Fati i PD në Gjykatën e Apelit! Alibeaj ankimon miratimin e Statutit të Berishës nga gjyqtari Zhukri! Kërkon prishjen e vendimit ose rishqyrtim me gjyqtar tjetër

TIRANË- 3 ditë pasi u njoh me argumentet e plota të gjyqtarit Agron Zhukri, që më 25 mars i dorëzoi Partinë Demokratike Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, në cilësinë e nënkryetarit të selisë blu, Enkelejd Alibeaj ankimon vendimin për regjistrimin e statutit logos dhe vulës së re, të miratuara nga grupi i Berishës më 11 dhjetor.

Në ankimin, Alibeaj kërkon prishjen e këtij vendimi, duke e rikthyer çështjen për gjykim nga një tjetër trupë gjykuese ose pushimin e saj.

"Prishjen e vendimit NR 1346/222 Akti Nr. 3. Vendimi datës 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukri duke vendosur pushimin e gjykimit ose kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë, por me të njëjtën trupë gjykuese", thuhet në dokument.

Megjithatë,  pavarësisht se Alibeaj e kishte paralajmëruar ankimimin, Komisioni i Rithemelimit nuk ka pritur vendimin final të Apelit, pasi sipas juristëve të tyre, tyre regjistrimi i Statutit nuk mund të ankimohet, por hyn menjëherë në fuqi.  Për këtë arsye, menjëherë pas vendimit të Zhukrit, Komisioni i Rithemelimit u zhvendos në selinë blu, duke nisur ndryshimin e saj, që prej ambienteve të brendshme, e deri te zëvendësimi i logos në godinën e jashtme.

Gjyqtari Agron Zhukri, në konflikt interesi regjistroi statutin e miratuar në Kuvendin e Thirrur prej Sali Berishës, në të cilin delegatët vendosën edhe shkarkimin e Lulzim Bashës si drejtues i PD, por edhe organeve drejtuese të Partisë.

Kujtojmë se pas vendimit Partia Demokratike kallëzoi në SPAK gjyqtarin Agron Zhukri për shpërdorim detyre. Sipas shkresës së dorëzuar në SPAK nga Gazmend Bardhi, gjyqtari Agron Zhukri shkeli vendimin e vet për të pezulluar shqyrtimin e çështjes derisa të përfundonte gjykimi tjetër për kërkesën e PD për ndryshimet statutore. Ka qenë vetë gjyqtari Zhukri i cili vetëm pak ditë pasi u përcaktua nga shorti që të shqyrtonte çështjen dha dorëheqjen nga çështja, me argumentin se nuk i takonte të merrej me këtë çështje. Ai ka shpjeguar se më parë bashkëshortja e tij ka punuar për ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjyqtari madje ka shprehur se edhe në 2018 kishte bërë të njëjtën gjë duke dhënë dorëheqjes nga çështja Rama-Berisha. Megjithatë në një vendim të mëpasshëm Gjykata e Tiranës nuk ia pranoi kërkesën për dorëheqje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:41
Alibeaj ankimoi vendimin e gjykatës për ndryshimet statutore, PD: Është i shkarkuar, nuk plotëson asnjë kriter legjitim për t’u ankuar

1648713292_ALIBEAJ.jpeg

Komisioni i Rithemelimit, i mandatuar tashmë nga Gjykata për të drejtuar PD-së,  i është përgjigjur Enkelejd Alibeaj i cili ankimoi sot vendimin e Gjykatës së Tiranës që njohu statutin e Kuvendit të Berishës, në 11 dhjetor. Në reagimin e tyre, ato sqarojnë se Alibeaj është shkarkuar si Nënkryetar i PD dhe për pasojë nuk plotëson asnjë kriter legjitim për t'u ankuar. Sipas Komisionit të Rithemelimit, ky akt është përpjekja e Alibeajt dhe Bashës që vulën e PD-së ta mbajë Edi Rama.

"Nga mediat jemi vënë në dijeni që nën emrin e Partisë Demokratike është paraqitur një kërkesë ankimore kundër vendimit nr.1346/222 dt.25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nënshkruar nga Enkeled Alibeaj. 

Së pari, sqarojmë se askush nuk mund të ndërmarrë veprime në emër të Partisë Demokratike. Kuvendi Kombëtar i PD dt.11 dhjetor 2021, ka mandatuar si të vetmin organ drejtues të Partisë Demokratike Komisionin e Rithemelimit të Partisë. Gjithashtu, Kuvendi ka shkarkuar Z. Alibeaj si nënkryetar i Partisë Demokratike. Pra, nuk përfaqëson PD në asnjë marrëdhënie me të tretët.

Së dyti, përsa i takon kërkesës ankimore, ajo është paraqitur nga persona të palegjitimuar të bëjnë ankim kundër vendimit të mësipërm të gjykatës. 

Kodi i Procedurës Civile përcakton:

Neni 442/a
Ankimi

“Ankimi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës dhe veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre” Pra, vetëm palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proçes mund të bëjnë ankim. Askush tjetër. 
Me “palë“ kuptohet i padituri dhe personi i tretë. 
Me “pjesmarrës te tjerë” kuptohet Avokati i Shtetit, i Popullit ose Prokurori atëherë kur ligji ua detyron pjesëmarrjen në një proces civil. 
Ankimuesi, në këtë rast, nuk ka qenë as palë e as pjesëmarrës në proçes dhe nuk plotëson asnjë nga kriteret legjitimues për tu ankuar.

Ky gjykim është zhvilluar komform proçedures pa të paditur, pa persona të tretë dhe pa asnjë pjesmarrës tjetër. Vetem me “kërkues” Komisionin e Rithemelimit të PD. Njëlloj si në të gjitha rastet e tjera të këtij tip procesi.

Në këto kushte, Sekretaria e Gjykatës ku është paraqitur kërkesa ka detyrimin tua kthejë mbrapsht atë komform kritereve të Kodit të  Proçedurës Civile. Së fundmi, PD denoncon aktin Basha - Alibeaj  si përpjekje e dëshpëruar e Edi Ramës për të mbajtur peng vulën e PD kundër vullnetit të shumicës së demokratëve të shprehur qartë në kuvendin e tyre më 11 Dhjetor 2021 dhe të çertifikuar në kutitë e votimit më dt. 6 mars 2022", thuhet në reagim. 

K.T./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur