TIRANË- Mos gjetja e adresës së Zenel Nezës, ish- truprojës së Azem Hajdarit, një prej dëshmitarëve kyç është bërë shkak për shtyrjen sërish të seancës ndaj Izet Haxhisë.

Seanca e radhës u la në 29 janar pasi në gjykatë nuk u paraqit as avokati që mbron të pandehurin Idajet Beqiri. Në këto kushte, gjykata pezulloi afatet e paraburgimit për Haxhinë deri në datën 29 janar 2021.

Edhe seanca e kaluar ndaj Izet Haxhisë është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës Idajet Beqiri.

Kujtojmë se pas 22 viteve vrasja e deputetit Azem Hajdari është duke u rigjykuar nga e para në dhomën penale në Tiranë. Shkak është bërë kërkesa e Izet Haxhisë. 

Haxhia dikur ish-truprojë e Berishës kërkon të përballet në gjyq me dëshmitarët, mes tyre ish- kryeministrin Sali Berisha, për të hedhur dritë sipas tij me të vërteta të pa bëra publike më herët në lidhje me vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari.