Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, konfirmon në Report Tv se samiti i radhës i NATO-s, kurdo që të zhvillohet, do të mbahet në Tiranë. I pyetur nga gazetari Nertil Agalliu për arsyet e shtyrjes së samitit, i cili fillimisht ishte planifikuar për vitin 2027, Hoxha tha se data mbetet e hapur dhe do të caktohet nga vendet aleate, në dakordësi me Sekretariatin e NATO-s.
Sipas ministrit, aleatët do të vendosin të mblidhen kur ta gjykojnë të nevojshme dhe kur të ketë çështje të mjaftueshme për diskutim. Hoxha shtoi se Shqipëria e mirëkupton nëse vendet anëtare e konsiderojnë vitin 2027 shumë afër samitit të Ankarasë. Ai theksoi se vendimi për datën merret bashkërisht nga aleatët dhe se Tirana mbetet mikpritëse e samitit të radhës.
“Janë dy vendime, nëse samiti do të mbahet në Tiranë dhe kur do të mbahet. E para ka marrë përgjigje. Samiti i ardhshëm, kurdo që të mbahet, do të zhvillohet në Tiranë. Se kur do të mbahet, kjo çështje mbetet e hapur. Data vendoset në dakordësi me Sekretariatin e NATO-s dhe me vendet e tjera aleate, kur të ketë nevojë dhe përmbajtje të mjaftueshme për mbajtjen e samitit.
Nëse vendet anëtare gjykojnë se viti 2027 është shumë afër samitit që u mbajt në Ankara, ne e kuptojmë këtë. Por, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, kurdo që të mbahet, samiti i radhës do të jetë në Tiranë.
Kjo nuk ka lidhje me Shqipërinë, as me situatën, as me kredencialet e saj. Është një vendim që merret bashkërisht, për t’i dhënë samitit sa më shumë përmbajtje dhe peshë në momentin kur të mbahet. Vendet anëtare mund të vendosin në çdo moment.
Samiti i ardhshëm, kurdo që të mbahet, do të zhvillohet në Tiranë dhe ne jemi të lumtur të jemi mikpritës e të tregojmë kredencialet e një vendi që ka investuar dhe vazhdon të investojë në sigurinë në rajon, në Europë dhe në hapësirën euroatlantike”, tha Ferit Hoxha në Report Tv.
Lajmi kryesor:
LIVE TV -Nga samiti i NATO-s te buxheti për diplomacinë e rruga drejt BE-së, ministri Ferit Hoxha intervistë në Report Tv






