Pas vetëdorëzimit në polici dhe ekzekutimit të vendimit të Apelit të GJKKO-së, që e dënoi me 1 vit burg, kryebashkiaku Edison Memolla është dërguar në IEVP Rrogozhinë.

Memolla u dënua për korrupsion në zgjedhje, pasi SPAK zbuloi një bisedë të tij kur kandidonte në zgjedhjet e pjesshme vendore të marsit 2022, me elektricistin e OSHEE Blerim Xhamani.

Memolla i kërkoi elektricistit të mos i ndërpresë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që të votonte në favor të tij në zgjedhje. Me elektriçistin Xhamani, sipas SPAK, Memolla bisedoi edhe për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës, në këmbim të votës.

Edison Memolla i fitoi zgjedhjet e 6 marsit 2022, të cilat u mbajtën për shkak se paraardhësi i tij ishte ndarë nga jeta. Memolla u konfirmua sërish në zgjedhjet e rregullta vendore një vit më vonë, më 14 maj 2023.

Por procesi u përsërit disa muaj më vonë, korrikun e atij viti, për shkak se opozita kontestoi rezultatin në qendrën e votimit në Burgun e Rrogozhinës. Më 23 korrik 2023 Edison Memolla u rikonfirmua kryetar, në 3 zgjedhje brenda 1 viti e gjysmë.

Me dënimin me formë të prerë, Edison Memolla humbet mandatin e kryebashkiakut dhe Rrogozhinës i duhet të shkojë sërish në zgjedhje.