Shtohen konspiracionet pas raportimeve për origjinën e COVID-19

Shtohen konspiracionet pas raportimeve për origjinën e COVID-19

Gruaja me veshje mbrojtëse kundër Covid

Origjina e COVID-19 mbetet e mjegullt. Tre vjet pas shfaqjes së COVID-19 dhe gjendjes së pandemisë, ende është e paqartë nëse koronavirusi ka rrjedhur nga një laborator apo është përhapur te njerëzit nga kafshët. Ajo çfarë dihet është se kur bëhet fjalë për dezinformatat për COVID-19, çdo raport i ri mbi origjinën e virusit shkakton një rikthim të shpejtë të pretendimeve dezinformuese për virusin, vaksinat dhe maskat, dezinformata këto që kanë pasur jehonë që nga fillimi i pandemisë.

Ndodhi përsëri këtë javë pasi Departamenti i Energjisë i Shteteve të Bashkuara konfirmoi se një raport i klasifikuar përcaktoi se virusi doli nga një laborator. Brenda pak orësh, në internet filluan të përmenden teori të konspiracionit që përfshinin COVID-19 ku shumë komentues thanë se raporti i klasifikuar ishte provë se ata kishin të drejtë gjatë gjithë kohës. Larg nga përfundimi, raporti i Departamentit të Energjisë është i fundit nga shumë përpjekjet e shkencëtarëve dhe zyrtarëve për të identifikuar origjinën e virusit, i cili tani ka vrarë afro 7 milionë njerëz në botë, pasi u zbulua për herë të parë në qytetin qendror kinez, Vuhan, në fund të vitit 2019.

Raporti nuk është bërë publik dhe zyrtarët në Uashington theksuan se një sërë agjencish amerikane nuk janë dakord për origjinën. Shumë shkencëtarë besojnë se shpjegimi më i mundshëm është se koronavirusi kaloi nga kafshët te njerëzit, me gjasë në tregun Huanan të Vuhanit, një skenar i mbështetur nga studime dhe raporte të shumta. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ndërsa origjina shtazore mbetet më eventualja, mundësia e një rrjedhjeje laboratorike duhet të hetohet më tej përpara se të përjashtohet.

Sipas virologes Angela Rasmussen, njerëzit duhet të jenë mendjehapur për provat e përdorura në vlerësimin e Departamentit të Energjisë. Por, ajo tha se pa i vlerësuar provat e përfshira në raportin e klasifikuar, nuk ka asnjë arsye për të kundërshtuar përfundimin se virusi u përhap natyrshëm. “Ne mund dhe e dimë atë që tregojnë provat shkencore”, shkroi Rasmussen të martën në Twitter.

"Dëshmitë që janë në dispozicion ende tregojnë shfaqjen ‘zoonotike’ në tregun Huanan. Megjithatë, shumë nga ata që e cituan raportin si provë, dukeshin të painteresuar për provat. Ata e kapën raportin dhe thanë se ai sugjeron që ekspertët kishin gabuar edhe kur bëhej fjalë për maskat dhe vaksinat. Mbyllja e shkollave ishte një politikë e dështuar dhe katastrofike. Maskat janë të paefektshme dhe të dëmshme”, thuhet në një postim në Twitter që është lexuar gati 300 mijë herë që nga e diela.

“COVID erdhi nga një laborator. Gjithçka që thamë ne skeptikët ishte e vërtetë”. Menjëherë pasi Wall Street Journal publikoi një artikull në lidhje me raportin e Departamentit të Energjisë të dielën, filluan të rriteshin me shpejtësi rastet e përmendjes së COVID-19 në internet. Që atëherë, përmendja e teorive të ndryshme konspirative të lidhura me COVID-in janë rritur, sipas një analize të kryer nga ‘Zignal Labs’, një kompani e inteligjencës mediale me qendër në San Francisko. Kjo analizë u nda me mediumin ‘Associated Press’.

Teksa teoria e rrjedhjes së laboratorit është ripërtërirë vazhdimisht në internet që nga fillimi i pandemisë, referencat ndaj saj u rritën 100 mijë për qind në 48 orët pas zbulimit të raportit të Departamentit të Energjisë, tha analiza e ‘Zignal Labs’. Analiza përfshiu mediat sociale, faqe blogu dhe faqe të tjera. Shumë nga teoritë e konspiracionit kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe gjetjet në raportin e Departamentit të Energjisë.

Në një postim në Twitter të martën, republikania Marjorie Taylor Greene e quajti COVID-19 një "armë biologjike të krijuar nga njeriu në Kinë". Një ndjekës e sfidoi shpejt: "Është bërë në Ukrainë", u përgjigj ai.

Me kaq shumë pyetje të mbetura në lidhje me një ngjarje botërore që ka marrë kaq shumë jetë dhe ka ndryshuar shumë të tjera, nuk është aspak e habitshme që COVID-19 është ende në gjendje të gjenerojë kaq shumë zemërim dhe dezinformata, sipas Bret Schaferit, një bashkëpunëtor i lartë në Aleancën për Sigurimin e Demokracisë, një organizatë me bazë në Uashington që ka gjurmuar propagandën e qeverisë për COVID-19.

“Pandemia ishte jashtëzakonisht shkatërruese për të gjithë. Intensiteti i ndjenjave për COVID-in, nuk mendoj se do të zhduket", tha Schafer. "Dhe, sa herë që vjen diçka e re, ajo u jep jetë të re këtyre ankesave dhe frustrimeve, reale apo të imagjinuara”, tha ai. Zyrtarët e qeverisë kineze kanë përdorur në të kaluarën llogaritë e tyre në mediat sociale për të përforcuar teoritë konspirative kundër SHBA-së, duke përfshirë disa që sugjeruan se SHBA-ja krijoi virusin COVID-19 dhe e kufizoi lëshimin e tij në Kinë.

Deri më tani, ata kanë shfaqur një qasje më të qetë ndaj raportit të Departamentit të Energjisë. Në përgjigjen e saj zyrtare, Qeveria e Kinës hodhi poshtë vlerësimin e agjencisë si një përpjekje për të politizuar pandeminë. Në internet, rrjeti i përhapur i propagandës dhe dezinformimit të Pekinit ishte kryesisht i heshtur, me vetëm disa postime që kritikonin ose tallnin raportin. "Lajmi i fundit", shkroi në Twitter një person me shtrirje të gjerë në rrjete sociale. “Tani mund të njoftoj, me ‘besim të ulët’, se pandemia COVID-19 filloi si një rrjedhje nga laptopi i Hunter Biden”, shkroi më tej ai./REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024