Seanca gjyqësore që vendos për kërkesën e PD për bashkimin e dy statuteve të PD do të shtyhet për në 22 dhjetor ora 09:00. Përfaqesuesi i grupit të Alibeajt Rezart Kthupi kërkoi t’i jepet një kohë prej 2 ose 3 ditë, për tu njohur me aktet.
Në rast se gjykata do të pranojë ankimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore, atëherë 'zhbëhet' Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i Sali Berishës.
Ndërkohë ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës, u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri i cili më 25 mars i kaloi PD-së Berishës. Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës. Për këtë arsye, Gjykata sqaroi më parë se çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, e cila do të ishte një vendim i formës së prerë që do vendosë për fatin e Partisë Demokratike.
Pasi u njoh me argumentet e plota të gjyqtarit Agron Zhukri, që më 25 mars i dorëzoi Partinë Demokratike Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, në cilësinë e nënkryetarit të selisë blu, Enkelejd Alibeaj ankimoi vendimin për regjistrimin e statutit logos dhe vulës së re, të miratuara nga grupi i Berishës më 11 dhjetor. Në ankimin, Alibeaj kërkon prishjen e këtij vendimi, duke e rikthyer çështjen për gjykim nga një tjetër trupë gjykuese ose pushimin e saj.