Si e sfidoi Kolë Prela gjyqin
komunist, i pushkatuari pa va

Si e sfidoi Kolë Prela gjyqin<br />komunist, i pushkatuari pa va
Deklaratën e Kolë Prelës si deputet i Dukagjinit për mbrojtjen e Pater Gjon Shllakut, të cilën e cituam në  numrin e kaluar. "Pushkatimi i deputetit tëparë opozitar Kolë Prela", e kanë dëshmuar disa nga gazetat e kohës. Gazeta “Koha e re” më 26 janar 1946 duke iu referuar këtij fakti shkruan: “Profesor Kolë Prela,deputet në Asamblenë Kushtetuese mbron At Gjon Shllakun… Duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit se a keni lexuar “Hyllin e Dritës”?

- Po,- u përgjigj- shkrimet e tija dhe të tjerëve.- Çfarë përshtypje u kanë bërë? Nuk ju kuptoj përse pyesni për gjëra të tilla që lejoheshin të shtypeshin e të lexoheshin legalisht. Çfarë shoqërie ishte ajo Antoniane? Përfaqësuesi i popullit përgjigjet:- Shoqëri fetare. Në këtë rast populli në sallë filloi me vërshëllye e me rrahë këmbët...

- “Unë, në emër të popullit, - reagon prokurori -një gjë të tillë nuk mund ta pranoj kurrë.

- Më vjen keq të atakoj një njeri që quhet i lëvizjes, por di të them se ju e dini mirë veprimtarinë e Gjon Shllakut. Ju kujtoj, zoti prokuror, theksoi deputeti, se jam plotësisht i përgjegjshëm për sa deklarova, prandaj të lutem mos i bëni asnjë koment thënieve të mia. Kaq tha dhe doli jashtë gjithë mospërfillje, nga ajo sallë, ku ishin mbledhur fundërrinat e qytetit e bënin tifo në atë gjyq famëkeq. Prokurori kishte mbetur si bishë e plagosur. Profesori me këtë gjest kishte demaskue demokracinë e rreme. Deputeti trim i Dukagjinit doli në shesh e demaskoi luftën sistematike që po u bëhej intelektualëve nga një bandë mizore që kishin uzurpue pushtetin”. Kjo deklaratë bombë ishte një këmbanë që paralajmëroi fundin fatal të Kolë Prelës si politikan dhe qytetar i lirë.

KOL PRELA ARRESTOHET ME MANDATIN E POPULLIT NË XHEP

U arrestua më 14 shtator 1946 me këtë aktakuzë: Ka punue për formimin e një organizate terroriste në Shkodër lidhur me KQ e organizatës terroriste të Tiranës. Nga të pandehurit, Kolë Prela ka qënë efektiv i KQ të Demokristjanës dhe bashkpuntor i organizatës terroriste. Kolë Prela është largue nga detyra e Profesorit në kohën e okupacionit politik dhe qëndronte në zona nën influencën e Demokristjanës dhe për oportunitet politik diku bashkëpunonte me elementa të lëvizjes, por më tepër ishte i lidhur me elementa të Demokristjanës ose të legalitetit.

I pandehuri Kolë Prela konsultohet me Pader Gjoin Shllakun e të tjerë klerik ne se duhesh pranuar kandidatura e vënë prej frontit në emrin e tij. Dhe më në fund vendosi të pranohet dhe kontrabandë pa u njohur nga populli puna e tij reaksionare, zgjidhet përfaqësues i popullit në Kuvendin Popullor, punë që ishtë në interes të reaksionit e sidomos të demokristjanës, ku i pandehuri Kolë Prela, ishte Antarë i Komitetit Qendror sikurse e ka faktuar tradhtari Mon Sinjor Volaj dhe në ketë mënyrë demokristjanët në Kuvendin Popullor kishte njerëzit e saj ç’ka i nevojiteshin.

Mbas kësaj kohe i pandehuri Kolë Prela bashkë me avokatin Paulin Pali e Pater Gjon Shllaku bëjnë mbledhje të ndryshme të tre së bashku, ku diskutojnë mënyrën se si duhet organizue e veprue kundër pushtetit. Rreth organizatave të tjera reaksionare. I pandehuri Kolë Prela si Antarë i KQ të Demokristianes fillon bashkëpunimin me përfaqësuesit e tjerë reaksionar në Kuvendin Populor, sabotimet e tij fillimisht me anë parullash e kundershtimësh dhe ma vonë duke patur organizimin e tyre në bashkëpunim me përfaqësuesit e tjerë tradhëtarë si Riza Dani, Gjergj Kokoshi, etj.

Gjatë kohës që i pandehuri ishte përfaqësues në Kuvendin Popullor udhëton shpresh herë Tiranë Shkodër dhe gjithnjë bën takime dhe mbledhje me elementë reaksionarë. Të pandehurit Kolë Prela dhe Paulin Pali dinin mirë organizatën e Bashkimit Shqiptar se për ketë ishin vënë në dijeni nga Pader Gjon Shllaku dhe me mundësitë e tyre kishin ndihmuar, sidomos me anën e propagandës. Kur organizata Bashkimi Shqiptar u zbulua dhe doli tradhtia e tyre në shesh, i pandehuri Kolë Prela me qëllim që të mbrojë kuadrot e reaksionit dhe sidomos Pader Gjon Shllakun që ishte organizatori kryesor i saj në kohën kur gjykoheshe i del dëshmitarë mbrojtës duke dashtë të mbulojë tradhtinë e tij, sadoqë i pandehuri Kolë Prela ishte përfaqësues i popullit. Mbas dënimit që mori i pandehuri Pader Gjon Shllaku i pandehuri Kolë Prela mban lidhje të rregullta me me Paulin Palin me të cilin bashkëpunon shumë ngushtë si dhe tradhtarë të tjerë.

I pandehuri udhëzon elementët reaksionar si Gjelosh Lushi nga Shoshi për të punuar kunder pushtetit, si dhe të vëllanë e tij Markun, Pjeter Palin, Luigj Larjen të cilët nëkohsisht kishin lidhje të ngushta me pader Gjon Shllakun dhe disa nga këta me udhëzimet e të pandehurit Kolë Prela e Pader Gjon Shllaku mbanin lidhje edhe me të arratisurit duke ju dhënë atyre të gjitha inforamcinet e nevojshme. Tradhtari Luigj Larja i ka thënë të pandehurit Kolë Prela se në Pukë ekziston një organizatë klandestine dhe për këtë i pandehuri, megjithëse e dinte se kjo organizatë drejtohej për kundra pushtetit si përfaqësues i popullit në Kuvendin Popullor nuk ka marrë as një masë, për denoncimin e saj, përkundrazi i ka dhënë udhëzime se si duheshin të punonin më tepër se situata do të ndryshonte, do të zbarkojnë anglo-amerikanët me të cilët kishte lidhje dhe shpresonin në zbarkimin e tyre simaas premtimeve që u kishin dhënë. Të pandehurit, tradhtari Luigj Larja i tregoi edhe për lidhjen që ishte krijuar rreth organizatës së Tiranës nerpërmjet Andon Dukagjinit dhe krimenelëve të arratisur që edhe vetë Luigji ishte korrier i tyre. Ai ka qenë për ndërhyrjen e shteteve të huaja imperialiste. Direktivat nga KQ i Tiranës i ka dhënë Abdyl Kokoshi. Pas leximit të akt akuzës, e cila i cilësonte fajtore të gjithë të pandehurit e sipër përmendur, kryetari i trupit gjykues Kapiten I-rë Bllaci jep vendimin përfundimtar. Anëtarët e trupit gjykues kanë vënë vetëm firmat, jo emrat.

AKUZAT. KOLË PRELA MBRON NË GJYQ TEZËN E NJË PARTIE OPOZITARE

U pyet i pandehuri Kolë Prela dhe tha: Në aktakuzë ndonjë fjalë është e vërtetë. Gjatë kohës së okupacionit fashist një vit kam qenë në Itali dhe në 1940 jam kthyer në Shkodër, ku jam emëruar profesor dhe kam qëndruar deri në vitin 1943, pastaj u legalizova në Dukagjin se kisha marrë pjesë në formimin e Këshillit Nacional Çlirimtar Shkodër. Qëllimi im ishte të luftoj fashizmin dhe shokët e këshillit më thanë të shkoja atje të punoja dhe mora lidhje me Zija Dibrën dhe Arif Gjylin, etj. Kam pasë kontakt me njerëz të ndryshëm sidomos, Mark Mala më ka shkruar të hiqesha nga Levizja NaÇl, por unë i kam shkruar të vinte edhe ai me ne.

Ai më shkruante se Blloku do të përçahej.... Mua më pëlqente një Demokraci me partina të shumta dhe kësish demokracie kishte në Francë dhe Angli. Unë më shumë kam folë për Anglinë dhe Amerikën me mujtë me afritë ata me popullin. Kam pasë takime edhe me bajraktarë në favor të lëvizjes NaÇl, ku ka qenë edhe Mark Ndoja, shoku im. Nga Elbasani jam kthyer në nëntor 1945. Vëllai më tha se kish folë me Pader Gjon Shllakun, për një grup për të marrë pjesë në votime pa i vënë emer.

Pater Gjonin e kam njohur në vitin 1940 dhe nuk di të ketë punue për fashizmin. Çlirimi i Shqipërisë më ka pëlqyer dhe kam qenë për 2 muaj përgjegjës i Seksionit Ekonomik, pastaj Drejtor i Normalës së Elbasanit, ku kam qëndruar 8 muaj, pastaj u transferova Profesor në Liceun e Shkodrës deri sa u arrestova. Takimi i fundit me Pater Gjon Shllakun ka qenë mbas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, kur kemi qenë së bashku me Paulin Palin, por ky takim ka qenë i rastësishëm dhe për Organizatën këtu nuk u bisedue, vetëm tha se mbas lajmeve të radios mund të prishet situata në verë dhe mund të ketë ndryshime, por unë i thashë se ti je duke folë kot, i bindur se nuk u dhashë ndonjë rëndësi.

Me të tjerë persona nuk kam bisedue dhe as që kemi hapë të tilla biseda. Unë Pader Gjonin e kisha mik personal dhe shkova për të marrë një libër dhe jo i ftuar prej tij. Mbas këtij takimi më datën 9/1/1946 kam shkue në Tiranë në Asamble. Organizatën “Bashkimi Kombëtar” e mora vesh nga gazeta Bashkimi në Tiranë dhe u hap lajmi se u arrestue edhe Pader Gjon Shllaku, por unë nuk kam qenë në atë organizatë. Kur zhvilloheshe gjyqi në Shkodër kundra organizatës, kanë ardhë e takue me mua Pader Franua dhe Pader Filipi dhe Aleks Baqalli dhe unë u dhashë një deklaratë, për ta paraqitë në gjyq në favor të Pader Gjonit.

Kur kam pasë takim me Paulin Palin i thashë se i shkreti Pater Gjoni, u dënue dhe ky më tha. Mos më fol për gjyqin, masi dukeshe se i ishte dhimbur dhe atij, por mua më dhimbsej se qe miku im. Gjelosh Lushin e njoh, është prej Shoshit, mbas çlirimit jemi takuar dy herë, një herë në shtator 1945, një herë në prill 1946. Erdhi në shtëpi dhe më pyeti për gazetën dhe unë i lexova fjalimin e Kokoshit në Gazetën Bashkimi dhe i thashë se nuk do të ishte keq të bëhej një parti tjetër.

Në prill më tha: me sa kam parë për ty do të arrestojnë, por bën mirë me u ilegalizue. Unë Gjeloshit i thashë se nuk kam bërë gjë, pastaj më pyeti për gjendjen ndërkombëtare, ndërsa unë i thashë:
Situata është e turbullt dhe e ngatërruar, por luftë nuk do të ketë, por bota mund të ndahet në dy blloqe. Unë për sa më tha Gjeloshi për çështjen e arrestimit nuk kërkova shpjegime se ai ma tha si mik, që të ruhesha se do të më arrestonin.... Unë nuk e kam ngarkue ketë me punë në Dukagjin.

-Nuk kam qenë anëtar i PDK-së dhe as nuk kam shkuar kurrë në Arqipeshkvi. Nuk di gjë për lidhjet me Tiranën as 9 shtatorin,. Për Anglo-amerikanët as nuk di gjë, as nuk njoh ndonjë njeri. Sigurisht unë kam dëshiruar sistemin shumë partiak. Unë jam futur në Front që të luftojmë së bashku okupatorin e huaj, ndërsa pas çlirimit kam synuar e luftuar që të krijohet një sistem parlamentar shumë partiak me parti të majta e të djathta ku seicili njeri të kishte të drejtën të votonte partinë që dëshironte. Qysh në momentin që na u mohua ky premtim që na ishte thënë që gjatë luftës unë kam dalë në opozicion dhe kam luftuar për të krijuar poziten e re shqiptare.

MISTERI I PAZBARDHUR

Nuk dihet se ku përfundoi trupi i Kolë Prelës pas pushkatimit

Kolë Prelën nuk e pushkatuan në zallin e Kirit, në atë “ferr” ku përfundonin shpirtrat e mallkuar të “djajve” antikomunist. Për arsyje konspiracioni, nga që profesori ishte njeri i politikës (deputet) dhe ish -luftëtar i Frontit thuhet se e pushkatuan diku larg në Fushën Bunës të lidhur dorë për dorë me mikun e tij avokatin e mirënjohur Paulin Me datën 13 .04. 1948, pushkatohet në atë fillim pranverë të zymtë pa lule. Plot dy muaj e gjysëm, apostulli ynë i parlamentarizmit, provoi ankthin e tmerrshëm të përmasave biblike, duke numëruar minutat, orët dhe agimet kur do të përballej me plumbin.

Psikologët më të medhenj botëror duke studjuar ankthin e njerëzve që presin të ekzekutohën, kanë arritur në konkluzionin se pritja është më e tmerrshme se vetë ekzekutimi. Nuk dihet se cili qe vullneti i tyre i fundit... Dihet se batarja e trupit ekzekutues shkarkoi mbi ta gjithë plumbat e karikatoreve të mashinës vdekjeprurëse, duke ua shkimatë zerin në buzë. Martirët u rrëzuan përdhe, duke zbutë me gjakun e tyre djaloshar edhe një herë atë tokë që më gjak është lagë e ushqyer ndër mote. Mas pushkatimit trupat e viktimave përgjatë gjithë ditës liheshin ashtu njeri mbi tjetrin, si të ishin thasë plehi.

Nënteksi ishte i qartë: Shikojini si përfundojnë armiqtë e popullit! O popull shfry mërinë mbi armiqtë e tu! Më afrimin e mbrëmjes, ashtu grumbull siç ishin, ngeheshin rrëshqanë dhe hidheshin si ngordhësira në një gropë të përbashkët. Ndoshta Profesor Kolë Prela qe më me “fat” pasi duke qenë njeri shumë publik u gropos me vëmendje, duke mos lënë gjurmë as shenjë vorri. Nuk dihet se ku përfundoi trupi i Kolë Prelës, në Bunë, Liqen apo në ndonjë gropë apo kanal.

Dihet që akoma sot e kësaj dite është i pavarr. Mos vallë as një varr nuk e meritonte ky njeri në “Shqipërinë e lirë” së cilës i fali gjithë patriotizmin e vet! Prof Kolë Prela ka vendin e merituar në historinë e e parlamentarizmit shqiptar Shkodra Porofesor Kolë Prelën e pati një zëdhënës të vertetë të dëshirave e qellimeve të saja fisnike, prandaj duhet të ndihet krenarë që e pati djalë pasi ai ishte drejtësia, vertetësia, siqeriteti dhe vetmohimi. Profesor Kolë Prela është jashtëzakonisht i gjallë edhe pas vdekjes fizike. Shembulli dhe ideali i tij vijon të veprojë në dobi të arsimit demokracisë dhe atdheut.

PRETENCA E GJYQIT

Kolë Prela, kërmë, prostitutë që qëndronte në Kuvendin Popullor

I pandehuri Kolë Prela, sado që në dukje tregohesh i lidhur me Lëvizjen NÇI, në realitet ka qenë bashkëpunëtor i Demokristianes dhe qysh në ditët e para të çlirimit filloi bisedimet me njerëzit e Demokristianes dhe posaçërisht me tradhtarin Pater Gjon Shllaku edhe ekponent si Riza Dani, njerëz të Klerit Katolik, Paulin Palin dhe të tjerë qelbësira të Qytetit të Shkodrës....

“I pandehuri, Kolë Prela megjithëse populli i dha besimin dhe votën si përfaqësues në Kuvendin Popullor, ky tradhtar i poshtër, kjo kërmë e ndyrë, nuk e çmoj besimin e popullit dhe në vënd që të mendonte për popullin, merr kazmën në dorë, për t’i gërryer themelet atdheut duke u bërë mish e thua me shoqatën fashiste Demokristiane. Kolë Prela bënte propagandë të dyanshme, me dy karrige, politik, prostitutë që qëndronte në Kuvendin Popullor, për formë nga ana tjetër inkurajonte demokristjanën, Paulin Palin, Kel Çobën e të tjerë për të vepruar kundra pushtetit, për të rrëzuar pushtetin”.....

VENDIMI…….
Për të gjithë veprimtarinë e tij tradhëtare që u vërtetua nga zhvillimi i gjyqit në bazë të neneve.....të ligjës nr 372 / I pandehuri Kolë Prela dënohet me VDEKJE dhe humbjen e përhershme të drejtave civile dhe politike.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura