NISHANI: MJESHTER I DIALOGUT E DIPLOMACISE
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve të Arbën Xhaferrit. “Në këtë moment të dhimbshëm më lejoni që në emrin tim, të familjes sime dhe të bashkëkombasve të mi në Republikën e Shqipërisë t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e bashkëshortit dhe babait të dashur, dhe nëpërmjet jush politikanëve për humbjen e kolegut të tyre të vyer, gjithë bashkëqytetarëve të tij në Republikën e Maqedonisë për humbjen e një udhëheqësi vizionar.
Arbën Xhaferri vuri në dispozicion idealet e tij për t’i shërbyer popullit, lirive njerëzore, demokracisë, bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit dhe gjithë arsenalin e tij shpirtëror dhe intelektual. Si një politikan vizionar ai përdori me mjeshtri dialogun dhe diplomacinë edhe në momentet kur paqja dukej më e pashpresë se kurrë.
Me ikjen e tij, Arbën Xhaferri do të na mungojë të gjithëve, por ai lë pas një shembull dhe eksperiencë që do ta bëjnë të jetë gjithmonë i pranishëm mes nesh.
Ndajmë me ju dhimbjen dhe hidhërimin e madh”, përfundon mesazhi i Presidentit Nishani.
BAMIR TOPI: HUMBEM RILINDASIN KOHEVE MODERNE
Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përmes një prononcimi, shprehu dhimbjen e tij për vdekjen e ish-kreut të PDSH-së. “Arbën Xhaferri ishte një intelektual i klasit të lartë, një rilindas i kohëve moderne, një zë qytetar mendjehapur dhe me profil evropian e perëndimor. Humbja e tij është humbje kombëtare. Çdo shqiptar ndjehet në trishtim për qytetarin, filozofin, krijuesin, mendimtarin dhe politikanin Arbën Xhaferri. Fat që e kemi njohur, lexuar e dëgjuar".
BERISHA: HUMBEM EMANCIPUESIN E KOMBIT
“Ndarja nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, udhëheqësit politik, të urtë dhe vizionar, themeluesit dhe Presidentit të Nderit të PDSH-së, avokatit të vendosur të shqiptarëve në Maqedoni, dhe çështjes shqiptare në tërësi, është lajm që sjell pikëllim të thellë dhe trishtim të madh tek ju, por edhe tek miqtë e tij dhe mbarë shqiptarët”, shkruan Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një mesazh ngushëllimi drejtuar zotit Menduh Thaçi dhe gjithë anëtarëve të PDSH-së.
Sipas Berishës, “me ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferrit, bota e mendimit dhe elita politike e kombit, humbën njërin prej personaliteteve më të shquara të dekadave të fundit, vlerat dhe kontributi thelbësor i të cilit, në emancipimin kombëtar dhe shoqëror të kombit tonë, janë një trashëgimi tejet e çmuar, që meritojnë mirënjohje të thellë të të gjithë shqiptarëve, për sot dhe brezat që vijnë”.
“Duke ndarë me Ju dhimbjen e thellë, pikëllimin e madh për Arbënin tuaj të dashur, mikun tonë të çmuar, liderin, politikanin, parlamentarin, studiuesin që i përkushtoi jetën, mendjen dhe të gjithë energjitë e tij mbrojtjes së lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor e kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe kudo në rajon - theksoi Kryeministri Berisha - në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ju shpreh të gjithëve Ju, ngushëllimet më të sinqerta, lutem së bashku me Ju, që shpirti i madh i Arbën Xhaferrit të gjejë paqen e merituar dhe vepra e tij e ndritur, të frymëzojë shqiptarët, për të shndërruar në realitet, idealet e tij fisnike, njerëzore dhe kombëtare”.
EDI RAMA: SHQIPTAR QE THA TE VERTETA TE MEDHA
Kreu i socialistëve, Edi Rama menjëherë pas lajmit të për ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferrit, ka ngushëlluar familjen e të ndjerit.
“Arbën Xhaferri ishte një shqiptar jotipik që tha të vërteta të mëdha e hapi rrugë të pashkelura me trimëri të jashtëzakonshme intelektuale!”, shkruan Rama në Twitter.
“Vdekja e tij një humbje e madhe për boten shqiptare në disa përmasa që veç Arbën Xhaferri i mishëronte në një njeri të vetëm. U preht në paqe”, përfundon ngushëllimi i kreut të Partisë Socialiste, Rama ndaj familjarëve të Xhaferrit.
AK: AMANETI PER BASHKIMIN KOMBETAR ESHTE GJALLE
Alenca KuqeZi përcjell ngushëllimet e saj ndaj familjes së Arbën Xhaferri, “për ndarjen nga jeta të rilindësit të madh të historisë sonë”.
“Aleanca KuqeZi shpreh keqardhjen për ndarjen nga jeta të mendjes më të kthjellët të politikës në trojet shqiptare. Fjalët janë të shumta për këtë njeri inovator dhe vizionar”, shprehu AK nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
AK i uroi prehje të qetë e në paqe Arber Xhaferrit, duke i rikujtuar mbarë kombit shqiptar se amaneti për bashkimin kombëtar është gjallë.
“U prefsh ne paqe Arber Xhaferri”, përmbyllet ngushëllimi i AK për të ndjerin Xhaferri.
PDIU: HUMBEM NJE PATRIOT, POLITIKAN DHE PUBLICIST TE MADH
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shpreh ngushëllimet e sinqerta për humbjen e patriotit, politikanit e publicistit te madh Arbër Xhaferri.
"Humbja e njërit prej udhëheqesve më të palodhur të kombit shqiptar në terësi e të shqiptarëve të Maqedonisë në veçanti përbën një moment zie në historinë moderne të kombit. Sot të gjithë zotohemi që të çojmë përpara idealet e Arbër Xhaferrit për bashkim kombëtar si mënyra më e mirë për të respektuar kujtimin e tij",- thuhet në mesazhin e PDIU.
(Gre.m/Shqiptarja.com)
