Pedagogia e kërcimit në Universitetin e Arteve, Roberta Mone, këshillon çiftet e reja për këcimet në ditën e tyre të dasmës.

Kërcimi është art dhe është një nga mënyrat më argëtuese për të përcjell ndjesitë dhe emocionet.

Por, kërcimi mund të përcaktohet dhe si hobi apo një mënyrë për të mbajtur trupin në formë. Kur bëhet fjalë për ceremoninë e dasmës, kërcimi i bukur i çiftit është i detyrueshëm, pasi duhet të bëjnë një figurë të mirë te të ftuarit.


Koreografia Roberta Mone, pedagoge prej 20 vitesh në Universitetin e Arteve, na thotë disa stile të kërcimeve të çiftit në ditën e dasmës. Kërcimet që duan çiftet për dasmën e tyre janë të zhanreve të ndryshëm por ata nuk dalin nga tradita. “Çiftet kërkojnë të mësojnë dhe kërcimet e folkut shqiptarë, por tendenca e fundit e kërkesave të tyre është një miksim i kërcimeve. Tre kërcime në një moment të vetëm”- tha Mone. Në ditën e dasmës kërcimi i çiftit të ngjall një emocion, i cili përçon gjithë ndjesinë e dashurisë së tyre. Pedagogia e kërcimit Mone, na tregon disa kërcime që përfaqësojnë momente të caktuara të dasmës.  
 
Sa lloje kërcimesh duhet të dijë çifti në ditën e dasmës?
Nuk ka një përkufizim të caktuar për kërcimet në ditën e dasmës pasi në rradhë të parë është dëshira që kanë çiftet për atë ditë. Për të përcaktuar kërcimet e çiftit rol luajnë disa faktorë: ambjenti ku zhvillohet dasma, çifti i qëndron traditës apo jo dhe sa kohë ka në dispozicion çifti për të kryer kursin e kërcimit para dasmës.

Tendenca e fundit e kërcimeve për çiftin në ditën e dasmës, në përgjithësi, ata e hapin dasmën me një vals vienez, i cili përcjell më shumë emocione te të ftuarit, më pas në momentin pas prerjes së tortës çiftet preferojnë të zgjedhin një muzik sipas shijes së tyre. Mund të zgjedhin një tango, një kërcim të lehtë, një këngë që përfaqëson diçka për ta apo një tendencë të re që është shfaqur te çiftet kohët e fundit siç është miksimi i tre llojeve të kërcime në një moment të vetëm. Më pas çiftet mësojnë dhe kërcimet e folkut shqiptarë. Është pjesa e pogonishtes, ajo e napolonit dhe djegia e shamisë.

Ju përmendët që tendenca e fundit e çifteve është dhe ky miksim i kërcimeve. Tre kërcime në një moment të vetëm. Cilat janë ato kërcime që mund të bëhet ky miksimi?

Zhanret e kërcimeve janë nga më të larmirshmet dhe nuk ka një përcaktim të saktë që janë këto tre lloje kërcimesh. Unë bisedoj me çiftet dhe shikoj nëse partneri kërcen një tëist shumë bukur apo nusja ka një kërcim veçantë, latin apo salsa. Unë mund të miksoj për shembull: e nisim me një vals vazhdojmë me kërcimin e salsës dhe e mbyllim me twist. Ose mund ta nisim me cha cha cha  mund të vazhdojmë me diçka tjetër siç janë dy nuanca të sambës dhe e mbyllim me rock & roll. Pra, nuk ka asnjëherë një përkufizim strikt për mënyrën e të kërcyerit. Rëndësi të madhe ka raporti që duhet të krijojë profesionisti me me çiftin që kërcenë.

Çifti është i detyruar që të kërcejë këto lloje kërcimesh për të nderuar të ftuarit e tyre në dasëm?

 Në fakt asgjë nuk është e detyruar por duke parë që çifti bën një figurë shumë të bukur në atë moment duke përcjell emocion te të ftuarit mund të quhet një farë detyrimi. Është kënaqësi e madhe për çiftin sepse e gjithë vëmendja e të ftuarve është te kërcimi që ata do të performojnë.

Cilat janë këshillat që duhet të dinë çiftet për teknikat e kërcimit në ditën e dasmës?

Çiftet nuk duhet t`i largohen asnjëherë qëndrave të kërcimit sidomos në momentin para eventit të tyre më të rëndësishëm. Teknikat që mësojnë nga profesionistët janë më specifike dhe hapat e kërcimit janë më të thjeshta. 

Modeli i fustanit të nuses a ndikon në llojet e kërcimeve?

Në bisedën që bëhet përpara me çiftin merret informacioni se ku do bëhet dasma si dhe çfarë fustani ka zgjedhur nusja. Kërcimi i tangos kërkon një fustan të ngushtë me një të çarë në mënyrë që të dalin kyçet e këmbës apo një fustan të shkurtër. Me fustanin e fryrë në stil “princeshë” nuk mund të kërcejë një tango.

Sa kohë përpara dasmës duhet të vijë çifti që të mësojë të kërcejë sa më bukur në dasmën e tyre?

5 seanca mendoj se janë të mjaftueshme në qoftë se ata u drejtohen profesionistëve. Duke përfshirë këtu kërcimin e valsit, kërcimin në momentin pas prerjes së tortës dhe 3 lloje kërcime popullore.