Shtetet evropiane po lëvizin gjithnjë e më hapur drejt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët dhe adoleshentët, në përpjekje për të frenuar varësinë dhe problemet e shëndetit mendor. Sipas Deutsche Welle, kjo prirje po forcohet, por shoqërohet me shumë pikëpyetje.

Debati u përshkallëzua pasi ligjvënësit francezë votuan për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Pak ditë më vonë, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, deklaroi se synon t’i mbrojë fëmijët “nga Perëndimi i Egër digjital”, duke paralajmëruar masa të ngjashme edhe në Spanjë për nën 16-vjeçarët.

Ekspertët citojnë studime që tregojnë se orët e gjata të shfletimit të përmbajtjeve në rrjetet sociale po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e trurit të të rinjve, duke shtuar ankthin dhe rreziqet për shëndetin mendor. Paul O. Richter nga OJQ-ja Bruegel i tha DW-së se fokusi te të miturit lidhet me rrezikun e dëmeve afatgjata, pasi ata janë ende në zhvillim kognitiv.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur mbështetje për vendosjen e një kufiri moshe në të gjithë Bashkimin Evropian, në linjë me ligjin e ri australian që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.

Megjithatë, sipas Deutsche Welle, mbetet e paqartë se si do të zbatohet një ndalim i tillë dhe nëse ai do të funksionojë realisht. Disa vende, përfshirë Danimarkën, Italinë, Portugalinë, Austrinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, po shqyrtojnë masa të ngjashme, ndërsa Greqia, sipas burimeve, është shumë pranë një vendimi të tillë.

Një nga idetë e diskutuara është krijimi i një ID-je digjitale në nivel BE-je për verifikimin e moshës, por aktivistët për të drejtat digjitale paralajmërojnë se ende nuk është e qartë si do të funksionojë kjo skemë dhe sa të sigurta do të jenë të dhënat personale.

Sipas kritikëve, ndalimi i rrjeteve sociale nuk adreson problemet strukturore të platformave, si skrolimi i pafund, videot që nisin automatikisht dhe algoritmet që i mbajnë përdoruesit të lidhur për orë të tëra. Ata theksojnë se varësia nuk ndalet thjesht me një kufi moshe.

Debati lidhet edhe me Ligjin e BE-së për Shërbimet Digjitale, i cili synon të detyrojë platformat e mëdha të ndryshojnë algoritmet dhe dizajnin për të mbrojtur të miturit. Por ekspertët vlerësojnë se zbatimi i këtij ligji ka qenë i kufizuar, çka ka shtyrë qeveritë drejt propozimeve më të ashpra.

Sipas Deutsche Welle, ndërsa shqetësimi për shëndetin mendor të fëmijëve është i bazuar në studime, mbetet e paqartë nëse ndalimet kombëtare do të sjellin ndryshime reale apo nëse vetëm veprimi i përbashkët në nivel BE-je mund të ndikojë në mënyrën se si funksionojnë platformat digjitale.