Shtypi çek diskuton sërish
librin "Hrushovi" të Ylljet Aliçkaj

Shtypi çek diskuton sërish<br />librin "Hrushovi" të Ylljet Aliçkaj
Jehonë e shtypit letrar çek "Iliteratura.cz" mbi librin "Kur kaloi Hrushovi pranë fshatit tonë" të shkrimtarit Ylljet Aliçka, përkthyer në gjuhën çeke nga Přemysl Vinš, Shtëpia Botuese "PetrŠtengl", Pragë, 2015, f. 134.

Ja shkrimi:
 
Të argëtohesh me tmerrin e humorit të zi dhe absurditetin e socializmit alla shqiptar.  
  
Jan M. Heller
 
Në vendet, në të cilat gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar sundonte socializmi, trajtimi letrar i regjimit komunist mund të marrë forma dhe gjini të ndryshme.
Përveç traditës së veçantë letrare të secilit vend ish-komunist, distanca e pamjaftueshme historike ndofta është shkaku kryesor se jo në të gjitha letërsitë e ish-bllokut lindor pas kësaj periudhe u tha fjala e fundit në formën e një romani, që do të ndikonte opinionin publik.

Nga kjo pikëpamje duket se tregimi përbën zhanrin më të përshtatshëm, pasi nuk kërkon nga autori një përgjegjësi të tillë: nuk kërkon asnjë gjest të përgjithshëm dhe i mundëson autorit që të përqendrohet për detajet. Njëkohësisht nuk zhduket as rrëfimi për kohën që përshkruhet. Para pak kohe u përkthyen në gjuhën çeke përmbledhje të tilla tregimesh nga Moldavia ose Ukraina dhe, së fundmi, nga letërsia shqipe, e cila te ne përkthehet kaq rrallë.
 
Ylljet Aliçka, prozator, shkrimtar, autor skenarësh dhe ish-diplomat, në pesëmbëdhjetë tregime të shkurtra të mbledhura me titullin "Kur kaloi Hrushovi pranë fshatit tonë", merret me kohën e regjimit komunist dhe me kohën e viteve kaotike dhe të rrezikshme pas rënies së tij.
 
Nuk thuhet hapur, por duket qartë se botimi çek nuk është përkthimi i përmbledhjes origjinale të Aliçkës, por bëhet fjalë për një përmbledhje të tregimeve më të mira që ka përgatitur për botim përkthyesi Přemysl Vinš.

Parathënia e përkthyesit sqaron kontekstin e veçantë historik të Shqipërisë, si një rast i veçantë në kuadrin e bllokut komunist, për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në periudhën pas Stalinit dhe të orientimit të saj me Kinën e largët. Falë kësaj situate, socializmi shqiptar ishte nga shumë pikëpamje më i rreptë se në vende të tjera të "kampit të paqes": me projekte ekonomike megalomane, spastrime brutale, lufta më e ashër kundër fesë, militarizimi i vendit ishte më i madhi dhe varfëria pas rënies së komunizmit në vitet '90 akoma më e dukshme.

Nga këto rrethana të një vendi totalitar, realitetin e të cilit lexuesi çek as nuk mund ta imagjinojë, tregimet e Aliçkës nxjerrin vetëm disa copëza të vogla të jetës së përditshme. Bëhet fjalë më shumë për miniaturat të bazuara mbi sinekdokat e motiveve individuale dhe mbi ngjarjet e vogla që shprehin dëshpërimin dhe, para së gjithash, absurditetin e jetës së përditshme të banorëve të vendit.

Perspektiva e tyre zë vendin kryesor: tregimet rrëfehen në vetën e parë (në një masë të ndjeshme ato janë autobiografike), nga një student ose mësues, pra personazhet kryesore janë njerëz të "thjeshtë" me hallet e tyre të përditshme.

Madje, në njëfarë mase këto tregime ndryshojnë imazhin e vendit, siç del nga leximi i parathënies shkruar nga përkthyesi. Ato mbështeten mbi konfliktet e përditshme me egërsinë ose budallallëkun e regjimit, pra me politikën e madhe. Konflikte me natyrë dhe karakter të ndryshëm. Siç mund të jetë loja mizore e një roje burgu me nënën e një të burgosuri, e cila kërkon trupin e birit të saj të vdekur në burg (Mbjellja e pemëve), ose mungesa e kurajës të bashkudhëtarëve në një autobus, të cilët nuk guxojnë të mbrojnë një nënë tjetër, që po shkon në burg për të vizituar të birin (Nëna).

Në një pol tjetër kemi disa tregime, brenda të cilave zhvillohen histori, të tilla që sikur janë nxjerrë nga drama absurde: i tillë është tregimi për shokët-studentë, të cilët përpiqen të hyjnë me pretekste të ndryshme në familje që kanë televizorë.

Reagimi i lexuesit është i qartë dhe në përgjithësi i pritshëm: argëtimi me ashpërsinë e humorit të zi ose tmerri i vërtetë, të dyja në një fqinjësi të ngushtë ose të lidhura në mënyrë të pandashme me njëra-tjetrën.

Përshtypjet nga ky libër i përforcon edhe stili i autorit, që nga pikëpamja e gjuhës dhe e kompozimit nuk është aspak i komplikuar. Përkundrazi, stili i tij është më shumë konkret dhe i thjeshtë.

Duket të jetë një veçori e autorit mënyra e veçantë e mesazhit përfundimtar të tregimeve: situatat e tmerrshme ose ato që nuk mund të kuptohen vetëm me logjikë, zakonisht përfundojnë pa zhurmë, thjeshtësisht, shpesh me një motiv natyror. Mungesa e ndonjë mesazhi përfundimtar të tregimeve nuk të krijon asnjë habi apo ndjesi të keqe, sepse gjithë situata e përshkruar në to si normale është mjaft e çmendur.

Po të kërkonim një mesazh përfundimtar, mund ta gjejmë në nivelin e interpretimit: tregimet e Aliçkës përmbajnë një mesazh moral që rrallë shprehet në mënyrë eksplicite. Në tregimet, në të cilat autori i rrëfen ngjarjet si kujtimet e tija, me një distancë kohore, rrallë hasim ndonjë pozicionim të tij, gati një koment i hutuar, ose vetëm përshkrim emocionesh që ai ndien. P.sh. takimi i autorit me një ish-gardian burgu ose me shokun e klasës, i cili bashkëpunonte me Sigurimin dhe spiunonte shokët e tjerë.
Në këtë kuptim, në pamje duket e vështirë për të formuluar ndonjë vlerësim përgjithësues mbi pozicionin e autorit në tregimet e Aliçkës.

Autori shkruan në një mënyrë që të flasin vetë situatat konkrete, të cilat, ose nuk i komenton fare, ose duke shikuar mbrapsht ankohet për to.

Nuk gjejmë këtu as dëshmitë e tmerrshme për kampet e përqendrimit, as pushkatimet, urinë dhe atributet e ngjashme të imazhit letrar të diktaturës komuniste.
Aty ka vetëm dëshmi për njerëzit e thjeshtë, në përditshmërinë e tyre, të cilët me të gjitha pengesat që kanë, mundohen të jetojnë një jetë më të mirë si kudo në botë.
Duhet thënë se ky këndvështrim na mjafton krejtësisht.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Ka një mënyrë të kuptohet, nëse politika është peng i këtyre bandave që po arrestohen

Ka një mënyrë të kuptohet, nëse politika është peng i këtyre bandave që po arrestohen