Sikundër pritej, këtë verë Shkëndija e Tetovës e ka mbyllur shumë shpejt aventurën në Europë. Skuadra shqiptare e Maqedonisë së Veriut pas eliminimit nga Champions League i ka dhënë fund edhe aventurës në Europë League. Të martën në mbrëmje skuadra e drejtuar nga Qatip Osmani synonte përmbysjen e rezultatit ndaj Dudelanxhe në transfertë, pasi ishte mposhtur 1-2 në ndeshjen e parë, por pavarësisht optimizmit fusha e lojës ka dhënë një tjetër verdikt.
Në Luksemburg 90 minutat janë mbyllur me shifrat e barabarta 1-1, duke mos I dhënë asnjë shans Shkëndijës e cila u ndëshkua e para. Delgado në minutën e 78 zhbllokoi shifrat për ekipin vendas, ndërsa Ibrahimi në kohën shtesë barazoi me një supergol, por që vlejti sa për statistikë. Për t’u veçuar në këtë sfidë edhe tre kartonët e kuq të marrë nha Shkëndija, e cila e mbylli ndehsjen me 8 lojtarë.
Të njëjtin fat si Shkëndija ka patur edhe skuadra kampione e Kosovës Ferronikeli, që pavarësisht pretendimeve për përmbysje është eliminuar nga Europa League. Në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ Ferronikeli ka pësuar një tjetër disfatë 0-2 ndaj Slovan Bratislavës pas humbjes 2-1 në ndeshjen e parë në transfertë.
Sllovakët vranë shpresat e shqiptarëve të Kosovës që në minutën e 19-t me Di Marco, ndërsa pak pas fillimit të pjesës së dytë stampuan edhe shifrat përfundimtare të kësaj sfidë. Edhe Ferronikeli aventurën në Europë e nisi nga Champions League, por pas dështimit në këtë kompeticion si dhe Europë League, duhet t’i thotë mirupafshim ndeshjeve ndërkombëtare.