it, duke shënuar një hap vendimtar në krijimin e Bashkimit Europian, ashtu siç e njohim sot. Për Shqipërinë, ky përvjetor na drejton drejt së ardhmes: drejt vendit që synojmë të zëmë në tryezën europiane, duke ndarë përgjegjësitë, duke dhënë zërin dhe kontributin tonë dhe duke ndihmuar që së bashku të formësojmë të ardhmen e kontinentit tonë. Identiteti ynë europian ka rrënjë të thella. Sot, përmes reformave brenda vendit dhe partneriteteve më të forta në të gjithë Europën, po e kthejmë gradualisht ambicien tonë europiane në realitet. Rruga jonë është e qartë. E ardhmja jonë është vetëm europiane" ka thënë Hoxha.
Traktati i Maastricht-it, i cili hyri në fuqi më 1 nëntor 1993, shënoi lindjen zyrtare të Bashkimit Europian. I nënshkruar një vit më parë, më 7 shkurt 1992, në qytetin holandez të Maastricht-it, traktati hodhi themelet për krijimin e monedhës së përbashkët europiane, euros, dhe vendosi për herë të parë konceptin e qytetarisë europiane.
Kjo u dha qytetarëve të vendeve anëtare të drejtën të jetojnë dhe të lëvizin lirshëm brenda BE-së, sipas kushteve të përcaktuara në traktat.
Një tjetër ndryshim ishte forcimi i bashkëpunimit mes vendeve anëtare në politikën e jashtme dhe siguri. Në atë kohë, BE-ja nisi rrugëtimin me 12 shtete anëtare, ndërsa sot numëron 27. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në vitin 2009 dhe mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014.








Komente
Komento