Thuajse në çdo rrugë të Elbasanit ka nga një lypës. Ata shprehen se pamundësi për të gjetur një punë i detyron të dalin për të kërkuar lëmoshë.
"Jemi pa punë, kam katër fëmijë, burri më ka lënë, jetoj në një barankë bashkë me fëmijët dhe patjetër do dal për të lypur, nuk kam ku të shkoj”, thotë nëna e katër fëmijëve.
"Kam bërë dokumentet për shtëpi, nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje jam i pastrehë, dalë nga e keqja për të lypur, nuk kam zgjidhje tjetër. Dua të ha bukë, jam i detyruar të lyp, nuk kam punë”, shprehet i pastrehu që lypte.
Pamundësia për të pasur bukë në shtëpi i detyron të dalin në rrugë çdo lloj moshe dhe gjinie. Siç shikohet edhe në pamje edhe kjo grua çdo ditë detyrohet të dal në rrugë për të kërkuar pak para për të çuar bukë në shtëpi, pasi burri i ka vdekur, ndërsa ajo nuk po mund të gjej punë.
"Nuk kemi asnjë lloj ndihme, nuk kemi ndihmë nga askush, nuk kemi asgjë, jetojmë me qira dhe vuajtje. Burri më ka vdekur, ka dy vjet që ka vdekur burri në Tiranë, kam një fëmijë në jetimore. Në ditët nxjerr 500 lekë të vjetra sa për bukë,” thotë gruaja që ishte ulur për të lypur.
Qytetarët shprehin keqardhje për njerëzit që detyrohen të lypin, por njëkohësisht edhe për situatën e krijuar, pasi çdo ditë e më shumë po shtohen njerëzit që po kërkojnë ndihmë.
Qyteti i Elbasanit renditet ndër qarqet me probleme më të mëdha sociale, aq sa dhe numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike është i lartë. Por ndihma ekonomike nuk mjafton që këto familje të sigurojnë mjetet bazë për jetesën e tyre.
Redaksia Online
Xh.F /Shqiptarja.com

VIDEO









