Ndarja nga jeta në mënyrë të papritur e një prej parodistëve të Vlorës, Muhamet Likos, ka prekur jo vetëm artin shqiptar, por edhe të gjithë dashamirësit e humorit të veçantë të grupit që kanë bërë për të qeshur të madh e të vogël ndër vite.
Kreu i Partisë Demokratik, Lulzim Bash ka reaguar për lajmin e hidhur se ndarjes nga jeta të parodistit të mirënjohur Muhamet Liko.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale Basha shkruan se largimi i papritur i Muhamet Likos e shënoi atë përjetësisht në një gur kilometrik për historinë e humorit vlonjat dhe atij kombëtar.
Më pas Basha shkruan se për dashamirësit e artit do të kujtojnë një humor që s'harrohet.
Reagimi i plotë i Bashës:
"Mësova me hidhërim ndarjen e papritur nga jeta të artistit të madh të humorit Muhamet Liko. Vetëm para pak ditësh, Liko ishte në skenën e Teatrit “Petro Marko”, si dëshmitar i stafetës që brezat e ndryshëm të humorit vlonjat po i kalojnë njëri-tjetrit, një kumbar i shkëlqyer i asaj tradite që ai e vijoi me dinjitet për 40 vjet me radhë, qëkur mori stafetën nga Leka Kruta i famshëm dhe iu bashku parodistëve Agron Hamo, Afrim Agalliu dhe Mane Lumanin në mesin e viteve ’70 dhe krijuan kuartetin që dominoi parodinë kombëtare.
Humori i parodive të Vlorës kaloi çdo censurë e çdo barrierë, për të mbijetuar zezonën e diktaturës, por edhe sfidën e të bërit humor në liri. Paroditë e Muhamet Likës dhe 3 kolegëve të tij ishin nga ngjarjet kryesore të fundviteve të zymta të diktaturës, kokëçarje për censorët e regjimit dhe gëzim e shpresë për secilin prej nesh.
Largimi i papritur i Muhamet Likos e shënon atë përjetësisht në një gur kilometrik për historinë e humorit vlonjat dhe atij kombëtar. Asgjë nuk e lehtëson dhimbjen e familjarëve për humbjen kaq të papritur të njeriut të tyre më të dashur. Për ta është një humbje e pakthyeshme, por dashamirësit e artit, kudo në trojet shqiptare, sa herë ti kthehen repertorit me sprovat e jashtëzakonshme artistike në dy kohë të Muhamet Likos, do kujtojnë një humor që s’harrohet, një art që do ta kemi përgjithmonë.U prehtë në paqen e amëshuar!"
Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të parodistit të Vlorës, i cili u shua pas një arresti kardiak në Itali ku kishte shkuar për kurim nga zemra.
"Me hidhërim mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej parodistëve më të dashur të Vlorës, Muhamet Liko. Ashtu si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e Tij të panumërt, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë. Mjeshtri i Madh i skenës, Muhamet Liko do të mbahet mend përherë për paroditë, skeçet, humorin karakteristik e rolet gazmore, nëpërmjet të cilave jo vetëm falte momente të pashlyera argëtimi, por njëkohësisht stigmatizonte me plot mençuri plagët sociale të shoqërisë shqiptare. Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes dhe fëmijëve, të afërmve dhe gjithë bashkëpunëtorëve të Tij.
I paharruar do të mbetesh parodisti ynë i dashur!", shkruan Meta.