Është ndarë nga jeta në moshën 99-vjeçare aktori i njohur Koço Qendro, një prej figurave më të spikatura të teatrit, estradës dhe kinematografisë shqiptare

I lindur më 15 maj 1927 në Senicë të Delvinës, Koço Qëndro e lidhi jetën dhe karrierën e tij me Korçën, qytet ku u bë një nga themeluesit dhe artistët më përfaqësues të teatrit dhe estradës profesioniste. Me qindra role në skenë dhe në film, ai u kthye në një nga emrat më të dashur për publikun shqiptar.

Roli i Harpagonit në komedinë “Kopraci” të Molierit mbetet një nga interpretimet më të spikatura në historinë e teatrit shqiptar. Ai e interpretoi këtë personazh në periudha të ndryshme të jetës, duke u rikthyer në skenë edhe në një moshë shumë të thyer dhe duke dëshmuar se pasioni për artin nuk njeh kufij.

Në kinematografi, Koço Qëndro la gjurmë me interpretimet në filma si “I teti në bronz”, “Përballimi”, “Agimet e stinës së madhe”, “Vendimi” dhe prodhime të tjera që mbeten pjesë e fondit të artë të filmit shqiptar.

Për kontributin e tij aktori është nderuar me Urdhërin “Naim Frashëri” dhe titullin “Ambasador i Qarkut të Korçës”.