Akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptar, Rexhep Qosja ndërroi jetë këtë të enjte, dy muaj para se të mbushte 90 vjeç. Nipi i tij shkroi në rrjetet sociale, se Qosja u varros në të njëjtën ditë që vdiq, në një ceremoni private familjare, ashtu siç e kishte lënë amanet.

“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.

Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale. Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi”, thuhet në njoftimin e publikuar nga nipi Valjet Rexhepi.

Për ndarjen nga jeta të akademik Rexhep Qoses reagoi presidenti Bajram Begaj, i cili në rrjetet sociale shkruajti se një akademik i rrallë iku nga Panteoni. Duke i përcjellë ngushëllime familjes, kreu i shtetit thotë se Qosja ishte një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar.

Ngushëllime shprehu edhe kryeministri Edi Rama.

“Lamtumirë shqiptar i mirë. Ngushëllime vëllazërore familjes, të afërmve e miqve të Profesor Rexhep Qoses”, shkruan Rama.

Kryeparlamentari Niko Peleshi shkruan se Rexhep Qosja ishte ndoshta mendja më prodhimtare ndër shqiptarë, një atdhetar i pashoq dhe shkrimtar i pakohë.

Një mesazh e pati edhe Akademia e Shkencave, e cila e vlerëson akademik Qosen, një prej figurave më të rëndësishme të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar.

I lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj (Mal i Zi), Qosja u formua si një nga intelektualët më të spikatur në Shqipëri, duke ndërtuar një karrierë të gjatë në fushën e studimeve letrare dhe publicistikës.

Veprimtaria e Rexhep Qosjes u shtri në disa fusha, duke përfshirë kritikën letrare, studimet shkencore, romanin dhe esenë. Ai është autor veprash që kanë ndikuar në mënyrën si lexohet dhe interpretohet letërsia shqipe.

Ndër veprat më të njohura të tij përmendet romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, si dhe studime të shumta mbi historinë e letërsisë dhe figurat kryesore të saj. Në punën e tij shkencore, Qosja është marrë gjerësisht me analiza mbi autorë të rëndësishëm si Naim Frashëri dhe Ismail Kadare, duke kontribuar në thellimin e kritikës letrare shqiptare.

Përveç veprimtarisë akademike, Rexhep Qosja është njohur edhe si një nga zërat më të fortë dhe shpesh polemikë në debatet publike shqiptare. Ai ka trajtuar çështje që lidhen me identitetin kombëtar, historinë, kulturën dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri.

Nga vitet 1998-2000 ai ishte kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, si dhe anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje. Po ashtu, ai shërbeu si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës, kur kryeadministrator i vendit ishte Bernard Kushner. Në vitin 2000 ai u nderua në Shqipëri me titullin “Nderi i Kombit” dhe ishte anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në nder të tij, Kosova ka shpallur 24 prillin Ditë zie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:34
Amaneti që Rexhep Qosja shkroi 10 vite më parë: Kam qenë kundër sundimtarëve, prandaj s’dua asnjë zyrtar në varrimin tim!

1776962642_xdytufyoio.jpg

Është bërë publik amaneti i shkrimtarit dhe akademikut të njohur Rexhep Qosja, i cili ishte shkruar nga vetë ai 10 vite më parë dhe i ishte besuar nipit të tij, Vilajet Rexhepit.

Në letrën e publikuar, Qosja i kërkonte nipit që kur të ndërronte jetë, varrimi i tij të bëhej vetëm në praninë e familjarëve të afët.

Në letër Qosja kishte shkruar se meqënëse kishte jetuar një jetë të thjeshtë, ashtu edhe dëshironte që të varrosej, pa fjalime, pa media dhe pa lule. Shkrimtari ka theksuar se, duke qenë se gjithë jetën e tij kishte qenë kundër sundimtarëve, nuk donte që asnjë zyrtar të ishte i pranishëm në ceremoninë e tij mortore.

Në kërkesën e tij drejtuar nipit, shkrimtari Qosja kishte lënë po ashtu porosi që të varrosej pranë varrit të gruas së tij, Shpresës. Rexhep Qosja ndërroi jetë ditën e sotme, dy muaj para se të mbushte 90 vjeç.

Letra e plotë:

NIPIT TIM VALJETIT

I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT

KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.

Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë.

Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua - këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.

Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet

Rexhep Qosja

(nënshkrimi)

Prishtinë, 30.4.2016

 

 

Ora 17:45
Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja, ish-ambasadori Minxhozi: Rilindasi i fundit i kombit shqiptar

Foto: Rexhep Qosja

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar.

Në mesazhin e tij, Minxhozi thotë se ky ishte një lajm i dhimbshëm.

“Me dhimbje të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Akademikut Rexhep Qosja, rilindasit të fundit të Kombit Shqiptar”, thotë ai.

Ora 17:42
'U nda nga jeta por i rron gjallë vepra', mesazhi ngushëllues i Albin Kurtit për jetën dhe veprën e Rexhep Qosjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke vlerësuar figurën dhe trashëgiminë e tij në kulturën shqiptare.

"Ngushëllimi na vjen prej jetës së tillë. Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin.

Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e insiprimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave.

Natyrisht që askush nuk do të mund të thotë që ky apo ai shkrimtar a veprimtar ishte rilindasi ynë i fundit. Por sigurisht që të gjithë duhet ta themi që askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja.

Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte parreshtur.

Shkruante edhe për shkak se kishte lexuar shumë. Shkruante shumë sidomos për shkak se kishte çfarë të thoshte. Jetën e kaloi midis librave, jo pak prej të cilëve e kanë për autorë vetë atë, në bibliotekën e secilit prej nesh.

Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij. Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti - i paepur.

Dy muaj pa i mbushur nëntë dekada që ia kanë vlejtur fort për shqiptarët mbarë. U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra" shkroi Kurti

Ora 17:36
Ndarja nga jeta e Rexhep Qosjes, ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë: U shua rilindasi i fundit i kombit shqiptar

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka reaguar për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar si rilindasin e fundit të kombit shqiptar.

 “Me dhimbje të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Akademikut Rexhep Qosja, rilindasit të fundit të Kombit Shqiptar” tha Minxhozi në një reagim për mediat

Ora 16:44
Ndarja nga jeta e Rexhep Qosjes, Ilir Demalia publikon foton dhe dedikimin e Rexhep Qosjes: Si i detyroi serbët të tërhiqeshin në Beograd në ’88

Ilir Demalia ka publikuar kopertinën nga libri “Strategjia e Bashkimit Shqiptar”, në cilin ka marrë një dedikim prej akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare.

Duke kujtuar veprën e  tij, Demalia e vlerëson atë si një model i antikonformizmit dhe një mjeshtër i mendimit.

Demalia ndalet te viti 1988, ku në Beograd thotë, në ballafaqimin mes Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe asaj të Serbisë, fjala e tij u bë argument dhe kufi: logjika e tij e detyroi palën tjetër të tërhiqej nga vazhdimi i takimit në Prishtinë. Ishte një fitore e mendimit mbi presionin.

“Pa asnjë hezitim, ai i përket panteonit të mendimit dhe vetëdijes kombëtare shqiptare. Ky ishte misioni i tij: të thoshte të vërtetën, ta mbronte atë dhe të kërkonte zgjidhje, edhe kur kjo kërkonte guxim përballë kohës dhe rrymave.

Rexhep Qosja ishte modeli i antikonformizmit - i mendimtarit që nuk përkulet, i idealistit që nuk dorëzohet, i rilindasit modern që e sheh kombin si projekt të përhershëm shpirtëror dhe politik. Ai nuk i shërbeu rehatisë së mendimit, por sfidës së tij.

Në vitin 1988, në Beograd, në ballafaqimin mes Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe asaj të Serbisë, fjala e tij u bë argument dhe kufi: logjika e tij e detyroi palën tjetër të tërhiqej nga vazhdimi i takimit në Prishtinë. Ishte një fitore e mendimit mbi presionin.

Në vitet ’80, romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë” lexohej me një frymë nga rinia studentore në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan - një dëshmi se fjala e tij depërtonte aty ku lind ndërgjegjja.

Ndërsa “Zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare” mbetet një testament politik dhe intelektual, një udhërrëfyes për shqiptarët në këtë shekull të trazuar, ku pyetjet janë të reja, por thelbi mbetet i njëjtë.

Rexhep Qosja do të kujtohet si një Diogjen shqiptar - një kërkues i së vërtetës në dritën e ditës, i pamëshirshëm ndaj hipokrizisë, i përkushtuar ndaj arsyes dhe dinjitetit.

Lamtumirë, mjeshtër i mendimit. Fjala jote mbetet”, shkruan Demalia.

Ora 15:52
‘Kam ende librat me autografin e tij’, studiuesi Shkurtaj përkujton Rexhep Qosjan: I la kombit shqiptar një pasuri madhështore

Studiuesi Gjovalin Shkurtaj ka ndarë disa kujtime me Rexhep Qosjan, i cili u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare. Ai flet për njohjen e hershme me të prej viteve ’80, mikpritjen e tij të ngrohtë në Prishtinë, prej së cilës ktheheshin gjithnjë me libra të rinj. Mdje, disa prej tyre mbajnë autografin e Qosjas, thotë Shkurtaj, i cili nënvizon pasurinë madhështore që akademiku i la historisë, letërsisë e kulturës shqiptare.

“Lumtumirë Akademikut Rexhep Qosja,

Dhimbje, vlerësim e nderim për ndarjen nga jeta të profesor Rexhep Qosjes, studiuesit, shkrimtarit, atdhetarit dhe Shqiptarit të Madh.

E njihja qysh në vitet ‘80 kur shkonim në Kosovë për kërkime dialektologjike. Ai na ka pritur e mirëpritur sipas Protokollit të shkëmbimeve shkencore e arsimore. Gjithmonë i mirësjellshëm e i buzëqeshur.

Gjithmonë serioz e vlerësues i punëve për të cilat kishim vajtur atje, kurdoherë rrezatues i dashamirësisë dhe gatishmërisë për shqipen e shqiptarinë.

Sa herë shkonim në Prishtinë ktheheshim me shumë libra të rinj, ndër të cilët me shumë kërshëri e gëzim merrnim librat e Rexhep Qoses. Disa prej tyre i kam dhe me autografin e shkruar me dorën e tij.

Ai shkroi e botoi aq shumë e në atë larmi tematike e duke i lënë Kosovës, Shqipërisë dhe krejt Kombit Shqiptar një pasuri  pak të thuash madhore e madhështore për historinë, letërsinë, gjuhën shqipe e kulturën shqiptare.

Ngushëllime familjarëve e të gjithë atyre që e deshën dhe do ta kujtojnë gjithmonë për çfarë përfaqësonte dhe për ato që synonte e i mbronte.

I qoftë  e lehtë mbi shtat lëndina e Atdheut dhe qoftë i paharrueshëm”, shkruan Shkurtaj.

Ora 15:51
'Sot u shua rilindasi i fundit', Erion Braçe ndan kujtimin me Rexhep Qosjen nga 100 vjetori i Pavarësisë në Vlorë

“Sot u shua rilindasi i fundit” shkroi në Facebook, deputeti socialist Erion Braçe, në një reagim të gjatë mbi vdekjen e albanologut Rexhep Qosja.

Ndër rrjeshta ai ndau edhe një rrëfim personal duke u kthyer pas në kohë në vitin e largët 2012 gjatë takimit kur ai u bë Qytetar Nderi i Vlorës në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe fjalët që ai tha për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Ishte i paqte, i qetë, i kthjellët, i fortë, pasionant, frymezues; e kishte vlerësuar shume Vlorën, aktin që po e bënte Qytetar Nderi në 100 vjetorin e Pavarwsisë dhe dukej i emocionuar, por i përulur ndaj qytetit dhe popullit të Vlorës; kisha përballe fuqinë e qetë që fliste në një shqipe të kulluar, më të bukuren që kam dëgjuar “gjallë”” thotë Braçe. 

Në reagimin e tij, deputeti solli edhe një pjesë nga mesazhi i Qosjes për unitetin e shqiptarëve.

“Tani e njeqind vjet, me 28 nëntor, shqiptarët nuk do të mblidhen dhe nuk do të kremtojne si republikanë, socialistë a demokratë; as si toskë a gegë, as si katolikë, ortodoksë a myslimanë; në Vlorë, per kujtim dhe nderim të 28 nentorit, shqiptarët mblidhen dhe kremtojnë vetëm si shqiptarë. Si shqiptarë të bashkuar, që pashmangshëm do ta bëjnë Shqipërine e Bashkuar-Shqipërinë etnike. Keshtu ishte 99 vjetët e shkuar. Kështu do të jeë 99 vjetët e ardhshëm. Kështu do të jetë gjithmone. Kështu do të jetë derisa te jetë Vlora e Vlora do të jetë gjithmonë”, pat thënë Qosja.

Këto fjalë, kanë qenë një referencë e vazhdueshme për Braçen, i cili në reagim, thur lavde për mendjen e bukur, qëndrimin modern shqiptar dhe standardin moral të Qosjes.

“E kam dëgjuar shpesh profesor Rexhep Qosja nga ajo ditë, e kam lexuar po ashtu në momente kyçe të shqiptarëve; ai nuk mungoi kurrë me mendjen e bukur, mendjen e kthjellët, qëndrimin shqiptar por modern, standardin etik e moral që dua shumë t’i afrohem”, shprehet ai

“Të qoftë i lehtë dheu shqiptar në gjoks rilindas! Një komb i tërë të është mirënjohës!” shton Braçe

 

Ora 15:48
Kosova shpall 24 prillin Ditë zie për Rexhep Qosjen, Albulena Haxhiu: Nderim për figurën e tij

Kosova ka shpallur të premten, 24 prill 2026, Ditë zie shtetërore në nderim të akademikut Rexhep Qosja.

Vendimi u bë publik nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila theksoi se ky është një vlerësim institucional për një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

“Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, thuhet në njoftim.

Gjatë Ditës së zisë, flamujt do të ulen në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike në Kosovë.

Akademik Rexhep Qosja u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare, ndërsa ceremonia e varrimit është zhvilluar në rreth familjar.

Ora 15:43
Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosjes, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit: Humbje e madhe për kulturën shqiptare

Foto: Rexhep Qosja

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja.

Përmes një video të shpërndarë në faqen zyrtare në Facebook, AQSHF ka sjellë disa fragmente të shkëputura nga intervista e tij për Fan Nolin, teksa theksojnë se kjo është një humbje e madhe për kulturën shqiptare.

“Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja është një humbje e madhe për mendimin dhe kulturën shqiptare. Studiues, shkrimtar dhe zë i pazëvendësueshëm në jetën intelektuale mbarëkombëtare, ai la pas një trashëgimi të pasur që do të vijojë të ndikojë brezat.

Në këtë moment kujtese, sjellim një fragment nga intervista e tij për Fan Nolin, të shkëputur nga dokumentari "Rron or rron, nuk vdes Fan Noli" (1997) i regjisorit Viktor Gjika. Një reflektim i çmuar që lidh dy figura të mëdha të kulturës sonë, një dëshmi se mendimi dhe fjala e tyre mbeten të gjalla.

U prehtë në paqe Rexhep Qosja në Ditën Ndërkombëtare të Librit!”, thuhet në postim.

 

Ora 14:03
Peleshi reagon për ndarjen nga jeta të Rexhep Qoses: Atdhetar i pashoq dhe shkrimtar i pakohë

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar si një nga mendjet më të mëdha shqiptare.

"Sot ndoshta mendja më prodhimtare ndër shqiptarë, ndaloi së menduari. I dhimbshëm lajmi për ndarjen fizike nga jeta të Rexhep Qoses. Një intelektual i përmasave mbarëkombëtare e përtejkombëtare, atdhetar i pashoq dhe shkrimtar i pakohë. I paharruar qofsh përgjithmonë profesor Rexhep Qosja!" shkruan Peleshi në Facebook

 

Ora 13:38
Rexhep Qosja u shua në moshën 90-vjeçare, Begaj: Një akademik i rrallë iku nga Panteoni

Foto: Rexhep Qosja

Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja.

Përmes një postimi në rrjete sociale kreu i shtetit shprehet se Qosja ishte një akademik i rrallë iku nga Panteoni.

Ndër të tjera ai thekson se Qosja ishte një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar

“Një akademik i rrallë iku nga Panteoni…

Rexhep Qosja ishte një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe miqve.

Pusho në paqe, Profesor!”, shkruan Begaj.

Ora 13:33
Ndarja nga jeta e Rexhep Qosjes, Akademia e Shkencave: Humbje madhe për kulturën dhe albanologjinë shqiptare

Foto: Rexhep Qosja

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shprehur ngushëllimët për ndarjen nga jeta të akademikut, studiuesit dhe shkrimtarit të shquar Rexhep Qosja

Përmes një njoftimi zyrtar Akademia e Shkencave thekson se ndarja nga jeta e Qosjes është një humbje e madhe për kulturën, shkencën dhe kombin shqiptar.

Në reagim theksohet se Qosja ishte një nga mendimtarët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XX-XXI, autor i dhjetëra veprave në kritikë letrare, histori, romane e publicistikë.

Reagimi i Akademisë së Shkencave:

Me dhimbje të thellë kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njofton se ka ndërruar jetë akademiku, studiuesi dhe shkrimtari i shquar Rexhep Qosja, një prej figurave më të rëndësishme të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar. Akademia e shkencave e Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjarët, miqtë dhe kolegëve për ndarjen nga jeta e akademikut të shquar shqiptar Rexhep Qosja. Rexhep Qosja ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Mali të Zi.

Katër klasat e para të fi­llores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmë­maturën në Guci. Më 1959-n mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960-n u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ku u diplomua më 1964-ën. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 u specializua për shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969-n u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972-shin, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare “Jeta e Re”. 

Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.”, etj. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

Karrierën akademike e zhvilloi si studiues dhe profesor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Punoi si drejtor i Institutit Albanologjik për disa mandate. Ai ishte një nga figurat qendrore të studimeve albanologjike. Një nga mendimtarët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XX–XXI, autor i dhjetëra veprave në kritikë letrare, histori, romane e publicistikë.

Akademik Rexhep Qosja u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në fushën e letërsisë, kritikës letrare, historiografisë dhe publicistikës shqiptare. Ai ishte një zë i fuqishëm i mendimit kritik dhe një mbrojtës i palodhur i çështjes kombëtare. Krijimtaria e tij letare dhe shkencore përfshin vepra në fusha të ndryshme si kritikë letrare, studime historike dhe kulturore, romane dhe ese, publicistikë politike dhe kombëtare, shkrime dhe analiza mbi identitetin kombëtar shqiptar.

Ndër veprat më të njohura të akad. Qosjes  janë  “Historia e letërsisë shqipe”, “Populli i ndaluar”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.

Është vlerësuar me çmime të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare. Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës (1968); me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972-shin dhe 1974-ën dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë - “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt".

Ai mbetet një nga mendimtarët më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX–XXI, si mbrojtës i identitetit kulturor dhe gjuhësor shqiptar dhe si një zë i rëndësishëm në debatet politike dhe kombëtare. Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja është një humbje e madhe për kulturën, shkencën dhe kombin shqiptar. Akademia e Shkencave e Shqipërisë do ta kujtojë gjithmonë akademik Rexhep Qosjen si një mendje të ndritur, një zë të fuqishëm dhe një personalitet të pazëvendësueshëm të kulturës sonë kombëtare.

Emri dhe vepra e tij do të jetojnë përherë në kujtesën shkencore, letrare dhe shoqërore mbarëkombëtare.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

Ora 13:02
Shuhet Rexhep Qosja, reagon Edi Rama: Lamtumirë shqiptar i mirë

Kryeministri Edi Rama i dha sot lamtumirën akademikut Rexhep Qosja

"Lamtumirë shqiptar i mirë, Ngushëllime vëllazërore familjes, të afërmve e miqve të Profesor Rexhep Qoses" shkroi ai në rrjete sociale 

 

Ora 12:51
U shua në moshën 90-vjeçare, kush ishte akademiku Rexhep Qosja! Jeta dhe veprat

1776940330_rexhepqosja.jpg

Foto: Rexhep Qosja

Akademiku Rexhep Qosja është shuar në moshën 90-vjeçare. Ai ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit intelektual shqiptar. Ai ka qenë profesor dhe drejtues studimesh në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ishte edhe drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981

I lindur në vitin 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, Qosja arsimin fillor e nisi në vendlindje dhe e vazhdoi në Guci. Në vitin 1959 përfundoi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa një vit më vonë u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku diplomoi më 1964. Rruga e tij akademike vazhdoi me angazhimin në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku u pranua si asistent në vitin 1967 dhe më pas u ngrit në nivelet më të larta shkencore.

Gjatë viteve 1967–1968 u specializua për shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit, ndërsa në vitin 1971 mbrojti doktoratën mbi jetën dhe veprën e poetit Asdreni. Pas kësaj, ai u bë bashkëpunëtor i lartë dhe këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Nga viti 1972 deri më 1981 drejtoi Institutin Albanologjik, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve albanologjike.

Qosja ishte autor i mbi tridhjetë librave që përfshijnë studime letrare, kritikë, romane, tregime, drama dhe publicistikë. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Anatomia e kulturës” dhe romani “Bijtë e askujt”, për të cilin u nderua me çmimin “Pjetër Bogdani” në vitin 2010. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe kanë qenë objekt studimi në qarqe akademike.

Për kontributin e tij të çmuar, ai u nderua me shumë çmime, përfshirë çmimin “Nderi i Kombit” nga Republika e Shqipërisë në vitin 2000. Përveç veprimtarisë shkencore e letrare, ai ishte i angazhuar edhe në jetën politike të Kosovës, duke drejtuar një parti në periudhën 1998–2000.

Disa nga veprat e Rexhep Qoses:
Episode letrare, Rilindja, Prishtinë, 1967.
Dialogje me shkrimtarët, Rilindja, Prishtinë, 1968.
Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969.
Antologjia e lirikës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1970.
Kontinuitete, Rilindja, Prishtinë, 1972.
Asdreni – jeta dhe vepra e tij, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1972.
Panteoni i rralluar, Rilindja, Prishtinë, 1973.
Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rilindja, Prishtinë, 1974.
Shkrimtarët dhe periudha, Instituti Albanologjik, Prishitnë, 1975.
Anatomia e kulturës, Rilindja, Prishtinë, 1976.
Mite të zhveshura, Rilindja, Prishtinë, 1978.
Prej tipologjisë deri te periodizimi, ASHAK, Prishtinë, 1979.
Morfologjia e një fushate, Instituti Albanologjik,Prishtinë, 1980.
Nocione të reja albanologjike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1983.
Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi I-II-III, Rilindja, Prishtinë, 1984-1985.
Antologjia historike e letërsisë shqipe. Poezia dhe Proza, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Prishtinë, 1985.
Porosia e madhe, Prishtinë, 1986.
Populli i ndaluar, Prishtinë, 1990.
Fjalori demokratik, Prishtinë, 1997.
Çështja shqiptare, Historia dhe politika, Prishtinë, 1998.
Ligjërime paravajtëse, Prishtinë, 1998.
Strategjia e bashkimit kombëtar, Prishtinë, 1998.
Paqja e përgjakshme, Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, Prishtinë, 1999.
Tronditja e shekullit I, Tiranë, 2001.
Tronditja e shekullit II, Tiranë, 2001.
Një dashuri dhe shtatë faje, roman, bot. Toena, Tiranë, 2001.
I ringjalluri i penduar, tregim satirik. Toena, Tiranë, 2002.
Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne – Shkrimtarë dhe periudha, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2006.
Ideologjia e shpërbërjes, trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Toena, Tiranë, 2006.
Realiteti i shpërfillur, Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar, Toena, Tiranë, 2006.
Të vërtetat e vonuara: përgjigje e dytë në polemikat e Ismail Kadaresë dhe të bashkëmendimtarëve të tij, Toena, Tiranë, 2006.
Rilindja e dytë, Toena, Tiranë, 2007.
Nata është dita jonë, Toena, Tiranë, 2007.
Bijtë e askujt, I dhe II, Valdoli, 2010.
Ora 12:46
Akademiku Rexhep Qosja u nda nga jeta, Kuvendi i Kosovës mban 1 minutë heshtje (VIDEO)

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të akademik Rexhep Qosjes, i cili është ndarë nga jeta.