/ATSH-Behlul Jashari/.- "Beteja e shqiptarëve për Evropën e madhe", është një nga kryetitujt e ballinave të sotme të gazetave të Kosovës, të cilat pasqyrojnë gjerësisht vizitën historike të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Preshevë, pas qëndrimit në Beograd, në vizitën në Serbi të vlerësuar shumë të rëndësishme edhe për rajonin.
Gazeta "Zëri", me kryetitullin e faqes së parë edhe në faqet e brendshme, thekson se "Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar në Preshevë se shqiptarët nuk janë në betejë për një 'Shqipëri të Madhe', por janë në një betejë të përbashkët për një Evropë të madhe. Rama ka kërkuar që të respektohen të drejtat e shqiptarëve në Serbi, njësoj siç respektohen të drejtat e serbëve në Kosovë".
"Kosova falënderon Edi Ramën!", është një titull tjetër në faqen e parë në "Zëri" i shkrimit ku theksohet se "përfaqësuesit e institucioneve dhe të partive politike në Kosovë e kanë vlerësuar si historike vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd, ndërkaq i kanë cilësuar dinjitoze, deklaratat e tij për pavarësinë e Kosovës.
Liderët në Prishtinë, po ashtu, e kanë falënderuar kryeministrin shqiptar për qëndrimin që mbajti lidhur me domosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga shtetit serb, edhe për vizitën dhe përkushtimin për më shumë të drejta në Luginën e Preshevës. Sipas tyre, Rama në Beograd e ka dëshmuar përkushtimin e shqiptarëve për paqe në rajon, si dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian".
"Rama, më në fund!", është titulli në faqen e parë i editorialit që botohet në krye të faqes së dytë në "Zëri", ku theksohet që në fillim se "diçka e madhe po ndryshon me shpejtësi të paimagjinueshme për rajonin dhe shqiptarët" dhe se "me paraqitjen dinjitoze, pa asnjë kompleks inferioriteti që, ç'është e vërteta, na ka karakterizuar shpesh në komunikim me Beogradin, Kryeministri shqiptar ua tha atë që do të duhej ta thoshte".
"Shqipëria është kjo e Kryeministrit Edi Rama. Se kohës së komplekseve që mund të kenë pasur shqiptarët e përçmuar karshi serbëve të 'modernizuar' në ish-Jugosllavi, i ka ardhur fundi", shkruhet me shkronja të theksuara në editorial.
Gazeta "Koha Ditore", në fotolajmin e ditës - të faqes së parë, shkruan se, "i pritur me flamujt kuqezi dhe me ovacione nga mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka porositur të martën, gjatë ditës së dytë të vizitës historike në Serbi, se nuk do të lejojë asimilimin e shqiptarëve dhe se nuk ka arsye që shqiptarët në këtë rajon të mos i gëzojnë të njëjtat të drejta sikurse edhe serbët në veri të Kosovës".
Në raportimet e gjëra në faqet e brendshme të "Koha Ditore", një nga mbititujt është "Kryeministri i Shqipërisë viziton edhe Luginën e Preshëvës", ndërsa titulli:"Rama: 'Nuk do të lejoj asimilimin e shqiptarëve në Luginë".
"'Shqipëria do të mbështesë qëndrimet që çështja e zgjidhjes së problemeve në Luginën e Preshevës të jetë në një vijë me përafrimin e Serbisë drejt BE-së, ndërsa nuk do të lejoj asimilimin e shqiptarëve në këtë rajon', ka thënë Rama dhe ka shtuar se tani ka ardhur momenti historik për tejkalimin e së kaluarës përplot urrejtje dhe i hapjes drejt 'shtegut të gjerë të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë'", theksohet në nëntitll.
"'E ardhmja e mbarë rajonit është në BE, ndërsa Shqipëria dhe Kosova paraqesin garancinë e stabilitetit dhe demokracisë në rajon', tha Rama në Preshevë", shkruhet nën një foto.
Në një shkrim tjetër të "Koha Ditore" theksohet në mbititull se "Kryeministri shqiptar në kthim nga Serbia kalon nëpër Kosovë" dhe në titull "Rama pritet si hero në Prizren".
"Rama: Modeli i serbëve të Kosovës për Luginën", ëshë një nga kryetitujt në ballinë të gazetës "Tribuna", ku theksohet në mbititull se "mijëra shqiptarë presin Kryeministrin Edi Rama në Preshevë".
"Kryeministri shqiptar Edi Rama tha dje në Preshevë se shteti shqiptar nuk do të tërhiqet nga detyrimi i tij kushtetues, për të qenë i angazhuar në mënyrë konstante që duke forcuar dialogun dhe bashkëpunimin me Serbinë, të forcojë pozitën e vet për të mbrojtur dhe mbështetur aspiratat e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Sërbisë", theksohet në nëntitull.
"Rama: Do t'i mbrojmë interesat e gjithë shqiptarëve", është kryetitulli në gazetën "Epoka e Re", ku citimi vazhdon edhe në nëntitull: "Serbia t'i respektojë të drejtat e shqiptarëve të Luginës ashtu siç është duke vepruar Kosova me serbët".
"Rama u tregua burrështetas" dhe "Vizita e Ramës në Luginë të Preshevës ishte një kryevepër", citohet Adem Demaçi në një mbititull e titull tjetër në faqen e parë të gazetës "Epoka e Re". Simboli i rezistencës kombëtare në Kosovë, Adem Demaçi, në një intervistë për gazetën, e ka analizuar vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Serbi dhe në Luginë të Preshevës.
Gazeta thekson se, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, e ka vlerësuar lart vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Serbi.
Ai ka thënë se Kryeministri shqiptar në Beograd dhe në Preshevë është sjell në mënyrë dinjitoze dhe ashtu si i ka hije një burrështetasi të një vendi anëtar të NATO-s. Ai ka deklaruar se Rama nuk është treguar as nacionalit e as ekstremist. "Edi Rama është mbajtur ashtu siç i ka takuar. Ai është paraqitur pa kurrfarë vërejtjesh. Ai nuk është treguar as nacionalist, as i tepruar e as i skajshëm. Ka qenë tamam një burrë shteti, të cilit do të duhej t'ia ketë lakmi gjithë bota demokratike", ka thënë Demaçi.
Simboli i rezistencës kombëtare ka vlerësuar se tash e tutje Serbia duhet ta kuptojë se ka fqinjë plotësisht të barabartë. "Kjo vizitë e ka tejkaluar inferioritetin e krerëve të shtetit shqiptar ndaj atyre serbë. Kësaj here, e përgjithmonë, Serbia mund ta ulë bishtin dhe duhet ta kuptojë se ka një fqinj të barabartë për gjithçka. Kështu që, kjo vizitë ishte fort e mirë dhe me një mesazh të fuqishëm për Evropën dhe shqiptarët që janë jashtë Shqipërisë", është shprehur Demaçi.
"Rama: Të drejtat dhe liria e shqiptarëve janë të paprekshme! Do ti mbrojmë!", ëhtë kryëtitulli në ballinë të gazetës "Bota Sot". "Për të rilindur shqiptarinë, kudo shqiptari jeton", vazhdon citimi në nëntitull.
"Edi Rama shokoi Vuçiçin, eklipsoi politikanët shqiptarë! - Rama i bën krenarë shqiptarët", theksohet në një titull e nëntitull tjetër në faqen e parë të "Bota Sot". Në ballinë është edhe titulli i editorialit: "Supremacia shqiptare në Ballkan po rilind!?"
"Shpresë për Luginën", është editoriali në krye të faqes së parë i gazetës "Kosova Sot", ku që në fillim theksohet se, " vizita e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mund të ngjallë shpresat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi se, më në fund, edhe për ta do të ngrejë zërin shteti amë".
Edhe të gjitha mediat e tjera në Kosovë vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dje në Preshevë, sikur edhe në Beograd një ditë më parë, e kanë vlerësuar historike dhe e kanë raportuar gjerësisht dhe me shumë interesim duke e dhënë gjithnjë lajm të parë dhe me transmetime të drejtpërdrejta të radiotelevizioneve kosovare./k.s/