Mazhoranca ka kohë që tezë kryesore politike ka të drejtën e saj si shumicë për të marrë vendime politike pa nevojën e opozitës. Ajo thotë se është shumicë, dhe si e tillë, ka të drejtë të marrë cdo vendim, përfshirë ligje të diskutueshme, zgjedhjen e presidentit, kreut të SHISH, zv/kryetarit të KLD apo poste të tjera me natyrë kushtetuese jopartiake. Ajo refuzon cdo nismë, kritikë apo sugjerim të pakicës parlamentare me idenë se vendi nuk mund të qeveriset nga idetë e pakicës. Kjo e
fundit, e vetnjësuar me viktimën politike mbetet fanatikisht e distancuar nga fuqia dhe mekanizmat parlamentarë duke u ankuar, duke denoncuar, duke refuzuar
apo duke kundërpropozuar në formë parakushtesh cdo nismë apo ide të shumicës. Në logjikën e pakicës parlamentare shumica ka detyrimin të dëgjojë,
respektojë dhe miratojë sugjerimet e opozitës. Deri këtu duket se jemi në respekt formal me parimet e demokracisë. Bëhen zgjedhje, një palë fiton dhe bëhet
shumicë, një palë humbet dhe mbetet pakicë deri në zgjedhjet periodike.Fenomeni i rotacionit demokratik (Huntington), demokracisë përfaqësuese
(Tokvil), apo shumicave relevante parlamentare (Sartori) nuk mund të mos përfshijë formalisht edhe Shqipërinë. Tej anës formale, tre autorët e mësipërm theksojnë se demokracia nuk është vetëm procedurë dhe se demokracitë mund të rrezikohen edhe nga tirania e shumicës. Kjo ndodh kur një palë fiton zgjedhjet (pavarësisht pjesëmarrjes qytetare) dhe e përdor mandatin e saj pakufi për të zgjeruar ushtrimin e pushtetit në cdo segment politik e kushtetues, pa përfillur mendimin e opinionit public dhe pakicës politike. Në këtë pikë Shqipëria është rast ideal. PD është në qeveri jo sepse fitoi shumicën e votave të shqiptarëve, por se koalicioni I saj politik ishte më praktik sesa koalicioni I majtë dhe se negociatat e saj për ndarjen e pushtetit ishin më pragmatistike për LSI sesa oferta e majtë. PD qeveris vendin me 610 mijë vota, 10 mijë më pak sesa PS, dhe rreth 820 mijë vota më pak sesa votat së bashku të partive të tjera të majta e të djathta. Ajo ka fituar 40% të votave në një pjesëmarrje prej 46% të zgjedhësve, pra 20-21% të votave kombëtare të listës së votuesve mbi 18 vjec ose vetëm 11-15% të votave të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Në zgjedhjet e fundit lokale PD fitoi më pak se 400 mijë vota, pra rreth 40% më pak sesa më 2009. Në të njëjtat nivele formale përfaqësimi bën pjesë edhe PS, si pakicë parlamentare, por njëherësh, si opozita me përqindjen më të lartë parlamentare në Evropë. Në sistemin e tiranisë së shumicës dhe pakicës formale të dhëna të tilla nuk kanë rëndësi, rëndësi kanë mandatet, aleancat, ditët në pushtet dhe aftësia për ta marrë ose mbajtur pushtetin.
E drejta e shumicës për qeverisje lidhet me programin politik dhe vullnetin politik për nisma e vendime parlamentare dhe ekzekutive. Pushteti politik ushtrohet në të gjithë instrumentat politikë, pa prekur ose cënuar pushtetet e pavarura kushtetuese dhe hapësirën publike e civile. Pra parimi i shumicës demokratike është përgjegjësia për qeverisjen politike të vendit, brenda sistemit kushtetues dhe qeverisës. Modeli i deritanishëm shqiptar, dje me PS dhe sot me PD është I kundërt, - mbi parimin “fituesi i merr të gjitha”, “humbësi i humbet të gjitha”. Më 1992 PD, më 1997 PS dhe vitet e fundit përsëri PD e kanë keqkuptuar dhe lexuar gabim mandatin e shumicës për mandat për sundim mbi pakicën, shtetin dhe qytetarët. Qeveria, në emër të mandatit për antikorruption, e nisi mandatin duke kërkuar shkarkim të kryeprokurorit, presidentit, kreut të SHISH, gjykatës kushtetuese, gjykatës së lartë, etj, nisma që nuk ishin në votim në qershor 2009 dhe as që janë prioritet kryesor i programit të saj elektoral, ndërkohë që promovoi e vijon të mbrojë e promovojë me fanatizëm ministra e zyrtarë të lartë të njohur për akte publike korruptive, skandale financiare dhe deri edhe lidhje mafioze me grupet kriminale të ndonjë vendi fqinj.
Sartori thotë se tirania e shumicës kthehet në problem kur shndërrohet në sistem mendimi e veprimi. Të gjithë mbajmë mend kur kreu i qeverisë sulmonte ashpër presidentin se ka shkelur statutin e partisë propozuese duke respektuar kushtetutën, apo kur zyrtarë të lartë të policisë shoqëronin në Rinas individë të akuzur për trafik ndërkombëtar dhe me urdhërndalimi nga prokuroria. Së fundi, dy ditë më parë zëdhënësja e qeverisë, njëherësh ministre e integrimit, nuk mbrojti praktikën proceduriale të ndryshimit të kreut të SHISH, por apriori dhe mbi bazën e logjikës tiranike tha se shumica ka të drejtë të marrë cdo vendim dhe se në cdo vend demokratik SHISH është pjesë e ekzekutivit. Deklarata e saj përvec padijes për demokracinë, botën, kushtetutën dhe sistemin tonë politik, përbën një rast tipik të arrogancës së pushtetit, vetdijes së tij të gabuar sunduese dhe vullnetit të saj për të pushtuar cdo institucion e hapësirë politike, kushtetuese e publike. Ky rast përbën shembullin tipik të tiranisë së shumicës, paaftësisë së saj për të qenë vizionare dhe racionale në ushtrimin e pushtetit, në respektin ndaj shtetit ligjor dhe kushtetutës, si dhe njëherësh, deformimit të thellë të koncepteve të së djathtës shqiptare për shtetin, integrimin, të drejtën dhe demokracinë. Sepse nëse supozohet se e drejta e shumicës qenka e pakufizuar në cdo institucion dhe vendimmarrje, cila është e drejta e atyre që nuk e kanë votuar atë, kanë abstenuar ose e kanë refuzuar votën politike? Cili është kufiri ndarës midis të drejtës së shumicës pushtetit në sistemin politik dhe detyrimeve e përgjegjësive të saj? Cili është kufiri midis ushtrimit të pushtetit të shumicës dhe shtetit, pra midis një pale që qeveris katër vjet me shtetin, qytetarët e shoqërinë që ekzistojnë prej mëse një shekulli, midis modelit të partisë - shtet dhe shtetit qytetar ku partitë konkurrojnë për mirëqeverisjen me rotacion të vendit? Mazhoranca nuk ka përgjigje, opozita gjithashtu, dhe kështu qytetarët dhe themelet e shtetit ndjehen të braktisura, demokracia luhet si një tragjikomedi dhe interesat madhore trajtohen si plackë në tregun e interesave politike.
Përballë saj opozita (pakica) parlamentare megjithëse refuzon e denoncon publikisht modelin e tiranisë së shumicës, nuk jep shenja të sjelljes ndryshe nëse ajo vetë më 2013 shndërrohet në shumicë. Psh, opozita kritikon ashpër zgjedhjen e kreut të SHISH por nuk e kritikon në thelbin e tij, caktimin e një personi politik në krye të shërbimit të pavarur sekret dhe as premton se nesër në pushtet ajo nuk do të bëjë të njëjtën gjë. Opozita kritikon me të drejtë zgjedhjen zv/kryetar në KLD të një personi që kurrë nuk ka qenë as gjyqtar, as prokuror, as avokat, as pjesëmarrës në gjyq dhe as lektor në një fakultet drejtësie, por ajo nuk shkon më tej, të premtojë se nesër në pushtet nuk do të bëjë edhe ajo të njëjtën gjë. Opozita kritikon me të drejtëshndërrimin e TVSH në megafon i rëndomtë propagande, por nuk premton se nesër në pushtet nuk do të bëjë të njëjtën gjë. Ose më tej, opozita kritikon me të drejtë aventurën politike të referendumit për imunitetet, sugjeron votime paralele edhe për një numër cështjesh, por nuk jep garanci se nesër ajo do të mbajë referendum për plehrat, sistemin zgjedhor ose zgjedhjen direkte të presidentit. Sjellja e saj si viktimë dhe paaftësia e saj për tu bërë alternativë, lidhet me faktin se dy partitë e vjetra politike, me dallime e nuance të vogla, ushqehen, funksioniojnë dhe imponohen si pjesë të të njëjtitkconcept anakronik e komunist për shtetin dhe pushtetin.
Shembuj të tillë të shumicës dhe pakicës së keqkuptuar janë të panumërt, - një dukuri shqiptare e tranzicionit që po vret shpresën se shteti shqiptar mund të bëhet demokratik e europian. Shumica aktuale ka humbur cdo kredenciale morale pushteti, ajo nuk ka më ide dhe as projekte, nuk zgjon entuziazëm, besim dhe as shpresë, nuk funksionon si institucion dhe as si mekanizëm përfaqësues demokratik, - por thjeshtë e vetëm si aleancë midis dy-tre individëve, që përdorin parlamentin, qeverinë, partitë përbërësëse dhe pushtetin politik për agjendat e tyre personale, shpesh antikushtetuese dhe në dëm të interesave publike. Pakica aktuale ka humbur energjinë dhe identitetin, funksionin me dy standarde: bashkëpunëtore e afërt me mazhorancën në interesa të përbashkëta si Kodi Zgjedhor, privatizimet e mëdha, ndarja e pushtetit ekonomik, ndryshimet kushtetuese, etj, dhe si viktimë e sistemit kur bëhet fjalë për vendime politike të ditës. Ajo nuk ka arritur të bëhet opozitë qytetare dhe mbetet në pritje të dorëzimit të pushtetit nga PD për të bërë asgjë më pak dhe as më shumë sesa vetë kjo e fundit, ose për të bashkëqeverisur së bashku në pamundësi për koalicione të tjera politike.
Shqipëria politike po shkon në 100 vjetorin e shtetit, si një viktimë e abuzimit të pushteteve të radhës, - njëshoqëri që poshtërohet cdo ditë; dhunohet në të drejtat e saj politike e civile;abuzohet në votën dhe sovranitetin e saj; fyhet e denigrohet në jetën e saj private dhe zërin kritik; privohet nga e drejta e pronës, biznesit të lirë apo lirisë së organizimit;mohohet të fitojë drejtësi përmes sistemit të gjykatave dhe siguri përmes mekanizmave policorë, si dhe injorohet në aspiratën e saj 20 vjecare evropiane. Mentalitetet dhe sjelljet e tiranisë së shumicës dhe pakicës janë e mbeten pengesë për qytetari e drejtësi, për zhvillim demokratik dhe integrim. Ekziston frika se shqiptarët e lindur dhe rritur në diktatura apo regjime autoritare nuk dinë të bëjnë zgjedhje tjetër përvec të keqes më të vogël, pra një zgjedhje që tenton ndarje me të kaluarën por që nuk tenton të shohë drejt të ardhmes. Një zgjedhje gjysmake, pa prespektivë, vision dhe kulturë mendimi. Dhe ky mund të jetë dëmi dhe e verteta më e madhe që modelet parademokratike, totalitare, oligarkike dhe klanore kanë imponuar përgjatë një shekulli pushtet, - një bilanc negativ dhe ende kërcënues për shtetin, qytetarinë dhe Shqipërinë evropiane.