Si e kujtuan Ali Podrimjen
në festivalin e Francës

Si e kujtuan Ali Podrimjen<br />në festivalin e Francës
TIRANE - Një pllakë përkujtimore për Ali Podrimjen, që humbi jetën një vit më parë në festivalin poetik të Francës, e ka emocionuar poeten Rita Petro Filipi. Në ceremoninë e hapjes së Festivalit “Voix de la Méditerranée” në Lodeve poetja shqiptare pa me sytë e saj sesi Franca po nderonte Ali Podrimjen, i cili një vit më parë humbi jetën pikërisht në këtë vend.

“Nuk u lanë pa përmendur dhe vargjet e tij si një testament poetik, ku poeti shprehte dëshirën të vdiste “me sytë hapur/ duke parë nga qielli”, ashtu siç ndodhi në realitet”, thotë ajo në intervistën për “Shqiptarja.com”. Poetja Rita Petro Filipi në Lodeve përfaqësonte poezinë shqipe bashkë me poetin e ri nga Kosova Ndriçim Ademaj. Mjaft interesante ishin takimet poetike në lumin plot gjelbërim të Lodeves, ku njerëzit dëgjonin me këmbët e futura në ujë.

Poezia e Rita Petros dhe e Ndriçim Ademaj u duartrokit dhe u prit me një interesim mjaft të madh nga studiuesit e poezisë, nga poetët e ftuar, si dhe nga lexuesi francez. Në Antologjinë e botuar prej Festivalit Ndriçim Ademaj u përfshi me poezinë “Mon Amour”, ndërsa Rita Petro me vargjet e librit “Shija e instinktit”. “Pasioni dhe energjia femërore, zbulim aq hapur i nënvetëdijes, guximi i poeteshës shqiptare Rita Petro për të krijuar një komunikim aq intim me lexuesin, u vlerësuan nga auditori francez si surpriza të Festivalit poetik 2013”. Rita, poetja shqiptare, rrëfen mbresat e atij festivali, ku poeti Podrimja aksidentalisht dha frymën e fundit. 
 
A mund të na tregoni se me çfarë mbresash ktheheni nga festivali “Voix de la Méditerranée” që u zhvillua gjatë muajit korrik në Lodeve të Francës?
-Shkova atje me mendimin se do të shkoja në një festival ku poeti i shquar dhe miku im Ali Podrimja humbi jetën gjatë ditëve të këtij festivali. Të them të drejtën, jam prekur jashtë mase, kur po flitej në çelje të këtij festivali për poetin Ali Podrimja. Edhe pse po flitej frëngjisht, unë e kuptova menjëherë atmosferën emocionale që ishte krijuar në kujtim të poetit Ali Podrimja, “poetit të madh shqiptar”. Kështu e përcaktuan gjatë fjalës së hapjes së festivalit francezët.

Ata kishin ftuar edhe familjen poetit. Madje ajo që të prekte më shumë ishte se ata përmendën një poemë që Podrimja e ka lënë si testament poetik, që kur të vdes, dua të vdes duke parë qiellin. Dhe, të gjithë të pranishmit u emocionuan jashtë mase, sepse pikërisht ashtu ndodhi. Poeti ynë i madh Ali Podrimja vdiq me sy të hapur, duke parë qiellin. Ai i këndoi tërë jetën qiellit, lirisë dhe pikërisht ky ishte edhe fundi i tij i dëshiruar. Le të shpresojmë se ka ikur i lumtur dhe se e ka përmbushur misionin e madh poetik.
 
Çfarë vendi zë deri më sot poezia shqipe në festivalin “Voix de la Méditerranée” në Lodeves?
-Festivali ka shumë vite që zhvillohet dhe nga Shqipëria kanë qenë shumë poetë shqiptarë. Ka qenë Arjan Leka, ka qenë Ledia Dushi, Primo Shllaku dhe shumë të tjerë që kanë përfaqësuar poezinë shqipe. Me vajtjen time atje konstatova se ishin të padiskutueshme njohjet që kishin për shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Madje dinin të bënin edhe dallimin e stilit të tij.

Më bëri përshtypje se e përcaktonin si një shkrimtar me një stil modern. Nga një bisedë që bëra me një kritikë ai dinte edhe kombinimin që bënte Kadareja në letërsinë e tij me modernen dhe traditën, që ai mbështetej në legjendat, baladat dhe historinë kombëtare dhe si e bënte kombinimin me të sotmen. Dëgjova nga ata që kishin ardhur në festival që e njohin Fatos Kongolin, Besnik Mustafajn, etj.  
 
Gjatë një bisede paraprake që bënë, më bëri përshtypje që atyre u interesonin shumë çështjet shqiptare të gjuhës, të identitetit, etj?
-Përpara se të bëheshin leximet poetike, aty fillonin me një prezantim shumë të hollësishëm. Madje kur prezantuan përfaqësuesin e Kosovës, Ndriçimin, ata e theksuan se në Kosovë flitet gjuha shqipe. Për secilin poet ata i jepnin një rëndësi të madhe gjuhës amtare. Mënyra sesi lexoheshin poezitë ishte e shumë e bukur dhe ata të falënderonin për këtë gjë.

Më pas poezitë e përkthyera në frëngjisht lexoheshin nga aktorët francezë. Një eksperiencë e re për mua ishte mënyra si lexoheshin poezitë. Në Shqipëri, pa ia ulur vlerat aktorëve, poezitë lexohen në mënyrë deklarative, ku mundohen për të futur shumë më tepër emocion, por atje aktorët ose moderatorët bënin një lexim perfekt. Nuk besoj se ishte vetëm kjo mënyrë leximi një nga arsyet që kur lexohej në atë festival nuk pipëtinte njeri.   
 
Meqë ju vet përfaqësuat këtë vit poezinë shqiptare, a mund të na tregosh sesi e përfaqësove dhe cilat janë marrëdhëniet e tua me poezinë?
-Së pari, unë duhet të falënderoj atë që u përkujdes të më përkthejë poezitë e mia në frëngjisht, Ardian Marashin. Në poezinë time unw vendos një intimet midis vetes sime dhe lexuesit dhe kjo ra në sy edhe atje në Francë. Madje, m’u bë edhe pyetja sesi ka mundësi që të krijosh një marrëdhënie kaq intime me lexuesin. Por, kjo më mua më vjen shumë spontanisht.

Marrëdhëniet e mia me poezinë kanë qenë disi të çuditshme. Para viteve ‘90 poezitë e mia i kam konsideruar si poezi sirtari, sepse shihja që kjo mënyrë nuk shkonte me kërkesat e kohës, ku poezia duhet të rrëfente një mesazh të madh social. Këtë nuk e bëja me qëllim se mendoja se isha kundër rrymës, por i quaja thjesht poezi intime. Pas viteve ‘90 vendosa t’i botoj, sepse pashë që u fut një frymë komplet e re në poezinë shqipe.

Kur i botova u habita sesa shumë u shit libri në atë kohë. Ndërsa sot kam botuar libra më të mirë, por shoh se është shkëputur ajo marrëdhënia e lexuesit me poetin. Por atëherë edhe kompozitorët u interesuan për poezitë e mia dhe mbahen mend këngët “Pesë fustane kam”, ose “Kurrë mos më lësho” që e ka kënduar Rovena Dilo.

E ka thënë një poet dhe ky është edhe mendimi im: Poeti është si Krishti. Duhet të mbajë tërë mëkatet e të tjerëve, për ta bërë botën më të mirë. Në Festivalin e Lodeves mua më bënë shumë pyetje për poezitë “Shija e instinktit”, “E dashura e babait”, “Sfidë femërore”, ku unë them:
“Unë do të të sfidoj,
Me çvirgjërinë time të shenjtë
Dhe pabesinë e seksit femëror.”
Atyre iu duke kjo si diçka kontraversale dhe më thanë se ti ke humor. Në fillim s’e kuptova se ata kishin këtë koncept se letërsia moderne mbështetet në humorin që të bën të vësh buzën në gaz. Sepse në momentin që t’i thyen një tabu dhe atij tjetrit i pëlqen, ai vë buzën në gaz.

Meqë festivali nisi me Podrimjen, le ta mbyllim me Podrimjen. Ju e keni pasur edhe mik, si e kujtoni?
-Të them të drejtën, kur pashë edhe një pllakë që e kishin vendosur aty te muri, m’u duk me të vërtetë sikur bisedoja me të. Pllaka ishte vënë pranë lumit ku bëhet recitimi i poezive. Podrimjen e kujtoj si një njeri shumë të thjeshtë, ashtu si njerëzit që takova atje; sa më të mëdhenj, aq më të thjeshtë ishin. Podrimja është një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë. E kujtoj atë kur shkuam në një takim me nxënësit dhe ata u çuditën që po shihnin nga afër një poet aq të madh të gjallë, Ne jemi mësuar që të mëdhenj janë të vdekurit. Ali Podrimja nuk u bë i madh tani që vdiq.

POEZIA “E DASHURA E BABAIT”
E dashura e babait na zbukuroi jetën
Vetëm unë e ndiej këtë të fshehtë,
Me nënën ai s’ka qenë kurrë më i dashur
Dhe aq i gatshëm në punët e shtëpisë,
Mua më ngacmon shpesh për të dashurin
Syrin ma shkel, ndihemi miq,
Veç vëllai grindet ndonjëherë,
Kur me xhupin e tij babai del.
E dashura e babait na zbukuroi shtëpinë,
Por pse ta fsheh, më mundon një frikë.


Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë