Mbyllja e çerdheve të fëmijëve të mbajtura nën kujdesin e motrave katolike, zëvendësimi i mësuesve të shkollave private me mësues shtetërorë, rishikimi i programeve shkollore për t’i përshkuar nga boshti i materializmit marksist, sulmet kundër priftërinjve të seminarit në Shkodër shënuan etapat e reja të ndrydhjes së Kishës Katolike Shqiptare. Në qershor 1945, nxënësit e shkollës fillore katolike u detyruan të kalonin në shkollat shtetërore, në zbatim të një vendimi qeveritar që e kthente administrimin e shkollave fillore në kompetencë të shtetit. Në shkollat e mesme katolike (të ciklit të ulët - shën. përk.) pastaj, të cilat nuk mund të nacionalizoheshin shpejt për mungesë mësuesish, nisën të bëheshin të detyrueshme kurse e konferenca të mbajtura nga funksionarë të partisë komuniste. Një fushatë e kujdesshme e doktrinimit marksist përçohej në tërë vendin, si në qytete, ashtu edhe në fshatra, me një angazhim këmbëngulës për të rrënjosur në trurin e njerëzve parimet marksiste-leniniste.
Po atë muaj të qershorit 1945 u arrestua një prift italian, ati Xhakomo Gardin, për shkakun e vetëm se gjatë një debati politik - të deklaruar të lirë - i kishte lejuar vetes të shprehte mendime të kundërta me konferencierin. U ndërtua kundër tij një proces gjyqësor me akuzën e “propagandës antidemokratike”, në përfundim të të cilit ai u dënua me gjashtë vjet burgim, që ai i kreu pastaj në burgjet e Shkodrës. Në dhjetor, drejtuesja e motrave të Karitasit të Korçës, u godit nga komunistët me një breshëri mitralozi të lehtë, ndërsa ishte duke udhëtuar me një autokorierë të drejtuar për Tiranë: vdiq në spitalin e Korçës, në duart e një motre të kongregacionit të saj që shërbente në këtë spital.
11 priftërinj të seminarit të Shkodrës të dënuar me vdekje
Sulmi komunist shkoi përpara kundër institucioneve katolike që “mbaheshin me parà të huaja”. Në muajt janar e shkurt 1946 u inskenua një proces i madh kundër rektorit të seminarit papnor të Shkodrës, atit Daniele Dajani, kundër nënkrahinorit të jezuitëve, atit Xhovani Fausti dhe kundër priftërinjve shqiptarë të seminarit. Këta të fundit qenë inkurajuar nga popullsia për të shpërndarë disa fletushka në të cilat mbështetej ideja e nxitjes së krijimit të një “partie kristiane”. Në vijim të një perkuizimi disa nga këto fletushka ranë në duart e policisë, e cila procedoi me arrestimin e priftërinjve. Edhe pse përmes torturave ata kishin vazhduar të pohonin se superiorët e tyre qëndronin jashtë këtyre fakteve, edhe superiorët u arrestuan. Seminari u shkatërrua tërësisht.
Procesi u zhvillua në mes të një fushate të dhunshme shtypi dhe demonstrimesh popullore, me frymëzim të dukshëm zyrtar dhe përfundoi me 11 dënime me vdekje e me shumë dënime të tjera me burgim të gjatë. Rektori, nënkrahinori i etërve jezuitë dhe nëntë anëtarët e seminarit, të akuzuar pavarësisht nga gjithë provat e kundërta, për terrorizëm dhe atentat ndaj sigurisë së shtetit, u pushkatuan më 4 mars 1946. Kufomat e tyre metën për një ditë të tërë midis plehrave në buzë të një përroi në periferi të Shkodrës. Dënimet për anëtarët e tjerë të seminarit shkonin nga 15 deri në 30 vjet.
At Xhovani Fausti, figurë e ndershme e priftit dhe e misionarit, kishte shpenzuar vite e vite të gjatë të jetës së tij në shërbim të Shqipërisë. Pak më shumë se një vit më parë, gjatë betejës për çlirimin e Tiranës, kishte vënë në rrezik jetën për të shpëtuar nga reprezalja gjermane një grup civilësh italianë e shqiptarë.
Duhet kujtuar se midis të dënuarve me vite të gjata burgimi ishte edhe ati Jovan Pantalja, shqiptar, vdekur në burg nga keqtrajtimet e torturat e pësuara. I shkreti Pantalja qe akuzuar, mes të tjerash, se kishte ndihmuar aty nga muajt e parë të vitit 1943 atin prof. Xhuzepe Valentini, mësues dhe lëvrues i gjuhës shqiptare, ende drejtues i Kolegjit Saverian të Shkodrës, në punën e tij të “monopolizimit të kulturës shqiptare dhe të spiunazhit në favor të Gestapos dhe të Vatikanit”.
Procesin e Shkodrës e ndoqi më pas rekuizimi i ndërtesave të kultit katolik, me pretekstin e zakonshëm të “nevojave publike”. Ndërkohë që procedohej me zhveshjen e përfaqësuesve të fesë, organet e propagandës së partisë orkestronin një fushatë antikatolike në gazetat dhe në radio. Veçanërisht të urryera ishin shpifjet e lëshuara kundër motrave të kongregacioneve, të akuzuara për akte imorale, me qëllim që të diskreditoheshin misionin e mëshirës kristiane.
Më 18 janar 1946, tetëdhjetë e dy priftërinj e motra të Karitasit u dëbuan nga Shqipëria. Policia u mori atyre gjithçka. I trajtonte përfaqësuesit fetarë njëlloj si kriminelët ordinerë
U ngarkuan në disa automjete dhe u transportuan me një grup njerëzish të armatosur për në Durrës, ku u strehuan në pallatin ipeshkvnor, të braktisur dhe të zhveshur nga çdo orendi, ndërkohë që arqipeshkvi, at Vinçenco Prenushi, ishte i burgosur. Në ndërtesën ku ata ishin të internuar nuk kishin me se të ushqeheshin. Prifti i kishës së krishterë, papa Kristoja, sepse u kishte sjellë atyre fshehurazi ushqime, u zbulua e për këtë u masakrua nën gurin e një mulliri. Edhe kryekirurgu i spitalit të Tiranës, prof. Venancio Loci, i cili shkonte çdo ditë t’i vizitonte, u arrestua. Policia i trajtonte përfaqësuesit fetarë njëlloj si kriminelët ordinerë. Disa prej tyre, si ati Ernesto Kasinari, u transferua madje në burgjet e gjykatës dhe u mbajt aty për një kohë pa një akuzë të saktë. Imbarkimi të dëbuarve për Itali nuk u bë i mundur, veçse pas 37 ditësh të një pritjeje të dhembshme. Në çastin e nisjes të dëbuarit iu nënshtruan një perkuizimi të ri, pa as më të voglin kujdes për dinjitetin e gjendjes së tyre. Gjatë operacionit të imbarkimit në një anije tregtare italiane, në çastin më të fundit, mundi të ngjitej mbi anije edhe ati jezuit Andreini, i cili, i dënuar tashmë me pushkatim, ishte arratisur nga Shkodra, duke marrë me vete ikonën e Madonës së Pompeit.
Persekutimi kundër klerit shqiptar
Pas dëbimit të fetarëve italianë persekutimi vijoi kundër klerit shqiptar. Në dhjetë muaj u vranë 4 peshkopë e 15 priftërinj, ndërkohë që 32 të tjerë u burgosën. Në prill u inskenua një proces i ri kundër disa eksponentëve të klerit katolik shqiptar. Qëllimi i debatit gjyqësor ishte të përligjte, përballë opinionit publik kombëtar e ndërkombëtar, serinë e gjatë të arrestimeve e të shpërdorimeve, të cilave u nënshtroheshin priftërinjtë e kultit katolik. Qe i fundmi i proceseve të ujdisur mbi akuza të kota e të orkestruara me propagandë të shkathët. Nga këtej e në vazhdim akuza e përgjithshme “agjent i Vatikanit” do të mjaftonte për të përligjur vrasjet, arrestimet apo syrgjynosjet në kampet e punës së detyrueshme, pa asnjë lloj procesi.
Me të tilla metoda qeveria e Hoxhës procedoi për eliminimin e peshkopatës katolike vendore. Arqipeshkvi i Durrësit, monsinjor Vinçenc Prenushi, u burgos dhe u dënua me 30 vjet punë të detyrueshme. Egërsirat komuniste u shfrynë barbarisht mbi të pafajshmin, duke e penguar atë të flinte, duke e zhveshur, duke e varur në një ganxhë me një litar të kaluar në unazat e prangave, duke e rrahur deri sa të humbte ndjenjat. Vdiq në burg pas shumë vjet torturash mizore, që xhelatët e tij i ushtronin egërsisht, në mënyrë që ta bënin të vuante sa më gjatë që të ishte e mundur.
Midis viktimave të egërsisë komuniste lipset të numërohen tre ipeshkëv të tjerë: ipeshkvi i Oroshit dhe i Lezhës, monsinjor Françesk Gjini; ipeshkvi Sapës, monsinjor Gjergj Volaj dhe peshkopi ortodoks, monsinjor Kishi, i kthyer në katolik në vitin 1943. Ipeshkvi Gjini, që zëvendësonte delegatin apostolik, monsinjor Nigris, pas dëbimit të tij nga Shqipëria, iu nënshtrua periudhave të stërzgjatura të agjërimit dhe torturave të tilla, sa s’i mbeti vend në trup pa iu bërë plagë. Pas shumë vuajtjeve të përballuara me mundim fjalët e tij të fundit, para se të pushkatohej, ishin fjalë lavdërimi për Zotin dhe për Kishën Katolike.
Nga martirizimi i ipeshkvit Volaj u bë i njohur një episod dramatik që ngjau midis tij dhe së ëmës, kur kjo e fundit, përmes hekurave të burgut, ia doli mbanë ta shohë të birin për herë të fundit para se të pushkatohej. Nëna e gjeti të birin të katandisur aq keq sa nuk e njohu dhe e dëshpëruar dëgjoi fjalët e fundit të tij: “Lutu shumë dhe, nëse do të duash të qash për tët bir, mos e bëj këtë për vdekjen e tij, por për atë çka Kisha ka vuajtur”.
I njëjtë qe edhe fati i peshkopit ortodoks, monsinjor Kishit, i cilësuar si “tradhtar i atdheut dhe spiun i Vatikanit”, nga që kishte kaluar nën urdhrin e kishës katolike. Menjëherë pas pushkatimit të tij, shtypi zyrtar shqiptar botoi një seri artikujsh, në të cilat pohohej se ai “kishte rrëfyer krimet e tij kundër popullit”. Vijonte teksti i “rrëfimit”, të marrë nga policia dhe të firmosur siç duhej nga viktima. Monsinjor Kishi akuzohej se kishte patur kontakte para vitit 1943 me delegatin apostolik italian, të cilin e kishte furnizuar me të dhëna për veprimtarinë e partizanëve; se më pas kishte kaluar në Kishën Katolike Romane me qëllimin e qartë për të ushtruar spiunazhin në dobi të Vatikanit; se kishte synuar të mbillte përçarjen në raportet midis popullit dhe qeverisë, duke përhapur ide reaksionare dhe shpifje ndaj PKSH-së...
...Mizoritë e komunistëve shqiptarë i kanë kaluar shpesh tmerret e torturave të martirëve të parë kristianë. Famullitari i katedrales së Tiranës, dom Shtjefën Kurti dhe ai i katedrales së Durrësit, dom Anton Bicaj, u pushkatuan pa proces gjyqësor. Monsinjori Xhuzepe Bonati u vra në burg, ku ishte prej kohësh i dënuar. Ashtu siç pati referuar një prift shqiptar që për një farë kohe jetoi me të në të njëjtën qeli, monsinjor Bonatit i qe ndaluar të lëvizte buzët për t’u lutur dhe çdo thyerje e një ndalimi të tillë dënohej me një numër të caktuar goditjesh me kamzhik në shpinë dhe në këmbë.
Prifti ortodoks, papa Pando nga Fieri, u pushkatua si tradhtar e spiun, duke pas kaluar edhe ky në vitin 1943 në besimin katolik. Papa Petro Isaku i Misionit Katolik të Korçës, që e kishte marrë urdhrin e priftit në kolegjin grek të Romës, u dënua me burgim të përjetshëm. Frati Agustin Spanu u mbajt për shumë muaj në burg, pa ndonjë fajësi tjetër veç pjesëmarrjes në Misionin Katolik të Korçës. Ipeshkvi tetëdhjetë vjeçar i Pulajt, monsinjori Benardino Shllaku, u kufizua të mbyllet në banesën e tij. Monsinjori Laka, vikari kapitullar i Shllakut dhe monsinjori Gurakuqi, vikari kapitullar i Sapës, u arrestuan nën akuzën e krimeve të pakryera ndonjëherë, me qëllim që këto dioqeza të mbeteshin pa një drejtim pastoral. Papa Josifi nga Elbasani u varros për së gjalli, sepse u quajt fajtor për “propagandë fetare të kundërt me partinë”. Papa Pandelejmoni i Misionit Katolik të Pogradecit u vra në një pritë. I thirrur në Fier me një telegram të rremë, u sulmua gjatë udhëtimit dhe u bë copë-copë me një sopatë. Copat e trupit të tij, të mbledhura e të futura në një thes, komunistët i dërguan në Mision. Copa më e madhe ishte koka: në gojë komunistët i vunë një letër ku qe shkruar: “Sepse ishe partizan i Papës”. Shumë priftërinj të tjerë shqiptarë e paguan me jetë besimin e tyre te Kisha Katolike; një pjesë e tyre u zhduk në mënyrë misterioze, sepse regjimi i Tiranës kishte frikë të krijonte martirë...
(Fragment nga libri me kujtime “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” (“La guerra più lunga: Albania 1943-1948”), me autor Franko Benantin, i sapobotuar në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Naimi”)