Si e modifikuam liberalizmin, që nuk e mësuam kurrë

Si e modifikuam liberalizmin, që nuk e mësuam kurrë

Termi ‘liberalizëm’ është i përdorur kaq shumë këto tridhjetë vite nga politikanët e të dy krahëve në vend, saqë tashmë ai presupozon çdo lloj lirie: ku të fuqishmit, më së shumti ata të lidhur me ekonominë, mund të bëjnë gjithçka; ku individit duhet t’i jepet çdo lloj lirie nga qeveria (!); apo ku gjithçka vetërregullohet në emër të lirisë.

Po sa i thellë dhe relativ është ky koncept, pak flitet në vendin tonë. Liberalizmi i sotëm modern pre supozohet se ndryshoi dhe u trashëgua nga liberalizmi klasik rreth fillimit të shekullit të shkuar, ku tashmë ndryshimi do vërehej në dy fusha kryesore: liria e individit dhe sidomos roli i qeverisë në shoqëri.

Ky koncept ishte asokohe utopi tek ne, pasi sfida e shqiptarëve ishte mbijetesa e një shteti të sapoformuar. Ardhur tashmë në kohët tona, kryeministri Rama në vazhdën e ndryshimeve të PS-së dhe sidomos mëtimin për krijimin e një udhe tjetër të së Majtës, pasi të vjetrës nuk po i përshtatej dot, nisi një angazhim për të sjellë atë që bëri dikur njëri prej këshilltarëve të tij më të afërt, ish-kryeministri Tony Blair me të ashtuquajturën “Rrugën e Tretë” apo Social-Liberalizmin. Paçka premtimeve të Ramës se do ishte shumë brenda të Majtës, që trashëgoi, hapat e tij po shkonin në drejtimin e kundërt, ku demokracia dhe liberalizmi po i nxirrnin paq dhëmbët njëra-tjetrës.

Jo thjesht roli i individit, politikat fiskale, zgjedhjet e lira, tregu por tashmë edhe struktura e njerëzve që e mbështet janë jashtë konceptit të së Majtës. Në fakt, administrata e Ramës falë mbajtjes dhe kontrollit së të gjitha institucioneve është drejt një forme allosoj të liberalizmit.

Për të mos thënë një liberalizëm krejt kaotik. Kuptohet se gjatë mandateve të së Majtës, flitet shumë e shpesh për qytetarin shqiptar, mbështetet kujdesi shëndetësor dhe sidomos shërbimi i tij pothuaj falas në të gjithë vendin (në terren lë shumë për të dëshiruar), qasja në një minimum jetik dhe premtimi se do të arrinte të ekuilibronte me anë të legjislacionit dhe taksave disnivelet në vend. Në praktikë, të gjitha këto po mbeten gati hipotetike, paçka disa arritjeve të pamohueshme.

Teorikisht, liberalët e sotëm e duan qeverinë t’u qëndrojë afër, t’i ndihë individët për liritë, të sistemojë tregun dhe të jetë e ndjeshme e të ndërhyjë kur duhet ndaj pabarazive shoqërore. Rasti i Shqipërisë me gjithë propagandën lëbyrëse jo pak herë ka treguar të kundërtën, sepse të Majtët amnistojnë shpesh grupe jo vulnerabël, justifikojnë shpenzimet e mëdha të qeverisë dhe taksat, madje edhe më shumë sesa të Djathtët e PD-së, që janë krejt të përçarë dhe fare kaotikë.

Në esenë e tij të njohur “Dy koncepte të lirisë”, politologu dhe sociologu Isaiah Berlin pohon se: liria mund të ketë natyrë negative dhe pozitive. Liria pozitive është thjesht liria që kemi për të bërë diçka, kurse Liria negative është mungesa e ndalesave që na e kufizojnë liritë individuale.

Liria në Shqipëri është një nga konceptet më të përfolura sepse ndërsa për një pjesë fare të pakët të shoqërisë ajo sugjeron aksesin në gjithçka të mundshme dhe pasurim pa asnjë lloj filtri, për të tjerët ka vazhdimisht sanksione dhe rrugë aspak me start të njëjtë. Mungesa e një debati thelbësor mbi lirinë për teoricienët në vendin tonë lidhet me kaosin demokratik por edhe rolin që ka pasur individi shqiptar për të krijuar forma kallpe pushteti dhe modele ekonomike, që mbështetur në resurset e vendit, do t’i sillnin paqtim dhe prosperitet.

Në vend të një shikimi të së shkuarës rreth përshtatjes me regjimin hibrid komunist, si edhe duke justifikuar mungesën e çdo lloj reagimi para viteve ’90, “Homo Albanicus” nuk sheh sot e kësaj dite se ka shumë probleme (?!) teksa duhet të ishte ai dhe shoqëria që do krijonte të gjente format që i përshtateshin më shumë. Ndaj sot, post ’90 kemi mbetur në të njëjtën dilemë që mbetëm në socializëm: A është individi qenia që mund të ndryshojë regjimin apo që bashkëjeton normal? Për fat të keq, ashtu si në Shqipëri në formë më banale, rasti i Evropës Lindore dhe Qendrore dhe më së shumti në Ballkan tregon sot se ne e delegojmë votën tek njerëz që nuk na përfaqësojnë më, e që  përfaqësojnë thjesht rolin e kryetarëve.

Më keq akoma, zinxhirët administrativë që gjenden shpesh para kundërvajtjeve dhe sidomos abuzimeve na thonë se: nuk janë ata fajtorët, pasi ata thjesht janë mekanizma, megjithëse raportet e KLSH-së e akuzojnë hapur dëmin. Një gjë që Hannas Harendt e preku në konceptin e saj të “Banalitetit të së Keqes”. Ndaj çfarë liberalizimi po cekim sot, kur pushtetarët shqiptarë për të relativizuar gjithçka do të nxirrnin qysh në fillim të viteve ’90 tezën, që do nënkuptonte flirtin pastaj paaftësinë dhe përkuljen: “Të gjithë jemi bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”, një tezë që e relativizonte rolin e individit nga përgjegjësia e forcimit të pushtetit komunist.

Po pse sot vazhdon e flitet për liberalizëm dhe vlera të tij, kur në fakt, ai është zvetënuar krejt në vendin tonë? Dhe pse nuk përshtatemi me ‘Globalizmin’, kjo pjellë e liberalizimit, që na shfaqi të vërteta të hidhura para syve? Vendeve tona të Ballkanit ua kthyen krahët në momentet e para të përhapjes së Covid-19, kurse diskursi i integrimit, duke futur brenda politikat liberale, duket gati i paarritshëm.

Nëse sipas një teorie: liberalizmi në Evropë e mori krizën e parë nga përçarja e desidentëve, po në Shqipëri pse nuk mundëm ta zbatonim asnjëherë, që ishte tokë e virgjër idesh? Në fakt, në Shqipëri nuk kishte desidentë, kurse ata që u vendosën të parët në barrikadat kundër komunizmit, ishin thjesht ata që kishin ndërruar barrikadën.

“Së pari, duhet të vëmë re eklipsin politik të ish-disidentëve, bartësve të parë të liberalizmit politik në Evropën Qendrore. Në vitin 1989, ata u gjendën në ballë të skenës politike nga lëvizjet e mëdha të unifikuara, por kudo dështuan, sidomos në fazën tjetër të institucionalizimit të pluralizmit: krijimin e partive politike të qëndrueshme. Të gjitha përpjekjet për të themeluar parti të qëndrueshme që bashkojnë intelektualët dhe liberalët e “qendrave të Majta” u ndeshën me dështim. Havel u bë president, por ai ishte si pema që fshehu pyllin; aleatët e tij në Lëvizjen Qytetare nuk arritën të hyjnë në Parlament në zgjedhjet e vitit 1992. Pushteti ishte në duart e partisë së themeluar nga ekonomisti Václav Klaus, qeveria e të cilit ishte e përbërë nga shumica e kolegëve të tij në Institutin e Parashikimeve të Akademisë së Shkencave Çekosllovake. Ekonomistët liberalë kishin zëvendësuar kështu ish-disidentët. E vetmja parti e themeluar nga ish-disidentët që ia doli të ngulitej vazhdimisht në peizazhin politik ka qenë ‘Fidesz’ e Orbanit.

E krijuar nga të rinjtë premtues (duhej të ishe nën 35 vjeç të bëheshe anëtar) që ishin të aftë për liberalizmin politik, ekonomik dhe social, partia ia drejtoi thirrjet e saj shtresave të mesme të arsimuara urbane. ‘Fidesz’ përparoi, dhe një dekadë më vonë madje mori pushtetin, por e bëri këtë duke u transformuar në një parti nacionaliste, konservatore që sot përfaqëson “shtetin joliberal”. Kurse Partia Socialiste e Hungarisë (ish-komunistët) u konvertua në liberalizmin ekonomik në vitet 1990 dhe ndërsa Forumi Demokratik Hungarez i qendrës së Djathtë shkoi drejt bjerrjes, Orbán dhe miqtë e tij në ‘Fidesz’, të lëvizur fillimisht nga oportunizmi dhe më vonë nga bindja, vendosën të pushtojnë pjesë të së Djathtës nacionaliste dhe antiliberale të spektrit politik”, citojmë Jacques Rupnik me artikullin e vet “Explaining Eastern Europe: The Crisis of Liberalism”.

Me fjalë të tjera, dhe kjo ka një ndikim më të përgjithshëm në Evropën Qendrore, shkëputja aktuale e demokracisë dhe liberalizmit ka të bëjë shumë me konfuzionin ose marrëveshjen e fshehtë të liberalizmit politik me liberalizmin ekonomik. Ryszard Legutko, një produkt i lëvizjes liberale të vitit 1989, citojmë autorin e sipërpërmendur, thotë se: “aty ku dikur komunistët ishin të fiksuar me klasat shoqërore, liberalët tani janë të fiksuar pas çështjeve të racës, gjinisë dhe orientimit seksual”. Megjithatë, thotë Legutko, qëllimi mbetet i njëjtë, domethënë, shpërbërja e vlerave tradicionale, duke përfshirë familjen, Kishën dhe kombin. Shqipëria është një kaos i vërtetë sepse tek ne vlerat liberale kanë qenë në letër, kurse nguti për t’i pëlqyer Evropës na ka bërë që t’u shmangemi shumë nga vlerave tona për hir të një unifikimi që na ka bërë pak qesharak në masën e ligjeve të miratuara.

Ndaj retorikat e Ramës pro dhe kritik me Evropën, apo qarjet e opozitës që bëri të njëjtën gjë, të bën të mendosh se ne asnjëherë nuk u përshtatëm me liberalizmin sepse po kështu nuk ditëm as edhe me komunizmin apo më keq akoma: Asnjëherë nuk arritëm të jetonim normal në shoqërinë demokratike. Dhe, jo vetëm ne, siç do të shqiptojë në një ese të tij Krastev, tashmë ne të ardhurit nga Socializmi i jemi nënshtruar të gjithë mosbesimit: “Niveli i mosbesimit të shprehur në lidhje me parlamentin është në 75 për qind në vendet e Vishegradit (mesatarja evropiane është 60 për qind). Vetëm 11 për qind shprehin besim në partitë politike dhe elitat politike.

Çelësi i kësaj humbjeje besimi është kryesisht përmasat e korrupsionit: 90 për qind e të anketuarve thonë se politikanët janë të korruptuar; të paktën një farë diskreditimi i jep të gjithë klasës politike. Ky mosbesim ndaj elitave liberale dhe institucioneve demokratike është i lidhur me trashëgiminë e viteve 1990, kur ekonomi të tëra u privatizuan në vetëm hapësirën e një dekade, shpesh me një përbuzje për sundimin e ligjit dhe ndjenjat shoqërore për barazinë”, citojmë Rupnik. Por, edhe pse Shqipëria nuk i ka mundësitë e këtyre sondazheve, kemi plotësisht qytetari në këtë logjikë: Askush nuk i beson më politikanët tanë, sepse nuk besojmë më asgjë, …sepse veç të tjerëve, nuk e kuptuam kurrë as Liberalizmin nëse i përshtatej dot apo jo Shqipërisë. (Homo Albanicus)Ev

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI