Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përfundon mbledhjen e jashtëzakonshme për vdekjen e kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Zi kishtare për 5 ditë, 25-29 janar dhe pritje e trupit të martën e 28 Janarit, në orën 16:00 para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, teksa homazhet nisin menjëherë pas mbërritjes së trupit dhe deri më 29 Janar.
Ceremonia e varrimit e Hirësisë së Tij do të kryhet të enjten e 30 Janarit, në orën 11:00, menjëherë pas Liturgjisë Hyjnore.
Gjithashtu u vendos edhe zgjedhja e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit, si Mbikëqyrës (Locum Tenens) të Fronit Kryepiskopal, përkohësisht. Zgjedhja e pasuesit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos do të bëhet në një fazë të dytë. Nesër në Greqi do të mbahet një meshë e veçantë në Athinë.
“Në përfundim të seancës, Sinodi i Shenjtë kreu një shërbesë përshpirtjeje dhe, njëkohësisht, fton të gjithë besimtarët të bashkohen në lutje për prehjen e shpirtit të Atit dhe Kyebariut tonë, Kryepiskopit të ndjerë Imzot Anastasit”, thuhet në njoftimin e Kishës.
Njoftimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë:
“KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
SINODI I SHENJTË
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme sot, më datë 25 janar 2025, në orën 11:30.
Në këtë seancë, Sinodi shprehu dhimbjen e thellë për fjetjen në Zotin të Atit dhe Kryebariut tonë, Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit.
Gjithashtu, Sinodi i Shenjtë mori këto vendime:
1. Zgjedhjen e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit, si Mbikqyrës (Locum Tenens) të Fronit Kryepiskopal.
2. Shpalljen e zisë kishtare për pesë ditë, nga datat 25 - 29 janar 2025.
3. Pritja e trupit të Kryepiskopit të ndjerë do të bëhet para Katedrales "Ngjallja e Krishtit" Tiranë, të martën, datë 28 janar, ora 16:00. Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda Katedrales gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së nesërme, të mërkurën, datë 29 janar 2025.
4. Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.
Në përfundim të seancës, Sinodi i Shenjtë kreu një shërbesë përshpirtjeje dhe, njëkohësisht, fton të gjithë besimtarët të bashkohen në lutje për prehjen e shpirtit të Atit dhe Kyebariut tonë, Kryepiskopit të ndjerë Imzot Anastasit.
Sekretariati
Mitropoliti i Amandias† Nathanail /Tiranë, më 25 janar 2025”.
Lajmi kryesor: