Shuhet mikja e shqiptarëve
Johanna Gerechter Neumann

Shuhet mikja e shqiptarëve<br />Johanna Gerechter Neumann
Johanna Gerechter Neumann u nda nga jeta me 26 prill 2017. Shkurt e quanin Jutta. Vërsnikët e saj në Shqipëria e thirrën Flutura.

Rrugëtimi i paharruar i Fluturës së Shqipërisë u nis me 2 dhjetor 1930 në Hamburg të Gjermanisë. Johanna ishte vajza e vetme në një familje tregtarësh gjermanë me prejardhje hebreje. Për t'i shpëtuar zezonës naziste, familja Gerechter vendosi të largohej përfundimisht nga Gjermania. Politikat liberale të Mbretit Zog i mundësuan prindërve të Johannës të merrnin një vizë turistike në Legatën Shqiptare në Berlin, të lëshuar prej Thoma Luarasit. Ajo vizë iu shpëtoi jetën.

Në mars 1939 familja Gerechter mbërriti në Shqipëri dhe u ngul në Durrës. Lindja e princit trashëgimtar Leka me 5 prill 1939 u prit me gëzim të veçantë edhe nga banorët më të rinj të qytetit bregdetar. Mbreti Zog premtoi nxjerrjen e një dekreti për dhënien e shtetësisë shqiptare të gjithë të huajve të ndodhur në Shqipëri. Mirëpo gëzimi nuk zgjati shumë. Me 7 prill trupat e Musolinit zbarkuan në Durrës.

Befas Flutura u bë dëshmitare e pushtimit të Shqipërisë, çka shenjoi fillimin informal të Luftës II Botërore. Nga Durrësi familja Gerechter u çvendos në Tiranë, Berat, Lushnje, Shkozet, Krujë, deri sa vendi u çlirua. Hollësitë Johanna i ka përshkruar në librin e saj "Via Albania", të përkthyer edhe në shqip. Falë zakoneve dhe karakterit të popullit shqiptar, ku spikasin institutet e lashta dokësore të ndores dhe besës, familja Gerechter doli e paprekur nga Nata e Zezë e Holokaustit. Familja e inxhinierit Bedri Pilku strehoi dhe shpëtoi familjen Gerechter.

Flutura e vogël bëri shumë miq në Shqipëri. Krahas familjes Pilku, përmendim këtu Erika Përmeti Toptanin, me të cilën Johanna mbajti lidhje deri vonë. Përmendim po ashtu edhe Bedri Ramën, një djalosh tiranas, miqësia e të cilit me Johannën u ndërpre befas për shkak të luftës. Me Bedriun Johanna u "ritakua" vetëm 70 vjet më vonë, përmes telefonit.

Mirënjohja për Shqipërinë e vogël dhe popullin e vet fisnik u kthyen në qëllimin e jetës së Johannës në Amerikë. Ajo mori përsipër si mision të shenjtë që t'i bënte të ditur botës mbarë për përvojën e saj jetësore. Ajo do të fliste në dhjetra konferenca, seminare e takime, ku do të evokonte pa u lodhur dashurinë, kujtesën, mirënjohjen për popullin shqiptar.

Jeta e Fluturës Johannë ishte e jashtëzakonshme - e lidhur me shpirt me Shqipërinë dhe pazgjidhmërisht e pandarë nga populli jonë. Johanna mbeti deri në fund Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Shqipërinë. "Këta njerëz meritojnë respektin më të madh", do të deklaronte Johanna Gerechter Neumann në Ditën e Kujtesës në maj 2006 tek Muzeumi Holokaust në Uashington, duke iu referuar shqiptarëve. "Të gjithë e dinin se kush ishim. Por askujt nuk i shkoi ndërmend të na dorëzojë".

Ajo iu bashkua shumë projekteve që lidheshin me Shqipërinë. Për kontributin e saj të veçantë, Johanna Gerechter Neumann u nderua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, si dhe u shpall Qytetare Nderi e Durrësit dhe e Tiranës. 

Nuk harrohen fjalët përmbyllëse të vajzës së vetme gjermano-hebreje nga Hamburgu nëpër konferencat dhe takimet e ndryshme për Shqipërinë në mbarë botën: "Talmudi thotë se kush shpëton një jetë njerëzore, ai ka shpëtuar gjithë botën. Unë isha vajzë e vetme dhe, së bashkë me prindërit e mi, i mbijetuam Holokaustit falë popullit shqiptar. Jam shumë e lumtur t'ju them se sot unë kam sjellë në jetë katër fëmijë, katërmbëdhjetë nipa dhe mbesa, dhe nëntëmbëdhjetë stërnipa dhe stërmbesa... Dhe një tjetër pritet të lindë..."

Pishtari i saj shpirtëror do të mbetet përherë i shndërritshëm. Na mbetet ne pesha e rëndë e njëmendësimit të amanetit të vlerave që ajo mbartte, si dhe të projekteve që ajo i nisi, por nuk arriti t'i përfundojë.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar