PRISHTINË, 22 Shtator /ATSH-Behlul Jashari/.- "Petku shqiptar, që sot bota do ta vesh!", theksohet në editorialet e shtypit të sotëm në Kosovë, i cili i bën jehonë të gjerë në faqet kryesore e në shumë faqe raportesh, opinionesh e fotografish, vizitës historike të Papa Françeskut në Shqipëri, në ditën që do mbetet e shënuar, 21 shtator 2014.
"Një vend dhe një popull që kurrë nuk ka njohur përleshje fetare, ky është petku, që sot bota do ta vesh nga shqiptarët!", theksohet në përfundimin e editorialit të gazetës "Bota Sot", ku fillimisht shkruhet se "Papa Françesku, Ati i Shenjtë erdhi me mesazhin më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët", në vendin e tolerancës së feve e besimeve fetare.
"Respekt për Papën, por edhe për njëri-tjetrin", është editoriali i gazetës "Kosova Sot", ku pasi konstatohet se "këndej e andej kufirit, jemi mësuar ndër breza të shprehim respekt" theksohet se "njëra nga agjencitë e njohura të lajmeve e kishte këtë titull dje: "Vizita e Papës bën bashkë politikën".
"Papa bashkoi provincializmin politik" është titulli i editorialit të gazetës "Zëri", ku fillohet me konstatimin se, "vizita e Papa Françeskut përçoi mesazhe të shumta për miliona shikues nga mbarë bota, që ditën e djeshme kishin drejtuar sytë nga Shqipëria".
Ndërsa, përfundohet se Shqipërisë "Papa i dha mundësinë që këtë shtet ta njohin miliarda njerëz nga mbarë bota, si shtetin më të ri në rrugëtimin e saj drejt Evropës, tani u mbetet krerëve të saj ta udhëheqin këtë vend drejt vlerave që i njeh Perëndimi!"
Ndërsa në raportimet e gjera të gazetave të sotme të Prishtinës, mes të tjerash theksohen edhe "mediat e huaja, për vizitën e Papës në Shqipëri" dhe kontatohet se "Shqipëria rrëmben vëmendjen e botës", pranë një fotoje ku shihen bashkë në Tiranë Ati i Shenjtë Papa Françesku dhe Kryeministri shqiptar Edi Rama.
Për jehohën në Kosovë, shtypi kosovar thekson se "Prishtina e sheh vizitën e Papës si dëshmi për orientimin perëndimor të shqiptarëve".
"Njohja nga Vatikani" është titulli i një opiononi në shtypin e sotëm të Kosovës, ndërsa një nga titujt në ballina dhe në brendi të gazetave është: "Zëdhënësi i Vatikanit: Njohja e Kosovës, çështje protokollesh dhe jo refuzimi"./k.s//m.m/