Si do bëhen pranimet në
universitete, ja procedura

Si do bëhen pranimet në<br />universitete, ja procedura
TIRANE- Mbyllja e procesit të testimit për maturën shtetërore, nis një fazë të re për maturantët të cilët do të konkurojnë për në universitet. Pas marrjes së notave të Gjuhë-Letërsisë dhe Matematikës, pritet publikimi i notave të lëndëve me zgjedhje, që më pas të nis plotësimi i formularit A2. Sipas të dhënave të AKP-s, do të jenë më shumë se 43 mijë kandidatë (duke shtuar dhe ata të viteve të kaluara) të cilët pritet të konkurojnë për në Universitet. Faza e aplikimit për në Universitet do të nisë me formularin A2 dhe përfundon me formularin A3. Ja 10 pyetjet që shpjegojnë mënyrën si do aplikohet për në Universitet dhe mundësitë që kanë maturantët për tu pranuar.
 
Kur kanë përfunduar të gjitha provimet e maturës, si duhet të veprojnë maturantët?
 
Përfundimi i provimeve me zgjedhje, i ka dhënë fund fazës së testimit në Maturën Shtetërore. Maturantët tashmë duhet që të presin publikimin e notave të provimeve me zgjedhje për të kalkuluar saktë pikët që do të kenë, përpara plotësimit të formularit A2. Notat e provimeve me zgjedhje do të publikohen deri në datën 5 korrik. Pa marrë të gjitha notat asnjë kandidat nuk mund të llogarisë me saktësi pikët, pasi deri tani njohin notën e provimit të Gjuhë-letërsisë, notën e matematikës dhe mesataren.
 
Si llogariten pikët për në Universitet, cila është formula?
 
Formula për llogaritjen e pikëve është: s={[26 x M +20x (D1+D2)] x K +17 x(Z1xF1+Z2 x F2)}x5, ku M, Dl, D2, Zl dhe Z2 janë pikët mesatare, vlerësimet në lëndët e detyruara “Letërsi dhe gjuhë shqipe”, “Matematikë” dhe në ato me zgjedhje. K, Fl dhe F2 janë koeficientët e shkollës dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të përcaktuara tashmë nga universitetet publike dhe gjenden në adresën e Ministrisë së Arsimit. Maturantët mund të llogarisin pikët (jo të sakta), duke vendosur notën e matematikës, notën e Letërsisë, mesataren dhe duke përcaktuar përafërsisht notat e provimeve me zgjedhje.
 
Sa rëndësi kanë notat e provimeve dhe mesatarja, për të llogaritur pikët me të cilat do të konkurohet në Universitet?
 
Një maturanti cili ka mesatare të lartë, do të grumbullojë më shumë pikë. Kjo falë formulës së re që ka miratuar Ministria e Arsimit për vitin 2015. Mesatarja do të ketë një peshë më të lartë në formulën e llogaritjes së pikëve. Në këtë mënyrë 26% e pikëve të maturës do të përcaktohen nga mesatarja, nga 20 që kishte një vit më parë. Notat e provimeve të detyruara do të kenë të njëjtën peshë, nga 20%, që do të thotë 40% të pikëve totale. Provimet me zgjedhje sipas formulës së re do të kenë një rëndësi më të ulët, pasi përbëjnë 17% e pikëve për në Universitet, që në total për të dyja lëndët do të jetë 34%. Pra 26% e pikëve përcaktohet nga mesatarja, 40% nga notat e provimeve të detyruara dhe 34% nga notat e provimeve me zgjedhje. Rëndësi për llogaritjen e pikëve kanë dhe koefiçentët e lëndëve me zgjedhje dhe koefiçentët e shkollave.
 
Sa kuota do të kenë degët e universiteteve publike për vitin akademik 2015-2016?
 
Menjëherë pas publikimit të notave të provimeve me zgjedhje, do të dalin kuotat për në universitetet publike. Kuotat miratohen nga Këshilli i Ministrave, por propozohen nga Ministria e Arsimit. Në bazë të kuotave që miraton qeveria çdo kandidat mund të shikoj sa vende të lira do ketë degët që ai preferon dhe mundësitë që ka për të qënë fitues.
 
Si do aplikohet për në Universitet, cila do të jetë procedura?
 
Aplikimi për në Universitet kryhet nëpërmjet formularit A2. Ky formular bëhet publik pas marrjes së notave të provimeve me zgjedhje dhe pas daljes së kuotave për në Universitet. Formulari do të ketë të shënuar të gjitha degët e universiteteve publike, nga Universitetit i Tiranës deri të Universiteti i Gjirokastrës dhe ai i Shkodrës. Në këtë mënyrë maturantë janë më të qartë për degët që duhet të zgjedhin. Për të aplikuar, një kandidatë duhet të shënojë me X, 10 degët me të cilat ai do të konkurojë. Më pas degët do të shënohen në krye të formularit, sipas preferencave nga 1-shi te 10-a. Maturantët duhet patjetër të kenë kujdes me renditjen e preferencave pasi në të kundërt mund të “digjen”. Nëse një maturant hedh si preferencë të parë një degë në Universitetin “Ismail Qemali”, në Vlorë dhe si preference të dytë një degë në Universitetin e Tiranës. Në rast se fiton në preferencën e parë, për në Vlorë, nuk mund të fitojë një degë në Universitetin e Tiranës. Ekspertët e Ministrisë së Arsimit këshillojnë që fillimisht të përzgjidhen degët “më të mira” që maturantët preferojnë dhe më pas të hidhen degë “të sigurta” (që kapen me pak pikë), në mënyrë që të mos ngeleni pa Universitet. Plotësimi i formularit A2 mbyll fazën e aplikimeve për në Universitet.
 
Po kandidatët e viteve të kaluara si do të aplikojnë?
 
Për kandidatët që kanë mbaruar vitin shkollor përpara 2015-s, do të ndiqet e njëjta procedurë për plotësimin e formularit A2. Kushti i vetëm është që të kenë qënë kalues në të gjitha provimet, si dhe të kenë plotësuar formularin A1Z, përata të cilët kishin provime për të dhënë.
 
Po kandidatët që nuk aplikojnë me formularin A2, çfarë rruge ndiqet?
 
Për maturantët që kanë dhënë provimet me zgjedhje dhe nuk plotësojnë formularin A2, nuk kanë mundsëi për të studjuar në universitetet publike. Mosplotësimi i formularit A2 ju skualifikon nga gara për të konkuruar në Universitet.
 
Pas plotësimit të formularit A2, si do të njihen maturantët me pikët që kanë për secilën degë që kanë zgjedhur?
 
Plotësimi i Formularit A2 do të bëhet “online” dhe menjëhërë më pas Agjensia Kombëtare e Provimeve do të publikojë Librin e Transparencës. Ky libër do të ketë të shënuara notat e të gjitha provimeve, mesataren dhe pikët për secilën degë, të llogaritura sipas formulës së mësipërme.
 
Kur dalin fituesit në Universitete dhe si përzgjidhen?
 
Fituesit paraprak në Universitete publikohen deri në javën e dytë të shtatorit. Përzgjedhja bëhet sipas rendit zbritës, që do të thotë kush ka më shumë pikë në degën e Drejtësisë do të renditet i pari dhe kështu me radhë derisa të plotësohen të gjitha vendet bosh. Kjo metodologji përdoret për të gjitha degët, nëçdo Universitet Publik. Por ka dhe një tjetër fazë për përcaktimin e fituesve në universitete, që do të jetë faza përfundimtare. Në listën përfundimtare të fituese, do të hiqen ata kandidatë që nuk janë regjistruar dhe të rinjtë të cilët kanë vendosur për të studjuar jashtë shtetit. Më shpalljen e listës përfundimtare të fituesve mbyllet procesi për vitin akademik 2015-2016.
 
A do të ketë edhe këtë vit formular A3?
 
Formulari A3 publikohet nëse ka kuota të lira në universitete publike, pas mbylljes së regjistrimeve të fazës përfundimtare. Nëse Ministria e Arsimit shikon që ka kuota për shumicën e degëve, atëherë miratohet një udhëzim nga Ministrja e Arsimit, për rihapjen e garës në universitetet publike. Maturantët mund të aplikojnë me formularin A3, me preferncat që kanë zgjedhur në formularin A2. Me formularin A3 mund të aplikojnë vetëm maturantët që nuk janë shpallur fitues në asnjë degë, me dy fazat e fituesve.

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë